Detyrimet e Arbitrazhit 190 milionë USD, Avokatura e Shtetit i mbante “sekret”

0
131

Shuma që shteti ynë ka humbur në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg është 19 miliardë lekë (afro 190 milionë dollarë). Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. shifra e përllogaritur është nxjerrë nga auditimet.

Në raportin për zbatimin e buxhetin e vitit 2019, të sapo depozituar në Kuvend theksohet mungesa e të dhënave mbi këto detyrime. Megjithëse kreu i shtetit, Ilir Meta i ka dërguar dy shkresa Avokaturës së Shtetit për të mësuar mbi këto detyrime, nuk ka arritur të marrë përgjigje. Njëra shkresë është nisur që në datën 13 korrik 2020, ndërsa tjetra në 14 shtator 2020. Presidenti kërkonte “numrin e çështjeve në proces pranë Gjykatave të Arbitrazhit, ku Republika e Shqipërisë është palë dhe e paditur, si dhe të dhënat rreth tyre, përfshirë strukturën që ndjek çdo çështje; Shërbimet e përfaqësimit dhe të konsulencës, dhe të dhëna mbi mënyrën e përzgjedhjes, kontraktimit, shpenzimet dhe pagesat e kryera për to, apo në pritje për t`u kryer; Numrin e çështjeve të fituara nga shtetit shqiptar në Gjykatat e Arbitrazhit; Numrin e çështjeve të humbura në Gjykatat e Arbitrazhit; efektin financiar (detyrimin) për shtetin shqiptar sipas vendimit”. Përgjigja erdhi nga kryeministri, që u mburr se nuk kishte humbur asnjë çështje, madje u kërkoi gazetarëve të investigonin.

Nga ana tjetër, KLSH i kërkon Ministrisë së Financave të bëjë publike vendimet që pritet të ekzekutohen për shkak të arbitrazheve ndërkombëtare dhe shifrave përkatëse që do paguhen nga buxheti i shtetit.

“Në raportin e Ministrisë së Financave për Zbatimin e Buxhetit nuk ka vlerë të raportuar mbi vendimet që priten të ekzekutohen për çështje të arbitrazhit apo GJEDNJ, pavarësisht se niveli i lartë i tyre në proces ekzekutimi impakton Buxhetin e Shtetit të vitit të ardhshëm. Bazuar në ngjarjet pas periudhës raportuese, si dhe deklarimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në raportin e mes vitit për buxhetin e vitit 2020 këto detyrime vlerësohen nga KLSH në rreth 19 miliard lekë”, thekson në raport KLSH.

Kujtojmë se shteti shqiptar mund të humb shuma të mëdha nga disa procese. Përmendim atë me biznesmenin italian Becheti, i cili ka fituar rreth 109 milionë euro në një proces që është pezulluar për momentin, e pasuar nga një përplasje me kompaninë Turke “Kurum”, e cila në Arbitrazh kërkon nga shteti shqiptar një dëmshpërblim prej rreth 100 milionë eurosh. Ndërkaq, kompania greke “Copri Actor”, e përshirë në ndërtimin e Rrugës Tiranë Elbasan e ka paditur shtetin shqiptar për shumën prej 44 milionë eurosh.

Bazuar në ligjin “Për Avokaturën e Shtetit” përcaktohen dy mënyra ekzekutimi të shpërblimit: Vendimet me detyrim financiar mbi 10.000 EUR, implikojnë nxjerrjen e VKM-ve respektive për ekzekutimin e tyre. Vendimet me detyrim financiar deri në 10.000 EUR, ekzekutohen drejtpërdrejtë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas kërkesës zyrtare të Avokaturës së Shtetit.

“Edhe për vitin 2021, likuidimi i detyrimeve të këtij lloji përballohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit”, njofton Ministria e Financave.

Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit që kanë të bëjnë me zgjidhjen e konflikteve në mosmarrëveshjet dy ose shumëpalëshe, në ngarkim të shtetit shqiptar, përbëjnë gjithashtu një risk real për buxhetin e shtetit. Në pjesën më të madhe, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtyre vendimeve janë përballur nga buxheti i vetë institucioneve buxhetore (kryesisht ministri linje) që kanë përfaqësuar Qeverinë shqiptare. Në raste të tjera, sipas specifikave, është përdorur për këtë qëllim edhe Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka rekomanduar forcimin e rolit negociues të institucioneve buxhetore dhe Avokaturës së Shtetit në çështjet e kësaj natyre, si edhe disiplinimin e procesit të shlyerjes financiare të vendimeve finale”, njofton Ministria e Financave në relacionin mbi projektbuxhetin 2021, drejtuar deputetëve.

Në total, sipas dokumentit të mësipërm, stoku i detyrimeve të prapambetura në nivel 6-mujor për vitin 2020, sipas qeverisë, rezultoi rreth 6.81 miliard lekë, Një pjesë e konsiderueshme prej rreth 57.8 përqind e këtij stoku detyrimesh i referohen detyrimeve për vendime gjyqësore.

Lidhur me Gjykatën e Strasburgut, qeveria justifikohet se nuk ka mundësi t’i parashikojë dëmshpërblimet e këtyre çështjeve. “Vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave tek ish-pronarët. Sipas Avokaturës së Shtetit, risqet financiare që burojnë nga vendimet e GJEDNJ-së janë të karakterizuara nga një aftësi e dobët parashikuese, përsa kohë që kjo Gjykatë nuk funksionon më me një kalendar të përcaktuar për komunikimin e çështjeve dhe nxjerrjen e vendimeve”, ankohet Ministria e Financave në relacionin dërguar deputetëve.

Ndërkaq, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ekzekutuar në vazhdimësi të gjitha vendimet e miratuara nga GJEDNJ përmes zbatimit të VKM-ve respektive miratuar në mbështetje të tyre. Kjo, duke konsideruar faktin se kur pagesat nuk kryhen brenda afatit tre mujor nga data kur vendimi përkatës merr formën e prerë, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e një kamatë-vonese për çdo ditë vonesë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here