Asambleja e PS-së së Tiranës Sulmohet figura e Zogut, Ruçi “ndryshon” historinë: Mbreti vrau Shote Galicën

0
172

Gëzim Saliu

Ruçi: PS, derë më derë për fitore, statusi u humb prej korrupsionit dhe mungesës së drejtësisë


Partia Socialiste shpreh për herë të parë zyrtarisht qëndrimin e saj lidhur me figurën e mbretit Zog. Numri dy i PS-së, Gramoz Ruçi, gjatë punimeve të asamblesë socialiste të degës së Tiranës, kritikoi dhe sulmoi mbretin Zog, si një figurë despotike dhe me kontribute negative në historinë e vendit. Duke iu rikthyer edhe një herë festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, kreu i grupit parlamentar socialist vendosi në analogji sundimin e mbretit Zog me atë të qeverisë aktuale të Kryeministrit Berisha, duke theksuar se ngjashmëritë mes tyre janë të mëdha. “Së pari se askush sikurse Ahmet Zogu nuk sundoi në mënyrë despotike dhe po me mjete despotike do të sundojë edhe Berisha. Ahmet Zogu sundoi me intriga dhe frikë, edhe ai do të sundojë me të njëjtën mënyrë. Fillon dhe mbaron mbledhje e grupit parlamentar, e qeverisë dhe në Parlament vetëm me Edi Ramën, duke bërë intriga dhe duke frikësuar PS-në. Ashtu si Zogu erdhi në pushtet i pazgjedhur, por me ndihmën e Serbisë, edhe Saliu ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura. Edhe Saliu jonë sot mik të familjes deklaron një serb tjetër, Fazlliçin. Edhe Saliu në gjithë politikën e tij, kur ishte President theu embargon për të ushqyer makinën shtypëse të vëllezërve tanë në Kosovë. Kur UÇK-ja doli në mal, fondamentalistë, ekstremistë dhe komunistë i quajti ai luftëtarët e UÇK-së. Edhe Saliu kur ishte puna për të nënshkruar përfaqësuesit e Kosovës marrëveshjen e Rambujese, tha që kush nënshkruan, është tradhti kombëtare”, – deklaroi Ruçi. Por ajo që ra në sy në deklaratën e kreut të grupit parlamentar socialist ishte “gabimi” me ngjarjet historike të ndodhura në kohën kur vendi qeverisej nga mbreti, ku sipas kryetarit të Asamblesë së PS-së, Zogu ishte përgjegjës për vrasjen e Shote Galicës, kur në fakt patriotja shqiptare vdiq në mënyrë natyrale në Fushë-Krujë. “Ahmet Zogu, sundimtari monark dhe Sali Berisha sundimtari në emër të demokracisë ngjajnë si dy pika uji, si dy vëllezër siamezë. Berisha nuk u kërkoi ndjesë shqiptarëve për ata dhjetëra vetë, nga Bajram Curri deri tek Shota, që i vrau me dorën e tij Ahmet Zogu. Dhe nuk na tha që mbi 30 intelektualë, ajka intelektuale e këtij kombi ishin dënuar nga ky satrap. Pse e do kaq shumë ky Saliu këtë Ahmet Zogun? Nuk është rastësi, e lidhin shumë gjera”, – u shpreh Ruçi.

 

Strategjia dhe statusi

Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, Partia Socialiste e ka gati strategjinë elektorale të vitit 2013 me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe Kryeministrit Berisha. Ruçi bëri thirrje që çdo socialist të trokasë derë me derë, në mënyrë që me frymë elektorale të rrëzojë mazhorancën aktuale qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Saliu nuk bie vetë, duhet ta rrëzojë fryma elektorale që duhet të ngrejë opozita shqiptare në udhëheqjen e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Unë do t’ju kërkoja të trokasim në çdo derë dhe tu themi qytetarëve shqiptarë: Në 2005, Saliu e gjeti kilen e bukës me 50 lekë sot e lë me 100 lekë, e gjeti orizin ne 80 lekë sot e le 140 lekë. Kilen e sheqerit e gjeti me 80 lekë e lë me 160 lekë, kilen e miellit e gjeti 50 lekë e lë 100 lekë… Fryma nuk rritet vetvetiu por duhet të plotësojë dy kushte, këto që thamë të thuhen vesh më vesh dhe derë më derë. Dhe e dyta nuk duhet të lodhemi së propaganduari së përsëritur alternativën për një Rilindje Shqiptare, duke u thënë se alternativa jonë është punësimi jo papunësia. T’u themi biznesmenëve se ne jemi për taksim të ndershëm jo taksë të padrejtë”, – theksoi ai. Lidhur me mos marrjen e statusit të vendit kandidat, kryetari Asamblesë së PS-së akuzoi Kryeministrin si fajtorin kryesor për dështimin e tretë radhazi të vendit në procesin e integrimit. “Lajmi më i keq ishte refuzimi për herë të tretë të statusit dhe përpjekjeve të Saliut se fajin e ka Rama, PS, kur fajin në vetvete është mungesa e demokracisë dhe moszhvillimi i zgjedhjeve të lira, mungesa e parlamentarizmit, e pavarësisë së organeve kushtetuese, e drejtësisë, shkalla e lartë e korrupsionit, kriminalitetit, e ndotjes së mjedisit, përkeqësimi i lirive e ët drejtave të njeriut. Këto janë shkaqet që për herë të tretë si asnjëherë tjetër, është refuzuar statusi”, – theksoi Ruçi. Një tjetër çështje e prekur nga kreu i grupit parlamentar socialist ishte edhe buxheti i vitit 2013, i cili, sipas tij, nuk zbut krizën dhe nuk e ul borxhin publik. “Rezulton se ky buxhet nuk ndihmon në rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, nuk kontribuon në zbutjen e efekteve të krizës që ka pllakosur ekonominë e qytetarëve shqiptar, buxheti nuk e ul borxhin publik, por e rrit dhe e le pakufi, nuk e zbut varfërinë por e shton akoma më tej. Ky buxhet nuk ka dritë jeshile për të shtuar asnjë vend pune, por për të shtuar ushtrinë 1 milion të papunëve. Ky buxhet shkatërron financat e pushtetit vendor dhe nuk i jep asnjë lekë pensionistëve, veteranëve, njerëzve me aftësi të kufizuar, por edhe dy shtyllave siç janë ish-pronarët dhe ish të përndjekurit nuk u siguron asgjë”, – deklaroi Ruçi.

 

 

Kush ishte Shote Galica

Shote Galica, emëruar në lindje si Qerime (Halil) Radisheva (1895 – 1927) ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, Heroinë e Popullit. Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austro-hungarezë e bullgarë. Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare. Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë. Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbanisë së Vogël). Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit, Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor 1924 luftoi kundër ushtrive intervencioniste serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Humbi në luftime nga masakrat e shovinistëve serbë 22 anëtarë të familjes. Më 3 korrik 1927, Shote Galica u vendos në Shqipëri, ku vdiq në Fushë-Krujë në mënyrë natyrale.

 

 

Debati në PS për Zogun, Braçe kundër Majkos

Në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë dhe vlerësimit të figurave historike që kontribuuan për vendin, figura e mbretit Zog ndezi debate të mëdha brenda selisë rozë. Mjaftoi një deklaratë e anëtarit të kryesisë së PS-së Pandeli Majko, në të cilën ai vlerësoi faktin se largimi i Zogut nga Shqipëria ishte një akt juridik, që zyrtarizoi pushtimin e Shqipërisë, për të ndezur kritikat e shumta, sidomos të deputetit socialist Erion Braçe. Ky i fundit reagoi jo pak herë ashpër ndaj deklaratave të kolegut të tij, duke theksuar se vlerësimet për mbretin nga ana e Majkos ishin të papërshtatshme. Pas këtyre reagimeve, nuk mungoi përgjigjja e ish-kryeministrit të vendit, i cili në një reagim në rrjetin social i kujtoi Braçes dhe kritikëve të tjerë brenda radhëve të PS-së se ishte pikërisht qeveria socialiste, e cila në vitin 2002 që i dha statusin ligjor familjes socialiste. “Në 2002 dhe më pas ishte qeverisja socialiste, ajo që hapi dyert për familjen mbretërore dhe dhënien e një statusi ligjor për të… Nuk kam dëgjuar “psherëtima” nga askush në atë kohë se po “rehabilitojmë vrasësit apo kolaboracionistët”… Unë hyj tek njerëzit që refuzoj të pranoj që në 100 vjet shtet, jemi drejtuar nga një hajdut dhe kolaboracionist (!) dhe nga një diktator i dyshuar për homoseksual (!)… Unë besoj tek gjakftohtësia që koha na këshillon të vlerësojmë me qetësi. Ahmet Zogut t’i jepet ajo që i takon, duke ia vlerësuar aktet dhe analizuar gabimet. Enver Hoxhës po ashtu. Dhe pa dyshim edhe për cilindo tjetër nesër, duke krijuar kështu “simfoninë” e munguar të historisë sonë kombëtare dhe paqen me të kaluarën tonë të përbashkët…”, – do të shprehej Majko.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency