Leja e ndërtimit e Ramës për qendrën tregtare që do ngrihet me paratë e drogës dhe do kushtojë 32 milionë euro

0
143

Për policinë dhe drejtësinë shqiptare, ndërtuesi Luan Mata figuron me dosje të pastër penale.

Por në një material voluminoz hetimor, pjesë nga i cili DITA ka botuar së fundmi, Luan Mata figuron i implikuar në pastrim parash, ndërsa i biri, Ervin Mata është një nga trafikantët më të kërkuar ndërkombëtar të kokainës.

Sipas gazetës të afërt me pushtetin “Dita” autoritetet braziliane kanë hetuar burimin e financave të biznesmenit Luan Mata, që sipas një vendimi gjyqësor të detajuar, rezultojnë të ardhura nga trafiku i drogës, maskuar si investime me ortakëri në fushën e agro-turizmit.

Dosja, pjesë e të cilës ka rrjedhur tashmë në media, provon se Luan Mata është kontigjent penal i drejtësisë së Brazilit prej 4 vitesh, ndërkohë që në Tiranë, ai njihet si admnistrator i firmës ndërtuese “Victoria Construction”.

Firma në emrin e tij ka përfituar rregullisht tendera shërbimesh për hoteleri-restorante, në disa raste, troje publike falas, leje për resorte dhe së fundi ka marrë lejen për ndërtimin e një kulle luksi në zonën e ish-Ekspozitës në qendër të Tiranës.

Por në Brazil gjërat duken krejt ndryshe vazhdon më tej gazeta e afërt me qeverinë “Dita”.

Dosja e Luan Matës në këtë vend të Amerikës Latine përmban vendimin e Gjykatës së Shtetit – Minas Gerais. Aty gjendet një raport i ministrit brazilian Roberto Barroso dhe detajet e hetimeve që provojnë akuzën “përfitim kriminal” i fshehur pas veprimtarisë së një kompanie që operon në agro-biznes.

Në datën 18 qershor 2018, Luan Mata, me status “i pandehur” dhe ortaku i tij Davanço Silva, kanë bërë ankesën me nr. 10271140101400004, në Gjykatën Supreme Federale, për të rrëzuar vendimin penal-civil dhe kundër raport-akuzës së ministrit të Drejtësisë.

Por ankesa është konsideruar e papranueshme. Apeli ua ka rrëzuar të pandehurve Mata e Silva rekursin për pafajësi, mos-burgosje dhe mos-sekuestrim asetesh e kapitalesh të investuara në Brazil.

“Për veprat penale, të trafikut të drogës, nuk aplikohet zëvendësimi i heqjes së lirisë, me të drejta kufizuese, përveçse me ndalimin e shprehur ligjor” – thotë vendimi i Apelit, bazuar në Art. 102, III/a të Kushtetutës Federale.

Megjithëse me probleme të tilla të rënda të lidhura me burimin e të ardhurave dhe me të birin e përfshirë në trafikun e kokainës, nga ku dyshohet se vijnë paratë, firmës “Victoria Contruction” të z.Luan Mata iu dha së fundmi leje me vendim të KRRT për një mega-qendër tregtare në Tiranë, ku vlera paraprake e ndërtimit llogaritet në plot 32 milionë euro.

Kompleksi do zhvillohet në zonën e ish-Ekspozitës në kryeqytet. Nuk bëhet fjalë për ndërtim të thjeshtë, kulla e re me emrin “Ekspozita Building”, është 93 metra e lartë dhe do të jetë kulla e dytë më e lartë, pas “Dowtown Tirana”, pranë Rrugës së Elbasanit. Sipërfaqja e përgjithshme e 24 kateve mbi tokë dhe atyre 5 nëntokë, do të jetë rreth 42 mijë metra katrorë.

Si për ironi të fatit, kulla e financuar me miliardat e kokainës, është miratuar të ngrihet pranë “kullës” së drejtësisë Gjykatës së Tiranës.

Një lejim i tillë ka shpërfillur jo vetëm dosjen penale në Brazil, por edhe raportet e së paku katër agjencive ligj-zbatuese, mes tyre dhe informacionet e dhëna nga DEA-EUROPOL mbi burimin e parave të lidhura me Luan dhe Ervin Mata.

Informacionet i kanë kaluar prej kohësh edhe institucioneve shqiptare përfshirë SHISH dhe DSIK.

Victoria Construction ka ndërtuar gjithashtu resorte dhe pallate në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë si dhe posedon qendër eventesh dhe shourum veshjesh martesore “Evente Gjata” që posedohet nga ajo që njihet si e fejuara e Ervin Matës në Tiranë, këngëtarja Elvana Gjata.

Ervin Mata që njihet në ambjentet e krimit si “Boli” figuron në dosje si ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i Eldi Dizdarit, i arrestuar pak ditë më parë në Dubai dhe i skeduar si një nga krerët e trafikut të kokainës në Shqipëri.

Europol ndihmoi në koordinimin e një serie arrestimesh dhe sekuestrimesh ku u përfshinë qindra oficerë policie pas një hetimi pesë-vjeçar, të udhëhequr nga Italia. “Flitet për një bandë të pazakontë në tregtinë ndërkombëtare të drogës pasi kontrollonte çdo aspekt të zinxhirit të furnizimit – nga rregullimi i dërgesave të drogës nga Amerika e Jugut deri te shpërndarja e tij në të gjithë Evropën”, siç shkruan Associated Press.

Eldi Dizdari, një nga drejtuesit e organizatës, më pas kishte mosmarrëveshje me Ervin Matën për pazare droge dhe kjo ka çuar në përplasjen mes tyre që kulmoi me masakrën në Bllok në 4 tetor 2018.

Mbeti i vrarë Fabjol Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato (në foto, i shtrirë pas plagosjes)

Vetëm gjysëm ore para vrasjes ata janë përballur në rrugë përballë dyqaneve të luksit Monopol.

Sipas prokurorisë, nga pamjet e sekuestruara të kamerave të zonës, shihet se rreth orës 20:40 ka pasur një konflikt mes Dizdarit dhe Matës.

Pas këtij konflikti në rrugë, 20 minuta më pas ndodhi masakra me një të vrarë dhe disa të plagosur. Mbeti i vrarë Fabjol Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Ervin Mata u dorëzua në polici më 2 Mars 2019 pas 6 muajsh arratie.

Në maj të këtij viti pranë hotelit “Victoria” që e zotëron familja Mata, u krye një atentat me tritol.

“Nuk është hera e parë që droga sjell bashkë me paranë vrasje, shpërthime, terror publik, shkatërrim të rinisë dhe perspektivave të ndershme të punësimit. Shumë qytete të vendit janë kthyer tashmë në vatra të nxehta krimi dhe konfliktesh të egra të lidhura me trafikun e drogës.

Kush thotë se droga sjell zhvillim dhe bën ekonominë, – jo vetëm provon korrupsionin dhe paaftësinë politike 30 vjeçare për të zhvilluar vendin me asetet e tij të shumta në mënyrë normale dhe afatgjatë, – por është edhe bashkëpunëtor në këtë krim tashmë masiv

RD

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here