Në lidhje direkte me edicionin e pasdites në Syri Tv, mjeku Erion Dasho, është ndalur fillimisht te shifrat e ulëta të testimeve në Shqipëri.
‘Nuk është vetëm shifra më e ulët.
Kjo është katastrofike. Që do të thotë që vendi ynë, nuk teston.
Por ajo që është më qesharake, është se ne shikojmë në media, përfaqësues të qeverisë, dje ishte Ministrja e Financës, që deklaroi se sipas Komitetit të Ekspertëve, që nuk është nevoja të testosh.
Kjo është një situatë qesharake.
Ndërkohë që shqiptarët sot dëgjojnë OBSH-në që thotë testo.
Qytetarët shqiptarët shikojnë se nëse duan të testohen I drejtohen sektorit privat, ku paguajnë 100 euro për test.
Ndërkohë që Aeroporti i Stambollit e ofron testin në mjedisin e aeroportit për 15 euro.
Ndërkohë që shqiptarët me të ardhurat më të ulëta e paguajnë testin në privat me 100 euro.
Pra ka kaluar të gjithë parametrat e mundëshem e kontrollit të epidemisë, dhe në krahun tjetër të përballosh edhe një demagogji të tillë është revoltuese
Po të dëgjosh përfaqësuesit e shtetit duket sikur çdo gjë shkon vaj.
Kur në fakt është e kundërta.
Shqiptarët marrin cilësinë më të ulët të shërbimit në Shqipëri.’
Mjeku Dasho ndërkohë komentoi edhe vaksinën e gripit, duke thënë se qeveria e ka sjellë me vonesë dhe nuk ka bërë transparencë për vendin nga e ka sjellë.
‘Fakti është që vaksina e gripit ka filluar ti jepet shtresave vulnerabël është për t’u vlerësuar.
Ajo që duhet parë është vonesa, sepse në vendet e Evropës jepet në dy javët e para të shtatorit
Unë uroj të administrohet, për ta çuar atë te përfituesi.
A e ka certifikatën apo jo, unë nuk dua ta vë në dyshim këtë element.
Të paktën për vaksinat ka qenë mbështetja teknike e OBSH që ka arritur të ruajë një standard teknik.
Ajo që vë në dyshim është transparenca.
Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë nuk ka bërë asnjëherë transparencë ku blihen testet kovid.
Nëse ne si specialist nuk dimë markën e testeve, duhet t’u shpjegojmë qytetarëve nëse janë brenda standardeve.
Kështu ndodh edhe me vaksinën e Covid.
I gjithë ky informacion duhet ndarë me publikun shqiptar, mbi produket që u ofrohen.’