FAKT-ANALIZË/ Një sekt që nuk qeverisi asnjë ditë, por humbi përgjegjësinë përmes sloganeve e propagandës

0
256

Nga Gëzim Saliu

Parantezë

Në këtë shtator, kryeministri Rama dhe mazhoranca socialiste mbushën plot 7 vite në pushtet, ndërsa kanë dalë si fitues në dy palë zgjedhje parlamentare (2013-2017). Në vitin 2013 Rama së bashkua me koalicionin me 40 parti, mes tyre edhe LSI, arriti të mposhtë koalicionin e djathtë me një fitore të thellë. Ndërkaq në zgjedhjet e 2017-ës, PS kërkoi timonin dhe tepsinë për vete, duke marrë një fitore me 74 mandate. Por midis dy procesve zgjedhore pati dallime të skajshme.

Nësë në zgjedhjet e vitit 2013, që u mbajtën nën kujdesin e qeverisë “Berisha” do të cilësoshin si zgjedhje që përmbushën theksueshëm standarded e OSBE-ODIHR, ato të 2017-ës u shoqëruan me problematika të rënda, ku ndër më kryesoret rëndisim; votimi në grup, angazhimi i të inkriminuarve në fushatë dhe në ditën e zgjedhjeve pranë qendrave të votimi, presioni ndaj administratës etj. Kujtojmë se pjesë e këtyrë votimeve ishte  dosja e famshme ‘339’, e zbuluar nga prestigjozja gjermane “Bild”, dosje e cila denoncoi publikisht një klan kriminal në Durrës, të përfshirë thellësisht në blerjen e votave dhe intimidimin e zgjedhësve në emër dhe bashkëpunim të plotë me kryeministrin dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialistë, përfshi kreun e bashkisë Durrës, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri.

Mini-Bilanc

Këto vite nën qeverisjen e “Rilindjes”, përkundrejt premtimeve utopike për 300 mijë vende të reja pune e shëndetësi falas apo angazhimet për rend e siguri dhe ekonomi të sigurtë, vendi shënoi hapa të theksuara pas. Mijëra shqiptarë emigruan masivisht nga vendi për shkak të mungesës së punës dhe shpresës për një të ardhme më të mirë. Kulmi u arrit në vitet 2015-2016, ndërsa ende sot vazhdon trendi i largimeve. Vetëm pak ditë më parë Eurostat publikoi një raport për kërkesat e azilantëve, ku Shqipëria për vitin 2019 mbante vendin e katërt në botë dhe të parin në Evropë!

Ndërkaq ekonomia, e cila ishte një ndër angazhimet më të madh të Rilindjes, nuk e pati kurrë shkëlqimin e premtuar. Madje shënoi regres të theksuar, ndërsa borxhi publik nga 73 % që pretendonin socialistët që e morën në 2013-ën, kaloi 80 %-in nën qeverisjen “Rama”.

Po ashtu edhe shëndetësia, ku premtimi utopik për shërbim e trajtim falas nuk u përmbush asnjëherë, shënoi regres në disa sektorë të saj. Koncensionet e shumta në këtë sektor, kujtojmë Chek-Up apo sterilizimin, e kthyen shëndetësinë në një sistem që sjell para për miqtë bashkëpunëtorë të qeverisë. Ndërsa pandemia e koronavirusit shfaqi lakuriq problematikat e thella që ka sistemi shëndetësor në vend, deri te ato më elementarët, si shtretër , ushqim e mjete spitalore.

Ndërsa një dështim i rëndë që peshon ende mbi shpatullat e mazhorancës qeverisëse është ai që lidhet me procesin e integrimit evropian. Në 7 vite pushtet, Rama dhe mazhoranca që ai drejton, mundi të sigurojë vetëm statusin e kandidatit, të cilën thuajse e kishte dhuratë nga qeveria parardhëse, ndërsa negociatat mundi t’i siguronte me shumë kushte të shoqëruara,  vetëm në pranverën e këtij viti. Aktualisht vendi nuk ka asnjë shans që të nisë konferencën e parë ndërqveritare, e cila nënkupton nisjen procesit të negociatave, siç do ndodhë me shumë gjasa në dhjetor me Maqedoninë e Veriut. Kushtet e vendosura nga BE, veçanërisht nga Bundestagu gjerman, nuk patën asnjë përparim në këto muaj, për të mos thënë që disa prej tyre janë përkeqësuar. Këtu përmendim reformën zgjedhore, ku mazhoranca në bashkëpunim me opozitën parlamentare shkeli marrëveshjen e garantuar nga ndërkombëtarët të njohur si “5 Qershori”, duke synuar eleminimin e koalicioneve parazgjedhore në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit 2017.

 

 

 

 

 

 

Një tjetër dështim i kësaj mazhorance qeverisëse është rendi dhe siguria. Erdhën me premtimin për luftë të hapura ndaj bandave dhe krimit të organizuar, por në këto vite është provuar krejt e kundërta. Krimi hipi në fronin e pushtetit, duke marrë madje rol protagonisti në proceset zgjedhore. Aksioni në Lazarat dha shpresa të mëdha për një luftë të hapur ndaj trafikut të drogës, por në vetëm një vit më pas Shqipëria u kthye në të gjithë territorin e saj në një ‘fabrikë’ të kultivimit të kanabisit. Fenomeni shpërtheu në përmesa globale, ku njësitë e shteteve fqinj shpërhtyen në akuza si asnjëherë më parë, për tonelatat me drogë me prejardhje nga Shqipëria që duhej të ndalonin thuajse çdo ditë në brigjet e tyre.

Dhe padyshim në këtë listë dështimesh nuk mund të mungonte Bujqësia. Ka qenë ndoshta sektori që e ka vuajtur më së shumti këtë 7-vjeçar, ku premtimet fillestare për mbështetje ndaj fermerit avulluan me kohën. Ndryshe nga çdo vend i Europës ku fermeri mbështetet me grante, në Shqipëri qeveria “Rama” zgjodhi dhënien e kredive. Kanë qenë thuajse të përditshme protestat e fermerëve nga çdo cep i Shqipërisë për kushtet mjerane në të cilat janë katandisur për shkak të mos mbështetjes nga Qeveria. Shumicës prej tyre, prodhim8i u ka shkuar dëm, ndërsa shteti nuk është angazhuar asnjëherë seriozisht për t’i dhënë asistencën e duhur fermerëve për të ngritur bujqësinë shqiptare në nivelin që e meriton.

 “Fajin e ka Saliu”

Në fillim vitin 2011, pas dy diteve debate për ‘hapjen e kutive’, një betejë personale e kryesocialistit për të shpëtuar karrigen e kryetarit mes zjarrit të brendshëm në PS që për pak e përvëloi, Rama erdhi para shqiptarëve me sloganin ‘Fajin e ka Saliu’.

E që nga ajo ditë, Rama e dha mesazhin se çfarë do i priste shqiptarët nëse një ditë ai do vinte në pushtet. Përmes këtij slogani, Rama paralajmëroi se do i shmangej çdo lloj llogaridhënie para qytetarëve sepse sipas tij “fajin për të gjitha e ka Saliu”. Ky slogan, që në fakt ishte edhe ideologjia e “Rilindjes” edhe në pushtet, tregoi gjithashtu mungesë përgjegjësie. Kjo pasi, Rama i shmangej ballfaqimit me qytetarët, përgjegjësive të tij për gabimet, duke ja faturuar ato vetëm një personi të vetëm, ish-kryeministrit Sali Berisha. Qartazi, Rama vërtetoi që nga ajo kohë e deri më sot, se i mungon programi, vullneti dhe dëshira për të ndryshuar gjërat në vend.

Propaganda për “Rilindje” të vendit u shkrumbua shpejt. Ndërsa shqiptarët po kuptonin pak e nga pak se Rama nuk ishte ai që hiqej e premtonte, kryeministri kujdesej që të vazhdonte të lançonte në çdo tribunë folëse e studio televizive strategjinë e tij që mbështetej fort në sloganin ‘fajin e ka Saliu”. Në gjithë këto vite pushtet, Rama dhe të tijët ende vazhdojnë të justifikojnë  dështimet e tyre me arsyetimin idiotesk që vë në plan të parë devizën; “gropa që na la qeveria e kaluar”. A thua se ishin në vitin e parë të mandatit dhe po rikuperonin ato që mundin nga ‘gabimet trashanike’ të ekzekutivit të kaluar. Slogani “fajin e ka Saliu” që ende vazhdon të përdoret edhe sot, përbën ndoshta treguesin më të fortë të dështimit spektakolar të qeverisjes “Rama” në këto dy mandate.

Dështimi me ekonominë, punësimin, arsimin, shëndetësinë, rendin e drejtësinë nuk mund t’i vishen asesi Sali Berishës. Ky i fundit ka 7 vite që nuk qeveris më! Emigrimi i shqiptarëve në këto vite që ngjason me eksodin e frikshëm të shqiptarëve të viteve ’90, nuk ka se si ti atribuohet ish-kryeministrit.  Ai vjen qartazi si pasojë e politikave të gabuara të ndjekura nga qeveria “Rama” në këto vite, duke shuar përfundimisht shpresat e të rinjve dhe familjeve shqiptare, se vendi nën drejtimin e “Rilindjes” mund të ketë një të ardhme më të mirë. Në fakt, shifrat e emigrimit, janë aq kokëforta, sa as propaganda e shfrenuar e të purpurtve nuk mundi t’i bëjë ballë.

Fshehja 7-vjeçare pas sloganit ‘Fajin e ka Saliu’ është treguesi më i rëndësishëm i mungesës së përgjegjshmërisë së qeverisjes “Rama”. Asnjëherë në këto vite që drejtuan vendin, nuk u treguan të përgjegjshëm e të ndërgjeshëm për t’u përballur me qytetarët për dështimet e tyre dhe premtimet e pambajtura.

Politika e papërgjeshmërisë

Qeverisja “Rama” në këto 7 vite ngriti kultin e politikës së papërgjeshmërisë dhe mungesës së llogaridhënies te qytetarët. Përmes një rrjeti të mirëorganizuar të propagandës, “Rilindja” mendoi të shtypte çdo zë kritik, denoncues e zbardhës të së  vërtetës. Paratë nuk i mungonin, fushata e pandalur e hashashit dhe lidhje me botën e errët i mundësuan krahë të forta nga pas.

Duke propaganduar gjithnjë fasadën, qeverisja “Rama” ju shmang thuajse çdo here përgjegjësisë ndaj qytetarëve për dështimet e saj. Në asnjë herë të vetme, qoftë Rama, ministrat apo deputetët nuk janë përballur me qytetarët dhe të pranojnë premtimet e pambajtura apo dështimet e shumta me ekonominë, punësimin dhe arsimin. Në asnjë rast të vetëm, kryeministri nuk është përballur me realitetin në vend, por gjithnjë ka luajtur kartën e “show-t“ dhe propagandës. Sigurisht, kjo edhe në saj të lidhjeve të fuqishme me median, e cila në këto 7-vite si kurrë më parë është gjendur nën trysninë e një pushteti që po nuk i dërgove ujë në burim, ose të blen ose të shantazhon me mbyllje aktiviteti.

Politika e papërgjeshmërisë është vënë re dendur në këto vite të pushtetit të socialistëve. Rasit konkret është dështimi me negociatat, ku edhe në këtë rast, “Rilindja” po luan çdo gurë për ta hedhur fajin tjetër kund. Në fillim e nisën me bllokimin që sipas tyre po u bënte opozita ligjeve të rëndësishme për reformën në drejtësi ( një gënjeshtër që do e sqarojmë më poshtë), e së fundmi po ja vënë fajin Evropës, e cila sipas Ramës dhe pupacëve të tij, ka problemet e brendshme dhe nuk e ka mendjen te zgjerimi.

Mjafton të kujtosh rastin e Maqedonisë së Veriut e cila sipas të gjitha gjaseve, marrë shkas edhe nga deklarata e komisionerit për Zgjerim të BE Varhelyi, do të nisë në dhjetor kapitullin e parë të negociatave. Ndërsa Shqipëria do të duhet ende të përmbushë kushtet e vendosura, për dështimin e të cilave, qeveria “Rama” ende nuk mban asnjë përgjegjësi.

Një temë më vetë është situata e drejtësisë. U nis me premtime të mëdha për një “drejtësi të re” që do të sjellë kapitullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por deri më tani procesi ka çaluar në aq shumë pika sa vështirë se mund të rifutet në shinat e duhura. Që nga vettingu e deri te përzgjedhja e drejtuesve të institucioneve të “drejtësisë së re” u hasën problematika të theksuara, që i dhanë procesit ngjyrime të forta politike. Por goditja më e fortë që reforma në drejtësi i dha vendit ishte shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhge bllokimi i asaj të Lartë prej  vitesh, duke na kthyer në shtetin e parë në Evropë e më gjerë, që funksionon pa gjykatën supreme.

Për të ardhur te justifikmet e mazhorancës në këtë proces. Buçitën për muaj e muaj me radhë në vitet 2015-2016 se opozita nuk e donte reformën në drejtësi, ndërsa për çdo ditë kalonin drafte e projekte që tentonin ta kapnin thellësisht drejtësinë e re. Aq shumë të fuqishme ishin bokset propaganduese të “Rilndjes” sa edhe jashtë vendit u krijua përshtypja se opozita nuk e donte këtë reformë. U desh ndërhyrja e Komisionit të Venecias për të zbardhur një herë e mirë problematikat e çështjes, ndërsa drafti me ndryshimet kushtetuese kaloi në korrikun e 2016-ës me 140 vota në Kuvend, pasi u rrëzua tentativa e parë e socialistëve për kapjen e reformës.

Por më pas, kjo tentativë u çua përpara me votimin pa konsensus me opozitën  të 7 ligjeve shoqeruese të paketës së ndryshimeve kushtetuese. Për të vazhduar më tej, me njerëzit që u përzgjodhën në organet e reje të drejtësisë apo me emërimin antikushtetuese të kryeprokurores së përkohshme. Të gjitha këto hapa, qartazi në kundërshtim me frymën e një drejtësi të re të pakapur, “Rilindja” i propagandonte si ecje përpara në rrugën e reformës. E gjitha kjo ndodhi edhe në saj të ndihmës të edhe disa diplomatëve të huaj që u kthyen në zëdhënës të qeverisë. Për të mbërritur sot, te një drejtësi që ka ngecur dhe nuk po jep asnjë rezultat të dëshiruar e të pritur prej vitesh nga shqiptarët. Dhe sërish për këtë dështim, “Rilindja” nuk merr asnjë përgjegjësi. Madje ende fajëson palën përballë, e cila në tre vitet e fundit, nuk ka asnjë kontribut në mbarëvjatjen e procesit.

Praktikisht, këto 7 vite të qeverisjes së vendit nën mazhorancën socialiste të drejtuar nga kryeministri Rama mund të përkthehen në vetëm dy fjalë: Propagandë e papërgjshmëri. Asgjë më shumë e asgjë më pak!

* Autori i komentit është kryeredaktor i gazetës “STANDARD”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here