Mushka kulake…

0
142

Nga Agim Xhafka

(Tregimi i së dielës)

Në fshat,nga dritarja e shkollës e shihja shpesh Xhelën me tre mushkat e kooperativës. Nga që nuk kishte rrugë makinash transporti i çdo gjëje bëhej me kafshë. Edhe nafta e traktorit të vetëm,edhe kripa,edhe librat e nxënësve me këto kafshë silleshin që nga lokaliteti,aty ku i zbraste makina.
Por që me syrin e parë dukej që njëra mushkë ngarkohej dyfish. Gati rrëzohej kur ecte. I merreshin këmbët,por kamxhiku i Xhelës e forconte. Dy të tjerat si zonja. Pak ngarkesë,e ngjitnin malin me kokën lart.
Një ditë pyeta Xhelën për këtë çudi. Qeshi dhe tha veç tre fjalë.
-Ajo është kulake.
E mora si shaka. Kulak qe fjalë që përdorej për dikë që qeveria e kishte cilësuar armik.
-Mushkë kulake?-e pyeta.
-Po. Është e Canes,e atij që fliste poshtë e lart që po vdesim urie. Canen e futën në burg,mushkën ma caktuan mua për transport. Ngarkoje dyfsh,më tha kryetari i kooperativës. Merrja shpirtin! Ndaj po i nxjerr inatin e Canes,-shpjegoi ai.
Nuk dija ç’të bëja. Të flisja do më quanin dhe mua kulak. Në fakt kisha dëshirë ta rrihja Xhelën. Ika pa folur. Pashë syrin e mushkës kulake që më përshëndeti me beben zmadhuar. Më dhimbsej e më qahej për atë kafshë të mjerë. Ishin vite që edhe mushkat po e ndjenin luftën e klasave……
Pas dy vjtësh mushka futi në burg Nihatin,një djalë i ri,sapo kishte mbaruar teknikumin për gjeologji. Erdhi atyre anëve për të bérë praktikën në sondat që kérkonin qymyr. Po nuk mbushi javën. Erdhi Pirro,operativi i zonës dhe u mbyll te zyra e kryetarit të kooperativës bashkë me Lutfiun,inxhinierin e ekspeditës gjeologjike. Ndenjën orë e orë aty brenda po jo vetëm për punë. Shpesh hynte aty edhe Vjosa,kuzhinierja e mencës që u çonte ushqime dhe shishe me raki kumbulle. Kur u ngrys brenda ia filloi kënga. Ajo e zonës:”Bishtin e urës ç’ma kanë zënë…”
Kur po afrohej mesnata erdhën dy policët e lokalitetit. Mezi merrnin frymë nga malorja e fortë,por edhe nga barku madhosh që ata kishin. Djersë e uf uf bënin të dy. Në këto minuta doli Pirro nga zyra. U vu në krye të policëve dhe me hap ushtarak trokitën te dera e Yzeirit,aty flinte Nihati,gjeologu i ri 18 vjeçar. Doli Yzeiri me kanatiere leshi e flokët bubuzhel.
-Lajmero Nihatin,-i bértiti Pirro.
Po Nihati doli brof,pandehu se e thirrën nga sonda ekspeditës.
-Në emër të popullit je i arrestuar,-nuk e zgjati Pirro.
Policët i hodhën prangat dhe e vunë në mes.
-Pse?- belbëzoi i ngrati.
-Se dje ke ushqyer mushkën e Canes,mushkën e armikut. Madje i dhe bukë gruri kur populli ha kallamoq.
Qysh nga ajo ditë mushka u kthye në sëmundje. Askush jo që nuk i afohej,por nuk ia hidhte as sytë. Ndérsa kurrizin ia ngarkonin dyfish dhe kamzhikun nuk ia kursente Xhela. Kështu rrodhën muaj deri sa një ditë Petriti,veterineri,kaloi në depresion. Ia çoji Xhela për ta parë se syri i djathtë i qe bërë gjak i kuq. Pasi e vizitoi Petriti i dha ilaçe,ca pika lëng në sy dhe padashje e férkoi te qafa.
-Pse e përkëdhel? A e di që është mushka e Canes?-i bértiti Xhela.
Qysh atë çast Petritit i iku çerhja. As hante,as pinte,as flinte priste natën te dera Pirron me policët. Për muaj i iku mendja deri sa një mëngjes u hap lajmi se mushka qe rrëzuar në një greminë e kishte ngordhur. Fshati atë ditë sikur qe në festë. Petriti piu aq shumë sa edhe pas një jave ishte i dehur. Nuk i hyri kush ngjarjes se si mushka u gremis. Vetëm një ditë xha Saniu,te kolibja e rojeve,mes shumë vetave tha:
-Edhe majë shkëmbit ecin mushkat,nuk iu dridhet këmba kurrë.
Por nga që pasoi heshtje e ca burra vrapuan jashtë,xha Saniu ia priti:
-Po bëra shaka,o të uruar. E kisha për mushkat tona,jo për ato kulake,që thyejnë zverkun se nuk e dinë rrugën që na ka mësuar Sadiku.
Sadiku ishte sekretari i partisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here