“Vaksina kundër keqqeverisjes”

0
115

Ardit Gjinali

Keqqeverisja është e njëjtë në çdo vend ku ekzekutohet; nuk ka ngjyrë, ideologji, komb apo atdhe; e tilla shkatërron kombe, shtete, shoqëri, vret të ardhmen, zymtëson të tashmen dhe tenton të ngrejë një spirale amnezie për të harruar të djeshmen. Virusi i keqqeverisjes mbetet prezent në shumë realitete politike globale dhe ka të njëjtën fytyrë politike dhe qeverisëse që buron arrogancë, korrupsion, nepotizëm, papërgjegjshmëri e qëllimtë, megalomani dhe c’ka mbetet më e rëndësishme është mungesa e dimensionit njerëzor në qeverisje. Keqqeverisja është një virus që të ndalon të jetosh dhe të inkurajon të frymosh; pranimi i keqqeverisjes, heshtja përballë saj, nënshtrimi nga e njëjta është kompromisi i të frymuarit rutinor në autokraci përballë të jetuarit dinamik në liri. Keqqeverisja është vija ndarëse mes lirisë që humbet dhe autokracisë që tenton të instalohet si normalitet.

Shqipëria po lëngon sepse po endet mes dramës së hiçqeverisjes dhe tragjikes së keqqeverisjes. Fenomeni i keqqeverisjes është virusi më i rrezikshëm shoqëror që tenton infektimin e çdo qelize të shëndetshme shoqërore; qeliza që do të krijonin kundërtrupat e duhur për parandalimin e shtrirjes së të keqes. Shqipëria e sotme vuan , me një fytyrë të plakur si reflektim i largimit endemik të të rinjve; i zonave të tëra të banimit të zbrazura pavarësisht ngjyrave të dala boje me rënien e shiut të parë të së ashtuquajturës “Rilindje urbane’ ; i shkollave të zbukuruara në fasadë, por të boshatisura në nxënës; të qendrave shëndetësore dhe spitaleve të llamburisura në fasadë, por me infrastrukturë të vajtueshme dhe mungesë të theksuar të burimeve njerëzore, gjithashtu. Shqipëria vuan dhe vajton pa zë, në heshtje duke duruar dhimbjen e shkaktuar nga shtrirja e mëtejshme dhe pa mëshirë e metastazave të së keqes që duan ti verbojnë sytë, dyllosin veshët dhe ti shuajnë deri në pamundësi zërin e revoltës.

Sot ndjejmë ofshamën e qytetarit që ndjen përplasjen brutale në fytyrë të derës së institucionit të shtetit të njehsuar me pushtetin; të vuajtjes në kurriz të padrejtësisë e shkaktuar nga mungesa e trajtimit të barabartë përpara secilit segment shtetëror; fytyra e trembur dhe e ndrojtur nga pasojat e kundërshtimit të veprimeve arrogante të shtet-pushtetit.

Qeverisja e një enturazhi politik deledash që po gllabëron shumëçka në funksion të orekseve të pakontrolluara klanore të paraqitura si qeverisëse mund të konsiderohet si “Manuali i së keqes”; manual që dëshmon ekzaktësisht mënyrën si një vend nuk duhet të qeveriset. Deformimi i thellë i vullnetit qytetar dhe mungesa e kushteve politike të përshtatshme për shprehjen e lirë të të njëjtit janë parimet negative dhe regresive ku ngrihen themelet e keqqeverisjes; themele ku qëndron djallëzisht duke shtrirë tentakulat e paligjshmërisë, korrupsionit dhe autokracisë, gjithashtu. Ditët e keqqeverisjes që po jetojmë janë të zymta, pa thelb, pa formë, me demokraci të cunguar dhe fasadë të thelluar, me ekonominë që po groposet në filozofinë e borxhit të keq, me të rinjtë e pashpresë, me profesionistin e pavlerësuar, me pensionistin në mbijetesë ekonomike dhe vetmi njerëzore, dhe me Shqipërinë më të mpakur; – janë ditët e errësirës që mbulojnë dritën e gënjeshtërt që paraqitet si e vërtetë në propagandën zyrtare që paraqet realitetin e sajuar të Shqipërisë në versionin e neveritshëm shumëngjyrësh të 3-D. Ditët e Shqipërisë së sotme kanë vetëm një ngjyrë që nuk mbulohet dot nga shosha e propagandës së KryeKreut; grija e thellë e autokracisë dhe keqqeverisjes.

Sërish apeli për një bashkim të madh nuk mund të konsiderohet përsëritës sepse i tilli mbetet vaksina më e mirë që do të do të inkurajonte krijimin e kundërtrupave të shëndetëshëm që do të dekurajonin dhe largonin përfundimisht virusin e keqqeverisjes, do të ; një bashkim i madh përtej ndasive të momentit, egove personale ; një bashkim i madh që nuk pranon gjithçka, por tejkalon shumëçka; bashkim i madh për ditë më të mira, për një ndryshim thelbësor, për një qeverisje normale në një Shqipëri normale, gjithashtu. Bashkimi i madh për ditë më të mira është zgjedhja për të jetuar në liri dhe në emër të saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here