Rilindja e borxheve!

0
122
Nga Vehap Kola 

Shqipëria, thotë Revista Monitor, është duke e mbuluar defiçitin në tregtinë e jashtme me BORXH.

Defiçiti në tregtinë e jashtme krijohet kur importet e ekonomisë tonë tejkalojnë eksportet. Këtë çekuilibër ne e kemi patur përherë: Shqipëria importon mallra dhe shërbime nga jashtë shumë më shumë se ç’eksporton nga prodhimet dhe shërbimet e saj.

Një ndër efektet më të tmerrshme të këtij defiçiti është se ai na gllabëron paratë dhe e zhvlerëson monedhën tonë, duke i bërë importet shumë më të shtrenjta, duke rritur kostot e prodhimit dhe duke rritur edhe çmimet.

Pse?

Sepse duke eksportuar 3 lekë mallra dhe duke importuar 10 lekë, vlerën në euro/dollarë të 7 lekëve të diferencës nuk kemi nga ta sigurojmë.

Kompanitë që importojnë do të duhet të kenë rezerva në euro/dollarë ose t’i blejnë në treg me qëllim që të paguajnë furnitorët. Kur tregu nuk ka rezervë në valutë, atëherë presioni ndaj kursit të këmbimit shtohet dhe çmimi i euros dhe dollarit rriten.

Po si ia kemi bërë gjithë këto dekada me defiçit të madh tregtar?

Një pjesë të defiçitit na e kanë mbuluar dërgesat e emigrantëve. Pjesën tjetër e kemi mbuluar me investime të huaja direkte. Çfarë ka mbetur jemi detyruar ta mbulojmë me borxh të jashtëm.

Dërgesat e emigrantëve (remitancat) kanë lëvizur rrotull 1 miliard dollarëshit në vit. IHD-të e viteve të fundit i kemi marrë nga dy projekte të mëdha që na la trashëgim qeveria Berisha: TAP dhe hidrocentralet në kaskadën e Devollit. Ato u finalizuan si projekte, por qeveria Rama në 7 vite nuk mundi (apo nuk deshi?) të sillte ndonjë investitor serioz në vend. Që të mos mjaftoheshim me këtë varfërim, edhe ata investitorë që qenë ikën në Maqedoni, Mal të Zi etj pas rritjes së taksave në vitin 2014.

Pasi edhe emigrantët kanë mbetur pa punë prej pandemisë dhe investimet që na solli Berisha mbaruan, Ramës i ka mbetur vetëm një instrument për të financuar defiçitin tregtar: BORXHI. Atë është duke bërë: po merr borxh dhe po na çon drejt skenarit grek me shpejtësi të lartë.

Prandaj vraponte Berisha sa në Romë, sa në Athinë, sa në Ankara sa në Baku për të siguruar që TAP do të realizohej. Prandaj, ulja e taksave nuk është një politikë fiskale që favorizon të pasurit, por në fakt më shumë të varfërit. Prandaj, reformat që lehtësojnë të bërit biznes dhe favorizojnë investimet e huaja janë të domosdoshme, dhe jo PPP-të e shpurës së oligarkëve të oborrit.

Rama nuk ndërmori asnjë masë për mbështetjen e turizmit në këtë kohë të pandemisë. Shihni si shkojnë shqiptarët në Turqi, që ka bërë namin me paketa mbështetjeje që kompensojnë humbjet e operatorëve nga masa anti-COVID. Pra, as nga eksporti ynë më i madh, turizmi, mos prisni gjë sivjet.

Tani që ekonomia po vihet nën thembrën e borxhit, prisni që çmimet të rriten, më shumë njerëz të bien nën vijën varfërisë dhe financat publike të dështojnë. Mund të mbeteni edhe pa rroga ju që punoni në sektorin publik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here