Nuk mund të të njihet një dhimbje personale kur mohon një dhimbje kombëtare…

0
122

Nga Elona CASLLI

Para dy ditësh Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nga foltorja e parlamentit, përmes figurës së babait të tij, na kujtoi as më pak e as më shumë veçse dobinë e komunistëve dhe raportin e drejtë që kishin pasur këta të fundit me historinë.

Nuk pritet nga Kryeministri i Shqipërisë të mbajë përgjegjësi për firmën e babait të tij në varjen e poetit Havzi Nela. Përgjegjësia fillon dhe mbaron tek i ndjeri Kristaq Rama.

Nga Kryeministri i Shqipërisë pritet të njohë dhimbjen dhe traumën kombëtare që shkaktoi diktatura në Shqipëri. E në respekt të kësaj dhimbjeje mos ta përjetojë publikisht dhimbjen e tij personale.

Të deklarosh që komunizmi ka qenë i dobishëm sepse ke pasur babanë komunist, kjo do të thotë që llogaritë t’i bësh duke u bazuar në përvojë personale dhe jo në përvojë kombëtare.

Kjo mund t’i lejohej një njeriu të rëndomtë dhe pa përgjegjësi publike, por kurrsesi një individi që mban pozicionin e Kryeministrit në një vend.

Në rastin kur Kryeministri i Shqipërisë bën një pohim i tillë, i internon, i arreston, i përdhunon dhe i vret për të dytën here viktimat e atij sistemi duke mos e njohur dhimbjen e tyre, ose e thënë ndryshe duke e mohuar ekzistencën e saj.

Kryeminstri i Shqipërisë ka plotësisht të drejtë, të ketë përjetimin personal me babanë e tij dhe ta përjetojë kujtimin e tij privatisht, por kurrsesi publikisht apo nën pozicionin e Kryeministrit të Shqipërisë.
Edi Rama mund t’i thurë homazhe babait të tij në faqen e tij si qytetar i thjeshtë.

Kryeministri Rama nuk mund t’i bëjë homazh figurës së Kristaq Ramës, për sa kohë ky i fundit ka firmosur varjen e një poeti në faqen e Kryeministrit, pasi është mohim i viktimave dhe i dhimbjes së tyre.

Kryeministri Rama, shquhet për mohimin e dhimbjes kombëtare dhe në kohë, kur vendi mund të jetë ulur këmbëkryq nga fatkeqësia natyrore.

Më të njëjtën lehtësi që Kryeministri Rama pohoi figurën e lartësuar të babait dhe dobinë e komunizmit në këtë vend, po aq me lehtësi organizoi edhe promovimin e filmit “ I Love Tropoja” kur shqiptarët të traumatizuar gdhiheshin dhe ngryseshin nëpër çadra dhe vazhdojnë ende të jetojnë atje.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ithtarët dhe ngushëlluesit e tij të devotshëm, duhet të kuptojnë se nuk mund të të njihet një dhimbje personale kur ke dhënë një serial provash të mohimit të dhimbjes kombëtare.

Dhimbjen personale të Kryeministrit në detyrë shqiptarët e ndiejnë të huaj sikundër Kryeministri në detyrë ndien të huaj errësirën gjysmë shekullore dhe kurbanet e saj.

Post Scriptum- Është tragjike, por duhet pohuar se shqiptarët e ndiejnë të huaj Kryeminstrin e tyre, po aq sa ky i fundit e ndien të huaj popullin e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here