Për Edi Ramën, asnjë iluzion

0
105

Nga Luan Rama

 

Edi Rama po e shtyn veten, dhe bashkë me veten po i shtyn edhe gjithë të tjerët, të përdorurit dhe të shpërdorurit prej tij, në aventurën e ndryshimit të njëanshëm dhe provokativ të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Përndryshe, Edi Rama do të dëshmonte se është një njeri normal.

E bashkë me dëshminë se është një njeri normal, Edi Rama do të na dëshmonte se edhe ata të tjerët, tufa e të përdorurve dhe tufëza e të shpërdorurve, përbëhen prej njerëzish normalë.

Por e vërteta është ndryshe.

As ai vetë dhe as ata, ata të tufës dhe ata të tjerët, të tufëzës, nuk janë njerëz normalë.

E m’u për këtë arsye, ata po e shkelin Kushtetutën siç e kanë shkelur edhe pa këto ndryshimet që po i diskutojnë në projektin e tyre, krejt në kundërshtim me marrëveshjen politike për reformën zgjedhore, që u udhëhoq me aq këmbëngulje dhe konsistencë shembullore prej zonjës ambasadore të SHteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, por edhe prej zotërinjëve ambasadorë të Bashkimit Europian dhe të Mbretërisë së Bashkuar, dhe që pas nënshkrimit prej të katër përfaqësuesve të faktorëve politikë, u përshëndet edhe prej vetë Sekretarit amerikan të Shtetit, zotit Mike Pompeo, një rast pothuaj i veçantë kur shefi i diplomacisë amerikane përshëndet një marrëveshje ndërpartiake, sikundër e quajti ai.

E po ashtu, marrëveshja u përshëndet edhe prej shumë përfaqësueve të lartë të Bashkimit Europian.

Edi Rama po e shtyn veten, dhe bashkë me veten po i shtyn edhe të tjerët, tufën e të përdorurve dhe tufëzën e të shpërdorurve, kundër çeljes së negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.

Përndryshe, Edi Rama do të na dëshmonte të kundërtën e asaj që është e vërtetë; se ai asnjëherë nuk ka punuar në krye të qeverisë për integrimin europian të Shqipërisë.

Prandaj, edhe kjo që po tenton të bëjë Edi Rama bashkë me të përdorurit dhe të shpërdorurit prej tij, është dëshmia e një pune kundër interesave europiane të Shqipërisë.

Edi Rama e të tjerët pas tij, tufa e të përdorurve dhe tufëza e të shpërdorurve, qëllimshëm dhe me vetëdije po i kundërvihen çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

E m’u për këtë arsye, Edi Rama po e shtyn veten kundër marrëveshjes që vetë e pranoi.

Dhe bashkë me veten e tij, Edi Rama po i shtyn kundër marrëveshjes së nënshkruar me 5 qershor, pas ditësh e orësh të tëra pune nën mbikqyrjen dhe asistencën e kujdeshme të zonjës ambasadore të SHBA në Tiranë dhe të zotërinjëve ambasadorë të Bashkimit Europian dhe të Mbretërisë së Bashkuar, edhe ata të tjerët; ata pa emër, pa fytyrë, pa ngjyrë, pa asgjë që të mund t’i bëjë të dallueshëm e të përveçuar, ata të tufës dhe ata të tjerët, të tufëzës.

Përndryshe, Edi Rama do të na dëshmonte të kundërtën e asaj që në fakt është e vërtetë; se ai nuk është njeri që iu qëndron marrëveshjeve.

Prandaj, edhe kjo që po bën Edi Rama bashkë me ata të përdorurit, dhe ata të tjerët, të shpërdorurit prej tij, është dëshmia e veprimit kundër marrëveshjes, është dëshmi e pabesisë dhe e ligësisë së tyre.

Sepse interesi i parë për ta, është interesi i pushtetit të tyre, i pushtetit kundër shtetit, i pushtetit kundër Kushtetutës, i pushtetit kundër qytetarëve, i pushtetit kundër demokracisë!

Për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur dhe zbatuar marrëveshjen, për të mbrojtur rrugën e integrimit europian të vendin dhe për t’i çelur udhë përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë, opozita duhet të thërrasë në ndihmë popullin!

Për Edi Ramën, asnjë iluzion!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here