Me rrëzimin e Reformës Zgjedhore, Rama pranon humbjen e zgjedhjeve

0
120

Nga Mili Xhani

Një pjesë e oborrit politiko-mediatik të Rilindjes është ekzaltuar nga lëvizja e fundit e Edi Ramës për të rrëzuar marrëveshjen me opozitën reale dhe për të ndryshuar Kushtetutën sipas tekave të tij. Akti i Edi Ramës është i ngjashëm me një grusht shteti, që nëse do të zbatohet, do të sjellë një kaos politik dhe zyrtarizmin e një regjimi, në të cilin nuk kanë më vlerë zgjedhjet si proces demokratik. Megjithatë, njerëzit afër kryerilindasit po e shohin këtë hap të rrezikshëm si një lëvizje të zgjuar të shefit të tyre. Ata i trembën një reagimi amerikan dhe nga BE e sidomos nga Gjermania.

Të gjithë thonë se marrëveshja mes PD dhe PS në vitin 2008, kundër të cilës pati dhe greva urie, solli krizat e njëpasnjëshme dhe degradimin e zgjedhjeve. Këtë e thonë edhe vetë demokratët që firmosen dikur ndryshimet Kushtetuese me Edi Ramën. E pra, nëse ajo marrëveshje goditi demokracinë e brendshme të partive dhe i dha kryeministrit superfuqi ligjore, kjo që po tenton Edi Rama sot është dhe më e keqe se pakti i vitit 2008. Në 2008 Kushtetuta u ndryshua nga PD dhe PS, një vendim që edhe pse ishte tejet i gabuar, ishte i ligjshëm dhe i marrë nga një parlament normal. Sot kushtetuta po tentohet të ndryshohet vetëm nga PS dhe kjo është kthim në totalitarizëm. Sepse askush nuk e beson se Rudina Hajdari, Edmond Stojku dhe ferrat të tjerë në Parlament kanë ndonjë peshë elektorale. Është nismë e PS, po hidhet në diskutim nga PS dhe produkti do të jetë më i rrezikshmi në historinë e 30 viteve. Partia në pushtet po ndryshon ligjin themelor të zgjedhjeve duke shkatërruar zgjedhjet dhe duke tentuar eliminimin e opozitës së vendit. Deri më sot është quajtur e gabuar ndryshimi i Kushtetutës vetëm mes dy partive dhe pa pyetur qytetarët. Rama e tejkaloi edhe këtë fazë, po e ndryshon vetëm, pa asnjë konsensus minimal me opozitën, pa llogaritur fare qytetarët dhe duke anashkaluar ndërkombëtarët. Në mënyrë, gati të papërgjegjshme, thonë se po vendosin për listat e hapura dhe ndalimin e koalicioneve sepse kështu tregojnë sondazhet e qytetarëve!

Sondazhet tregojnë realisht diçka tjetër; që Rama humbet thellë në zgjedhje përballë koalicionit opozitar.

 

Në ç’vend të botës është parë që Kushtetuta ndryshohet me sondazhe? Nëse shtetit drejtohet kështu, atëherë sondazhet prej tre vitesh thonë se Edi Rama vodhi zgjedhjet, qeveria është e korruptuar dhe duhet të ikë. Le ti lexojnë dhe këto sondazhe dhe tu binden vullnetit të qytetarëve dhe të ikin.

Zërat dhe zarat afër Rilindjes po e shohin aktin e Ramës si shprehje e legjitimitetit të qeverisë së tij dhe siguri në fitore. Në fakt është e kundërta, loja e fundit Edi Ramës përveç frikës personale është treguesi më i qartë i humbjes së Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Një parti që mendon se ka shumicën nuk hedh poshtë gjithë këshillat ndërkombëtare dhe i bën vet rregullat e lojës. Vetëm kur një parti e di që nuk fiton dot, prish gjithë ligjet që sigurojnë garë të ndershme dhe nxjerrë nga loja kundërshtarin. Nëse kryeministri i duket lojë e zgjuar sabotimi i reformës zgjedhore, socialistët që votojnë pa interes për PS dhe përbëjnë shumicën e votave të saj, me lëvizjen e kryeministri kanë parë humbjen. Në qëndrimet e kryetarit të tyre lexuan se tashmë kanë një kryeministër që nuk mendon si të fitojë zgjedhjet, por si ti shpëtojë kokën, pas zgjedhjeve. Në këtë pikë, të gjithë e dinë se nuk ka më fushatë dhe as ambicie të ligjshme për mandat të tretë nga PS. Ka vetëm pazare, shantazhe dhe votime, të cilat që në nisje janë krim elektoral.

Edi Rama po kërkon të përsërisë atë që ndodhi më 30 qershor 2019 duke tentuar eliminimin e kundërshtarëve. Mesa duket, këtë herë i ka bërë llogaritë gabim. Nëse vijon të këmbëngulë në ndryshime Kushtetuese nuk do të marrë më qafë vetëm veten, por të gjithë ata që e ndjekin pas në këtë marrëzi.

Udhën drejt humnerës politike Edi Rama e ka shtruar bukur, si fundi i atyre që fantazojnë në ringjallje, por që dihet se si është përfundimi!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here