Ish-Presidenti Topi: Çdo alibi për mos zbatimin e rekomandimeve të “Venecias” dëshmon se reforma në drejtësi komandohet politikisht

0
93

Ish-Presidenti i vendit Bamir Topi flet në një intervistë për “Standard” mbi disa çështje të rëndësishme që prekin rrugëtimin evropian të vendit dhe të ardhmen e tij. Topi komenton opinion final të Komisionit të Venecias për ccështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, ku pohon se politika duhet të relaksohet dhe të japë udhë për rekomandimet dhe ti japë jetë zbatimit normal të Reformës në Drejtësi. Sipas tij: “Çdo alibi mbi këtë marrëdhënie jo vetëm shton problemet, besueshmërinë në raport me Venecian e mbi të gjitha dëshmon se Reforma në Drejtësi komandohet politikisht”.

Po ashtu në intervistë, ish-Presidenti komenton edhe qënndrimin ndërkombëtar mbi vendin, ku rezolutën e Parlamentit Evropian e cilëson si të rëndë ndërsa thekson se: “nuk shoh preokupim tek ata që kanë fatet e ligjet në dorë”.

Një tjetër temë që trajton ish-Presidenti është edhe ajo e problemeve ekonomike, ku sipas tij pandemia sigurisht e ka rënduar më shumë, por nuk mund të jetë shkaku. “Ekonomia jonë ka probleme të forta me orientimin drejt prioriteteve, problem strukturore dhe menaxhimin korrekt të të ardhurave. “, pohoi Topi.

 

 INTERVISTA

Cili është vlerësimi juaj mbi opinionet përfundimtare të Komisionit tëVenecias mbi çështjen që krijoi një përplasje të fortë institucionale në vend, sicishte ajo për emërimet në Gjykatën Kushtetuese? A mendoni se tashmë reformanë drejtesi po merr drejtimin e duhur?

 

Në një shtet normal demokratik të gjitha çështjet apo përplasjet midis institucioneve gjejnë përgjigjen tek një institucion kushtetues pas vendimeve të të cilit secili ka detyrimin për ta zbatuar. Në Shqipëri në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese është thirrur për ndihmë Komisioni i Venecias, i cili ka ardhur, ka marrë çështjet dhe faktet dhe është tërhequr për analizë dhe gjykim.Tanimë  kanë dhënë opinionet dhe ato duhen zbatuar. Çdo alibi mbi këtë marrëdhënie jo vetëm shton problemet, besueshmërinë në raport me Venecian e mbi të gjitha dëshmon se Reforma në Drejtësi komandohet politikisht. Për të gjitha këto politika duhet të relaksohet, të japë udhë për rekomandimet dhe ti japë jetë zbatimit normal të Reformës në Drejtësi aq e mirëpritur dhe e dëshiruar nga opinioni publik.

 

Parlamenti Evropian kreu një votim, të papreçedentë në aktivitetin e tij,   ku   u   zyrtarizua   rezoluta   me   15   kushtet   ndaj   Shqipërisë,   për   nisjen   e negociatave me BE.” . Nga ana  tjetër në  Komisionin e  Punëve të  Jashtme në Parlamentin  Europian,   eurodeputetët   ngritën   një   sërë   shqetësimesh   për Shqipërinë, duke nisur nga mos ndëshkimi i krimit zgjedhor me rastet në Shijake Dibër e deri te problemet me ligjet për median. Si e komentoni këtë qëndrim të ashpër ndërkombëtar mbi ekzekutivin?

 

Sigurisht që qëndrimi  i  Parlamentit  Europian  është dukshëm  i ashpër për Qeverinë në rradhë të parë, por edhe për politikën dhe institucionet e Shqipërisë, pasi kjo gjendje ka ardhur hap pas hapi dhe jo brenda një dite. Personalisht nuk kam pritur PE dhe BE të marr vesh se çfarë ndodh në vendin tim me zgjedhjet në proçesin e votimit. Këtë e dëshmojnë prej vitesh të gjithë, madje disa e kanë provuar mbi kurriz, të tjerë kanë gëzuar pushtet të pamerituar, duke u krenuar se çfarë i kanë bërë votës së qytetarëve. Në këtë proçes në vite shumë njerëz janë demoralizuar   dhe me koshiencë  kanë  braktisur  votimin si instrument demokracie duke ja lënë fushë të lirë arkitekteve dhe zbatuesve të projektit të marrjes së pushtetit nëpërmjet ndërtimit të Ligjit Zgjedhor sipas interesave të disave, të bashkëpunimit me profile kriminale për të fituar zgjedhjet.Vërtetë akuzat janë të rënda ndërsa kushtet shtohen, por nuk shoh preokupim tek ata që kanë fatet e ligjet në dorë. E njëjta indiferencë që paralajmëron se nuk i kanë thirrur mendjes duke qenë të gatshëm për të manipuluar sërish por në një formë të re.

 

 

Palët mundën të arrinin më në fund konsensusin në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore. Por ndërkohë marrëveshja ende mbetet e rrezikuar përshkak të qëndrimit të opozitës parlamentare që kërkon ndryshim sistemi dhendalimin e koalicioneve parazgjedhore. Si e komentoni këtë çështje?

 

Pjesa  që vazhdon  të na bëjë qesharakë është se ne padashur pranojmë që politika dhe jo institucionet  kanë vlerë në Shqipëri. Sot ka një realitet që e provon këtë gjë. Nëse do pranojmë që ligjet i miraton Kuvendi, çfarë hyn këtu një instrument politik ekstra institucional? Nëse është pranuar të funksionojë ky Këshill Politik a është marrë parasysh se janë disa të tjerë në Kuvend që kanë të drejtën e votës. Sipas meje edhe një herë i është dhënë mundësia Kryeministrit të këtë të drejtën e përdorimit të alibisë për të luajtur ndryshe politikisht dhe diplomatikisht dhe ndryshe në  Parlament  ku realisht  vlen  pushteti i  votës. Për këtë bëj me faj opozitën që doli nga   Kuvendi  dhe  mungesën  e qartësisë në bisedime me Qeverinë duke i kushtuar rëndësi teknikaliteteve dhe jo gjërave përmbajtësore. Siç shihet loja tani po bëhet në Kuvend dhe atje do të vendoset.

 

Shifrat e borxhit publik, sipas të dhënave nga Institucionet ndërkomëbetare, kanë arritur majat. Ndërkohë vendi pas pandemisë po vuan pasoja të rënda, kryesisht te bizneset që po falimentojnë në masë. Ku po gabon ekzekutivi sipas jush dhe cilat duhet të jenë hapat që duhen ndjekur për të dalë nga situata e krizës?

 

Problemet me ekonominë shqiptare tregojnë qartë se gjithkush e drejton nuk mund të na thotë se  në  çfarë  drejtimi po shkon ajo. Mungesë vizioni e konfuzion, janë  tiparet që shfaq drejtimi   politik në ekonominë kombëtare. Pandemia sigurisht e ka rënduar më shumë, por nuk mund të   jetë shkaku. Ekonomia jonë ka probleme të forta me orientimin drejt prioriteteve, problem strukturore dhe menaxhimin korrekt të të ardhurave.

Ende problem madhor që lidhet  drejtpërdrejtë me ekonominë mbetet  prona. Edhe sot po punohet me qëllime preferenciale e pikërisht aty ku janë interesat e një grupi të vogël njerëzish. Për një vend të vogël si Shqipëria përbën një faj të rëndë që prona në zona të ndryshme trajtohet ligjërisht ndryshe. Ndryshe pronat në fshatra pa interes zhvillimi, ndryshe në zona urbane, ndryshe në bregdet dhe sigurisht kohët e fundit një vëmendje e veçantë për pronat në bregdetin e Jonit. E kam thënë vazhdimisht se nuk ka ekonomi të qendrueshme pa stabilizimin e çështjes së pronës dhe nuk ka integrim në BE pa zgjidhur këtë problem madhor. Kjo është arsyeja pse ka abuzivizëm në çështjen e pronave ku pronarët e ligjshëm janë diskriminuar, ndërsa klientët e Qeverisë shpërblehen me 1 euro.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here