“Problemi nuk është virusi”, Sallabanda me kritika të ashpra: Ku u gabua me COVID-19 në Shqipëri…

0
96

Mjeku Kita Sallabanda në një intervistë për ABC News” u shpreh se virusi me ardhjen e temperaturave të larta ka humbur virulencën dhe në pjesën e Evropës në të cilën u morën masa po infekton më pak njerëz.

Në Shqipëri sipas tij lirimi nuk u bë në mënyrë të shkallëzuar dhe kjo ka sjellë një rritje të sëmurëve.

Ai shtoi se dy vendet që kanë pasur numrin më të lartë të  prekurve, Spanja dhe Italia ka një rënie drastike, ndërsa në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Sipas mjekut nuk është problemi i virulencës së virusit, por kjo situatë duhet zgjidhur me masat që duhet të ndërmerren.

“Dy vendet që kanë pasur më shumë të sëmurë si Spanja dhe Itali ka një rënie drastike të sëmurëve më COIVD-19. Në Shqipëri kemi pak a shumë të njëjtat numra. Kjo do të thotë se nuk është problemi i virulencës së virusit, por duhet zgjidhur me masat që duhet të ndërmerren.

Virusi ka humbur virulencën në pjesën e Evropës në të cilën u morën masa. Në Shqipëri unë mendoj që masat që u morën, pra lirimi, nuk u bë në mënyrë të shkallëzuar dhe kjo ka bërë që të kemi rritje të numrit të sëmurëve. Por ajo që unë kam thënë qëndron, pra virulenca ka rënë dhe në të gjitha vendet e Evropës ka rënie drastike të numrit të infektuarve, me përjashtim të Shqipërisë”, sqaroi mjeku.

Gjatë intervistës Sallabanda u shpreh se lirimi i masave duhej bërë në mënyrë graduale.

“Lirimi i masave duhej bërë në mënyrë graduale. Njëkohësisht duhet të merreshin masa për fluksin, që spitalet në Shqipëri të mos bëheshin burim infeksioni. Spitalet në Shqipëri janë kthyer në qendra infeksioni, dhe kjo është një nga kritikat e mia.

Çështja e mbajtjes së maskës në rrugë është me rëndësi. Në Shqipëri nuk bëhet në mënyrë masive. Në Shqipëri u veprua shumë mirë në fillim, por lirimi i masave duhet të bëhej me më shumë inteligjencë. Keni një problem shumë të madh, ditën  e djeshme BE po diskutonte për çështjen e lejimi të vendeve që do të lejojnë të futen në BE.

Ata do të pengojnë ato vende që kanë të sëmurë një numër të konsiderueshëm për 100 mijë banorë. Është e mundur që Shqipëria të ngelet në atë grupin e vendeve që nuk mund të futen në Evropë, ky është një problem shumë i madh për shqiptarët”, deklaroi Sallabanda.

Pjesë nga intervista: 

Çfarë duhet të bëjë Komiteti teknik?

Sallabanda: Duhet të merren masa. Njerëzit në Shqipëri duhet të mbajnë maska. Nëse ju nuk do të arrini të ulni numrin e të infektuarve për 100 mijë banorë, është shumë e mundshme të qëndroni në atë grupin e vendeve që nuk mund të futen në BE.

Kohët e fundit Federata e Mjekëve Shqiptarë të Evropës ka bërë një deklaratë që kërkon të sensibilizojë opinionin publik shqiptar për çështjen e masave individuale dhe do të vendosen në dispozicion të këtij Komisioni Teknik që të diskutojnë për masat që mund të merren që Shqipëria të mos jetë në grupin e vendeve të stigmatizuar. Ti vendosin atë njollën, që nuk mund të dalësh apo të futesh në Shqipëri. Komiteti Teknik këto gjëra duhet t ‘i ketë të qarta pasi pasojat sot do të jenë vërtet të dëmshme për vendit.

Në fillim u tha se testet e gjakut do të shtriheshin më gjerë në popullatë. Kjo gjë nuk ka ndodhur, si e shpjegoni këtë?

Sallabanda: Është një nga gjërat bazike të dimë sot, pasi mbi 50 % e të sëmurëve më COVID-19 nuk kanë shenja klinike.Ne duhet të shtrijmë numrin e testimeve, tamponit që të dimë gjendjen e situatës aktuale dhe për të marrë masa ku ka qendra infeksioni.

QSUT duhet t’i bëjë në mënyrë masive të gjithë personelit shëndetësor testet, tamponet. Ne sot këtu ku unë jam bëjmë mbi 5 mijë teste në ditë dhe kjo na ndihmon të vizualizojmë qendrën. Testimet janë gjithmonë të rëndësishme për të ditur se çfarë po ndodh dhe për të masë masa mbrojtje dhe në këtë drejtim mendoj që Shqipëria ka ngelur mbrapa. Sot e kësaj ditë akoma kemi shifra më të mëdha në Shqipëri dhe po marrim masa.

Qeveria shqiptare duhet të punojë për të eliminuar vatrat. Për të eliminuar këto vatra qendrat duhet të forcohen.Të forcohen konceptet e kontrollit individual kolektiv, të lehtësohet puna nga shtëpia që të mos ketë grumbullime.

Nëse flasim për spitalet dua të bëj një kritikë shumë të fortë, më vjen shumë keq që qendra Universitare Spitalore të kthehet në qendër infeksioni, kur unë kam një spital me po aq të sëmurë dhe kemi rregulla shumë të forta dhe nuk kemi infeksione brenda në spitale.

Çfarë duhet të bëjë më konkretisht Komiteti Teknik veç masave dhe këshillave teorikë që jepen çdo ditë në Shqipëri?

Sallabanda: Të gjitha administratat shtetërore apo private që kanë mundësi duhet të punojnë në shtëpi.

Duhet të merren masa drastike për kontrollin e infeksioneve spitalore.

Mendoj që duhet të bëhet e detyrueshme me ligj mbajtja e maskave në rrugë, nëse nuk sigurohet distanca 1.5 metër.

Si e shpjegoni numrin e lartë të personave, jo vetëm të infektuar, por që kërkojnë trajtim spitalor, me shenja të forta klinike?

Sallabanda: Edhe kjo po ndodhe e kundërta. Me të dhënat që kam në Spanjë, nuk kemi pothuajse shtrime me COVID-19 në spitale. Dhe e kundërta po ndodh në Shqipëri, diçka nuk funksionon atje, dhe për këtë duhet të merren masa të forta.

Sepse si është e mundur që nuk kemi me pneumoni nga COVID-19, apo shtrime në reanimacion. Nuk kemi të sëmurë të rinj. Si është e mundur që në Shqipëri kjo është shtuar. Ka diçka që nuk shkon, përderisa nuk është e njëjtë me situatë në vende të tjera të Evropës, duhet të merren masa patjetër.

Kjo lidhet vetëm me masat apo virusi ka pësuar mutacion?

Sallabanda: Virusi është i njëjtë dhe me të njëjtën virus kemi situata të ndryshme, kjo tregon që nuk është virusi problemi, por janë masat administrative problemi. Po të kishte këtë mutacion virusi, do ta kishhte bërë edhe në Francë, Spanjë,Itali… Dhe këto situata nuk janë. Mos ia hidhni fajin virusit.

Virusi aktualisht sipas të gjitha të dhënave në laboratorë ka një intensitet më të pakët infektimi. Problemi është çfarë masash po marrim për ta kontrolluar këtë virus. Për mua është shumë të abuzosh me rritjen e agresivitetit të virusit, pasi do të ishte i njëjtë edhe në Spanjë.

Nisur nga mënyra se si po veprohet në Shqipëri më COVID-19. Si e parashikoni të ardhmen?

Sallabanda: Besoj që Shqipëria ka njerëz të mençur, kapacitet, epidemiologë shumë të mençur që të gjithë baskë do ta zgjidhin këtë situatë. Nëse flasim në global diskutimet janë nëse do të ketë një fazë të dytë apo jo.

Por di të them që sot dimë më shumë për virusin. Pra edhe nëse do të kemi një valë të dytë ne do të dimë ta kontrollojmë. Mendoj që ajo që kemi kaluar nuk do të përsëritet dhe situata në mënyrë graduale do të kontrollohet.

Në Shqipëri kemi numra më të lartë të personave që kanë humbur jetën, kemi edhe mosha të reja. Një vajzë 34-vjeçare ka humbur jetën.

Sallabanda: Është e vërtetë se në Shqipëri u bënë në mënyrë të gabuar masat liruese. E përsëris që masat në fillim ishin të mira, por  më pas u liruan në mënyrë jo të mençur. Situata në Shqipëri nuk mund të bëhet shembull për situatën në të gjithë botën sepse nuk është ashtu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here