Rikthimi i dhunës për “biografi të keqe”

0
128

AGRON GJEKMARKAJ Agron-Gjekmarkaj

Policia nuk interpreton moralin dhe nuk merret me biografi, pos në diktaturë. Ajo nuk vepron kundër vesit në emër të virtytit, pos në regjime Ajotollahësh. Drejtori i Policisë nuk e justifikon dhunën e efektivëve të tij ndaj fëmijëve me sjelljet publike të prindërve. Interpretimi i moralit nuk është tagri, por abuzimi i saj. Detyra e Policisë është të garantojë rendin publik dhe të luftojë krimin në përputhje me ligjin. Prej kohësh, segmente të Policisë së Shtetit tonë, me fizionomi bozhibozuke, po shfaqen si skuadristë dhe si rrahës publikë. Gjuha e urrejtjes e ministrit të Brendshëm po materializohet në dhunë ndaj qytetarëve dhe ndaj protestuesve apo kundërshtarëve të qeverisë. Tronditëse ishte rrahja e 15-vjeçarit nga një grup policësh te Kodrat e Liqenit, pak ditë më parë, si prelud i dhunës në ditën kur shembej Teatri Kombëtar. Pat reaguar plot dhimbje e pezëm nëna e adoleshentit. Nuk u mbështet nga gratë në politikë apo në shoqëri, nga shoqatat jo e jo!

Nuk e di si do të ndihej ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nëse Policia do t’i trajtonte ashtu fëmijët e tyre. Ngjarjet e këqija në vendin tonë mbulojnë njëra-tjetrën, kështu që efekti ndaj djaloshit të keqtrajtuar erdhi duke rënë, deri dje që Ardi Veliu na la pa tekst. Numri një i Policisë u shfaq para Komisionit të Sigurisë në Parlament me një video ku gjykonte familjen e fëmijës dhe nënën e tij. Një gjest i papranueshëm, një agresion i paprecedent i etikës publike, një tejkalim i çdo sinori ligjor, një fyerje e madhe pas dhunës për djaloshin dhe familjen e tij. Kryepolici kishte gërmuar në biografi për të justifikuar postum dhunën. Askush nga të “tredhurit” nuk i tha një fjalë. Më vonë u mor vesh se nëna e djalit ishte aktore dhe se pamja ishte sekuencë e një filmi.

Po, edhe sikur kështu të mos ishte, ky është komprometim flagrant i funksionit të postit publik. Filmin po e realizon Policia. Ardi Veliu na tha dje, praktikisht me atë demonstrim, që Policia rreh ata që i gjykon të këqij, fëmijët me biografi të keqe, me familje të mbrapshta. Nesër, të tjerët që trazojnë pushtetin apo mbrojnë votat.

Prej shumë muajsh, Kryeministri dhe shpura e tij po flasin për ligjin KÇK (kap ça të kapësh), ku tentohet që Policia të përgjojë si t’i teket e kë t’i teket, me vullnet e përzgjedhje të Ardi Veliut e vartësve të tij. Sot e kemi të gjithë të qartë parimin si vepron Kryepolici dhe Policia që udhëheq ai, mënyrën dhe kriteret dhe si përdoret gënjeshtra, ky mjet që justifikon qëllimin për dhunë e terror si funksion politik. Në Shqipëri, pa rënë në moralizim, mund të themi se turpi e ligji kanë vdekur njëkohësisht. Po të ishim një vend demokratik e sadopak normal, tanimë Kryeministri do ta kishte shkarkuar Kryepolicin dhe së bashku me ministrin e tij, që na darovit me kërcënime e dhunë publike, duhej t’i kishin kërkuar falje djaloshit, nënës së tij dhe opinionit publik. Por jo, këta janë hundëderra, nuk kërkojnë falje se gazetarët i shajnë se nëna i ka paditur në Gjykatë! Mërzitet kjo frotë e skotë!

Shikoni ç’po ndodh në Minesota pas vdekjes në polici të një afro-amerikani, qyteti është në flakë e trazira. Presidenti Trump i shkruan letër familjes dhe kërkon falje në emër të shtetit e kombit amerikan!

Pikërisht ai President, që u thirr turpi i civilizimit nga Kryeministri ynë, që me gjasë nuk e njeh as cilivizimin, as turpin! Në Shqipëri, dorëheqja nuk jepet, ajo imponohet. Kur zyrtarët e shtetit sillen si banditë, qytetarët duhet të sillen si të tillë (si qytetarë, të mbrohen)! Të gjithë, herët a vonë, jemi të rrezikuar nga banditët. Ata na gjykojnë ne dhe familjet tona në jemi të moralshëm apo jo! Policia politike po bën dhunë politike e verbale, me predikime morale të rreme. Kur i pari i rendit publik gënjen dhe manipulon kaq bujshëm me një film, çfarë duhet të mendojmë për kanabisin, trafikun e qindra ngjarje të tjera që ndodhin çdo ditë!

Gënjeshtra e dhuna janë dy faqet e kësaj qeverie që na bën tërbiet me të tillë zaptije! Edi Rama na zhgënje një herë të vetme për arsye poetike. Le të besojmë se monstra e pushtetit nuk e ka shndërruar njeriun në mostër, aq sa të përligjë e pranojë çdo gjë si kjo e djeshmja.

Këtë ditë të majit mësuam se linçimi publik është më i tmerrshëm se ai fizik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here