Eksperti i arsimit zbardh skandalin: Si u punësua shtetasi gjerman Knut Fleckenstein në Kuvend, me apo pa njehsim diplome?!

0
248

 Nga Albano ZHAPAJ

Shtetasi gjerman Knut Fleckenstein, Kuvendi i Shqipërisë dhe njehsimi detyruar i diplomave të huaja për të punësuarit në Republikën e Shqipërisë.
Të nderuar miq,
Duke kërkuar ndjesë që po shkruaj kaq gjatë, pasi nuk kam kohë të shkruaj shkurt, po ju bëj një sqarim profesional për mënyrën e punësimit në Republikën e Shqipërisë të shtetasve të huaj, apo shqiptarë, që kanë kryer studime në institucione të huaja të arsimit.
Shtysë u bë lajmi se shtetasi gjerman Knut Fleckenstein është punësuar në një detyrë të rëndësishme shtetërore pranë Kuvendit të Shqipërisë, dhe natyrisht që jemi kuriozë të dimë nëse shtetasi gjerman Knut Fleckenstein i ka njehsuar diplomat e tij (nëse i ka) pranë Ministrisë së Arsimit, apo jo,
Kuvendi i Shqipërisë a i ka verifikuar dokumentacionin arsimor këtij personi, apo jo, dhe kjo edhe për respekt të gjithë atyre vajzave e djemve nënash që kanë përfunduar studimet jashtë vendit dhe e dinë ç`kanë hequr zyrave të Ministrisë së Arsimit për të njehsuar diplomat.
Nga informacionet publike që qarkullojnë në internet mbi shtetasin gjerman Knut Fleckenstein, thuhet se nuk e ka arsimin e lartë, por le të marrim të mirëqenë që e ka dhe të vazhdojmë me arsyetimin e filluar.
Kushdo shtetas shqiptar dhe i huaj ka të drejtë të vetëpunësohet apo punësohet në Republikën e Shqipërisë. Për shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë përfunduar studimet jashtë territorit të Shqipërisë është e sanksionuar në ligj që përpara se të punësohen duhet të kenë kryer pranë Ministrisë përgjegjëse për arsimin, njehsimin e diplomave, certifikatave apo gradave të fituara jashtë vendit, pra nga një institucion i huaj i arsimit të lartë.
Kur bëhet fjalë për punësim në shtet njehsimi i diplomave të huaja është kusht i domosdoshëm edhe për Ministrinë e Financave dhe Departamentin e Administratës Publike, pasi në bazë të arsimit të lartë të kryer ekzekutohet edhe pagesa sipas kategorizimit përkatës, sidomos kur fusha e arsimit të kryer përputhet me detyrën apo pozicionin që mbulon i arsimuari.
Ligji nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” është tepër I saktë në përcaktimet e tij ligjore mbi detyrimin e njehsimit të arsimit të kryer jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin, punësimin ose karrierën akademike në Shqipëri.
Neni 92 pika 1 e Ligjit nr. 80/2015 thotë shprehimisht se “Diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit, që i përkasin niveleve nga 5 deri në 8, të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, njihen dhe njësohen përmes lëshimit të dokumentit zyrtar, të barasvlershëm nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin, punësimin ose karrierën akademike në Shqipëri, në përfundim të procedurës zyrtare të njohjes”, çka do të thotë se vetëm ”.. në përfundim të procedurës zyrtare të njohjes së diplomës” është i mundur punësimi në një institucion shtetëror.
Shtetasi gjerman Knut Fleckenstein është punësuar së fundmi në postin e Këshilltarit të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili edhe pse është post politik, është i përfshirë në kategorinë e pagave dhe të kritereve që një shtetas, shqiptar apo i huaj, duhet të përmbushë për t`u punësuar në këtë post.
Pika 4 e Nenit 92 e Ligjit nr. 80/2015 përcakton qartësisht se ku duhet bërë konvertimi apo njehsimi I diplomave të fituara në institucione të huaja ta arsimit të lartë, shpehimisht përcakton se “Institucioni përgjegjës për njohjen dhe njësimin zyrtar, në Republikën e Shqipërisë, të certifikatave, diplomave dhe gradave shkencore është ministria përgjegjëse për arsimin. Ky proces kryhet nga njësia përgjegjëse e njësimit të diplomave.”
Aplikimin për njehsimin e diplomave të huaja, shtetasi gjerman Knut Fleckenstein, duhet ta ketë pas kryer online ose në formë shkresore. Në të dy rastet, duhet të ketë dorëzuar në rrugë postare në Qëndrën e Shërbimeve Arsimore të Ministrisë së Arsimit dokumentacionin e mëposhtëm, i cili duhet të përmbajë:
1. Formularin e aplikimit të plotësuar individualisht;
2. Diplomën që vërteton përfundimin e studimeve
3. Listën e notave dhe/ose suplementin e diplomës;
4. Fotokopje e kartës së identitetit ose të pasaportës:
5. Mandat-pagesën hard-copy.
Në rast se shtetasi gjerman Knut Fleckenstein nuk i ka kryer të gjitha këto procedura përpara datës së punësimit në Kuvendin e Shqipërisë, çka është lehtësisht e verifikueshme nga ana e Administratës së Kuvendit, pasi formularët dhe mandat pagesat kanë data precedente të datës së punësimit, atëherë Kuvendi i Shqipërisë, vendi nga ku merren vendime dhe vendoset e ardhmja e shqiptarëve, përveç se ka punësuar personel në shkele të ligjit, ka fyer rëndë gjithë ata të rinj e të reja shqiptarë që kanë përfunduar studimet jashtë vendit, shumë herë në kufijtë e paimagjinueshëm të sakrificës.
Sektori i Njohjes së Diplomave, duhet të ketë kryer edhe verifikimin e autenticitetit të diplomës në rastin kur diploma nuk është e pajisur me Vulë Apostile/Legalizim në vendin e origjinës.
Në rast se të gjitha këto procedura janë kryer, atëherë punësimi i tij është bërë Brenda kufijve të legjitimitetit dhe Kuvendi i Shqipërisë s`ka asnjë vështirësi ta bëjë publike procedurën e punësimit, në të kundërt Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, përveç se një të paarsimuari, ka punësuar në mënyrë të paligjshme shtetasin gjerman Knut Fleckenstein.
*Ekspert për çështjet arsimore
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here