Ç’është kjo heshtje varri nga “triumvirati” i ambasadorëve? A nuk duhej dënuar më së paku dhuna ndaj artistëve, gazetarëve e qytetarëve?!

0
98

Shembja barbare e godinës së Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit të 17 majit, ka lënë ende trauma të mëdha, jo vetëm te artistët e aleancës dhe qytetarët e pranishëm në atë moment, por te të gjithë shqiptarët që panë ato pamje tronditëse. Dhunë masive, tërheqje zvarrë e aktivistëve e deri te akti makabër: nisjen e prishjes së godinës kur ende brenda saj ishin artistë , pjesëtarë të aleancës për mbrojtjen e Teatrit.

Për të mos folur më pas për aktet e dhunës shtazore mbi qytetarë, gazetarë e politikanë të opozitës kur nisi protesta pas shembjes së godinës. Dhe aq më tepër duhet nënvizuar se i gjithë ky akt që përngjason me ato të talebanëve, u bë në kundërshtim me ligjin e kushtetutën. Çështja e Teatrit Kombëtar ishte e paditur dy herë në kushtetuese nga Presidenti i Republikës, dhe si e tillë më së paku duhej pritur vendimi nga kjo gjykatë për të gjitha pretendimet e kreut të shtetit.

Ndaj këtij akti barbar nuk munguan reagimet e ndërkombëtarëve. Shembja e Teatrit ka qenë ndoshta hera e parë kur BE ka reaguar në unison, si të djathë ashtu edhe të majtë, kundër mënyrës se si qeveria procedoi. ” Kërkuam dialog, jemi të keqardhur “, tha komisioneri për zgjerimin në KE. Një reagim i fortë erdhi nga Gjermania, ku nënkryetari i CDU, Z.Whadephul pohoi se ky akt shkonte kundër çdo lloj norme evropiane, duke vënë në diskutim edhe anëtarësimin e vendit në BE.

Por edhe një pjesë e trupës diplomatike në vend nuk nguroi të shprehte kritikën e saj për shembjen e godinës në atë formë, duke dënuar edhe dhunën e policisë mbi artistë , aktivistë e politikanë. Të vetmit që nuk kanë thënë ende asnjë fjalë për këtë çështje janë treshja e ambasadorëve kryesore në vend. Asnjë fjalë për dhunën, asnjë qëndrim për aktin antiligjor! Heshtje varri!

Të vetmet deklarata të këtyre përfaqësive ka qenë rëndësia e përmbylljes së reformës zgjedhore. Po kujt dreqin i duhet një reformë farsë e rradhës, kur të shfaqet para syve arroganca e pushtetit, shkelja e ligjit, dhuna ndaj qytetarëve, madje dhe vetë ndaj gazetarëve.

Çfarë do ndryshojë reforma zgjedhore?

Do e ndali turravrapin e kësaj qeverie ndaj akteve antiligjore dhe në shkelje të kushtetutës? Me siguri Jo!

Do e ndali shtetin policor-ushtarak që dhunon artistë, qytetarë e gazetarë pa asnjë droje dhe mbi asnjë parim reciprociteti sa i takon rregullave të protestave që precipitojnë në përplasje mes bluve e protestuesve? Me siguri Jo!

Do e ndali rrënimin ekonomik e social të vendit dhe nga ana tjetër fuqizimin deri në kulm të miqve të qeverisë që po gllabërojnë çdo pasuri të shqiptarëve në favor të pushtetit? Me siguri Jo!

Kjo heshtje varri nuk ju shkon të nderuar ambasadorë! Është në kundërshtim ne çdo normë e moral të shtetit demokratik!

 

EDITORIAL/ STANDARD.AL

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here