Aleanca, Gaba: Çështja e Teatrit Kombëtar, në një seancë në Parlamentin Evropian

0
135

Gentian Gaba, një nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar flet në një intervistë për “standard” mbi vendimin e fundit te qeverisë. Po ashtu ai komenton vazhdimësinë e protestës , duke bërë publik hapat e mëtejshëm që priten të ndërmerren.

Në kohën më të rëndë që po kalojmë, të kësaj pandemie mbarëbotërore, në Tiranë politika qeveritare vazhdon punën e saj kundër një vullneti qytetar siç është lufta juaj për mbrotjen e Teatrit Kombëtar, godinës së saj historike, tashmë të certifikuar nga Europa Nostra. Rasti i fundit ka të bëjë me vendimin për t’ja kaluar në pronësi Bashkisë, çfarë do të thotë për ju ky hap i ndërmarrë nga kryeministri, shumë zëra thonë se i hap rrugë shembjes? Për ju çfarë është në të vërtetë ky akt?

Në gjykimin tim lëvizja më e fundit e qeverisë nuk lidhet me godinën e Teatrit, por me mendësinë dhe qasjen që kryeministri i vendit ka ndaj politikës. Në këtë moment të vështirë për Shqipërinë, në të cilin qytetarë flenë nëpër çadra për pasojë të tërmetit të 26 nëntorit, apo rreth 1.500 persona humbasin vendin e punës prej ditës që ka nisur pandemia, në fshehtësi, pa asnjë transparencë, kryejnë një akt kaq të padenjë. Interpertimi i parë që mund t’i japim lidhet me disfatën që Rama pësoi për shkak të rezistencës nga ana e protestuesve. Ligji special ra si pasojë e presionit të brendshëm dhe të jashtëm, kësodore kërkojnë një strategji daljeje, duke ia ngarkuar barrën e kësaj maskarade kryetarit të bashkisë. Sigurisht që zelli i tij në këtë moment të parë tingëllon i rrezikshëm, por për sa kohë ne arritëm t’i bëjmë ballë pushtetit qëndror, me ndërgjegjësimin e madh kombëtar dhe ndërkombëtar të këtyre viteve, do t’i tregojmë vendin edhe pushtetit vendor.

Protesta 24 orëshe, si dhe ajo e ditëve të fundit, ku u angazhuan forcat e policisë duke irrituar më tej situatën, a ju ka shteruar fuqinë? Çfarë keni vënë re në këto muaj e muaj rezistencë, çfarë nuk shkon me shoqërinë tonë, me politikën?

Në më shumë se dy vite kemi grumbulluar një eksperiencë të madhe në menaxhimin e kësaj kauze. Kjo nuk është thjeshtë protesta më jetëgjatë e historisë shqiptare, por një lëvizje që prodhoi një komunitet të organizuar, i cili po zhvillon një betejë shumë dimensionale (juridike, kulturore, artisitike), dhe që ka arritur të përfshijë faktorë të rëndësishëm shoqëror në mbrojtjen e Teatrit. Pra nuk ka qenë protesta klasike, gjatë të cilës bërtitet kundër padrejtësisë, por një lëvizje e organizuar që ka prodhuar vlera, art, mendim juridik, diplomaci dhe marrëdhënie me publikun që e kanë shkatërruar narrativën negative që qeveria kishte ndërtuar mbi Teatrin. Mjafton të mendojmë për rolin aktiv që do të ketë Europa Nostra në muajt në vijm, por edhe për përfshirjen e Komisioneres të lartë të BE-së për kulturën, znj. Mariya Gabriel, e cila pak javë më parë theksoi se Teatri është pjesë e trashëgimisë europiane. Këto janë ngjarje që na e kanë shtuar fuqinë dhe besimin në kauzën tonë. Për sa i përket rezistencës kemi kuptuar se indiferenca është një nga rreziqet më të mëdha të shoqërisë sonë, dhe këta përbindësha që bëjnë gosti me takast e shqiptarëve, gjallojnë vetëm falë indiferencës sonë. Nëse qytetarët duan të ndryshojnë diçka, duhet të lëvizin, të angazhohen, mos t’i dorëzohen indiferencës. Mos të sokëllijnë kundër fatit të keq apo politikës, që në fund të ditës është pasqyra e shoqërisë, por të reagojnë. Nëse ne do të jemi qytetarë më të mirë, në kuptimin më të plotë të fjalës, politika do të jetë më e mirë. Dhe këto nuk janë fjalë klishe, por gjëra që na ka mësuar përditshmëria në sheshin e Teatrit, ku nuk gjeni vetëm aktorë, por qytetarë të thjeshtë, pensionistë, njerëz që zhvillojnë punët më normale të këtij qyteti, por që në fund të ditës, gjejnë kohë për të dhënë kontributin e tyre në një kauzë qytetare.

 

Me vendimin e fundit të qeverisë Rama, për t’ja kaluar pronësinë e traullit të Teatrit Kombëtar, bashkisë çfarë mendoni se mund të ndodhë? A keni parashikuar hapa të mëtejshëm, si do përballohet kjo situatë?

Do të vazhdojmë qëndresën me të gjitha mjetet e protestës por edhe ato ligjore. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Europa Nostra, e cila pritet të vijë në Shqipëri sapo të çelen kufijtë, dhe me mbështetjen e tyre hapi i radhës do të jetë kërkesa për një seancë dëgjimore në Parlamentin Europian. Kushdo që ngre dorë mbi Teatrin dhe qytetarët në mbrojtje të godinës historike, duhet të dijë mirë që do të vendoset përballë Europës. Në 24 korrik u njohën me mbështetjen qytetare dhe europiane të Teatrit, të jenë të bindur që sot është me e madhe se kurrë.

-Veliaj me të marrë “pronën” e Teatrit të “dhuruar” nga Rama, nisi menjëherë deklaratat e tij, me avazin e parë, se godina aktuale e Teatrit është prej kashte, pa dinjitet për artistët, dhe njëkohësisht duke injoruar grupimin që gdhin çdo natë aty, në mbrojtje të tij. Ne e dimë se Teatri tashmë nuk është cështje e artistëve, por çështje e polisit, qytetit, e publikut…

Ne, e dimë se ranë dy tërmete të fuqishme dhe u përballua nga godina me jetë 80 vjeçare, keni një mendim pse ndodh kjo kokëfortësi e politikës, bashkisë, qeverisë…përveç arsyes se u kanë dhënë fjalën një biznesi, çfarë nuk është thënë deri tani?

Një nga arsyet më elementare është toka e florinjtë e Teatrit dhe kullat shumëmilionëshe që sjell projekti; tjetra është fiksimi i Ramës për t’i dhënë qytetit imazhin e tij dhe e fundit, gjithmonë sipas meje, paaftësia për të pranuar humbjen apo vullnetin e qytetarëve që nuk pajtohen me babëzinë dhe vizionin e tij. Për shumë gjatë këto tri arsye kanë prodhuar mosarsyen e Ramës për të kuptuar çfarë përfaqëson Teatri edhe për atë, duke rendur pas një shajnie që me shumë gjasë do t’i kushtojë pushtetin. Sepse Teatri ia ka çjerrë maskën dhe e ka nxjerrë cullak përballë të shqiptarëve, duke e shfaqur si artisti që u bë politikan dhe politikani që po përpiqet të shkatërroi tempullin e artit.

Akademiku Artan Fuga, ndër të vetmit që ka qëndruar konsistent, në qëndrimin e tij për mbrotjene Teatrit, tha së fundi se duhet një referendum për Teatrin. Sa të drejtë a të dosmodoshme e shikoni këtë, dhe a mund të jetë tashmë thjesht çështje e Teatrit ky fenomen?

Në gjykimin tim çështja e referendumit mund të shtrohej në vitin 2018, kur narrativa e qeverisë ishte ngritur mbi mungesën e fondeve dhe nevojën për tjetërsimin e pronës publike për të marrë një teatër të ri. Nga momenti që qeveria është tërhequr nga ligji special dhe pranon se ka fonde për të ndërtuar një teatër të ri, kjo na lumturon, sepse mund t’i japim Tiranës më shumë salla. E para është ajo historike, që do të restaurohet me mbështetjen e Europa Nostra, dhe e dyta është ajo që qeveria dhe bashkia deklaron se ka dëshirën të ndërtojnë me taksat e shqiptarëve. Këtë mund ta bëjë kudo në Tiranë, duke ruajtur godinën aktuale. Pra koha e referenduit nuk është tani, sepse jemi në fund të betejës publike dhe jo në fillim të saj. Tani është koha që përgjegjësit e kësaj historie të mbajnë përgjegjësi për dëmet që u kanë shkaktuar institucioneve, Kushtetuës dhe Teatrit gjatë këtyre viteve. Artistët, qytetarët, intelektualët, e kështu me radhë duhet ta çojnë përpara këtë betejë kundër një pushteti që përdori të gjitha mjetet, madje shkleli ligje dhe Kushtetutën, duke e kthyer qëndresën për Teatrin në një simbol për një demokracie që kërkon të kapërcejë cakun e tranzicionit.

Në gjithë këta muaj protestë besojmë se është një rast unik, edhe pse politika është mundur ta zhbëjë, ta injorojë si një grupim i vogël, dhe jo vullnet të një mase më të gjerë. Megjithatë ne kemi qenë prezent në protesta e fuqishme të juaja, para presidencës, se si iu bashkuan qytetarët, dhe shënoi një nga protestat më masive, e më paqësore. Nisur nga kjo ide e fundit, a mendoni se forma paqësore mund t’I bindë politikën e qeverisë të heqë dorë nga vendimet e saj, që burojnë këtu e 20 vite të shkuara? Ku jeni me këtë besim? Çfarë nuk ka ndodhur në fillim a mund të ndodhë tani?

Kjo protestë, apo kjo lëvizje, do të jetë pjesë e historisë moderne të Shqipërisë sepse askush nuk ka qendruar kaq gjatë dhe kaq fortë në mbrojtje të trashëgimisë, të publikes dhe vlerave demokratike. Në këto 2 vite kemi luftuar ashtu siç ka kërkuar situata, diku me juristët tanë, diku me artin, diku me median dhe diplomacinë, por kur ka qenë e nevojshme edhe me trupat tanë, si në 24 korrik. Sigurisht që ne nuk jemi paraushtarakë, apo milizie të qytetit, por kur ligji nuk respektohet nga autoritetet, kur veprohet në shkelje të Kushtetutës, dhe Gjykata Kushtetuese mungon, nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse të kthehemi në barrikada ndaj padrejtësisë. Kështu do të vazhdojmë deri në fund.

A keni menduar deri ku mund të shkojë rezistenca juaj, nëse vjen një hap konkret tashmë nga Veliaj për shembje, a do ketë forcë ky kryebashkiak ta ekzekutojë një vendim të tillë?

Sigurisht që makutëria mund t’i çojë deri në këtë pikë, por për ne nuk ka rëndësi çfarë planesh kanë ata. E nisën këtë histori me mashtrime, me intriga politike dhe shkelje të Kushtetutës, dhe po e vazhdojnë kështu, sepse VKM-ja e fundit është jo kushtetuese. Pra ata e kanë ndarë mendjen që duan të jenë nga ana e gabuar e historisë dhe ligjit. E rëndësishme për ne është ku qëndrojmë ne dhe qytetarët në raport me padrejtësinë, sa të gatshëm jemi ne të mbrojmë trashëgiminë, Kushtetuën dhe demokracinë. Jo në facebook, por në shesh. Jo për interesin personal, por për interesin publik. Se çfarë do të bëjë Veliaj ka shumë pak rëndësi, ne dimë që do të jemi në shesh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here