Reforma në drejtësi/ Kalon kapitulli i Gjykatës Kushtetuese, PD: Çështjet politike pa zgjidhje. PS: Ngërçi kryesor 2/3 apo 3/5

0
175

Përfaqësuesi i OPTAD: Aftësia për të luftuar krimin dhe korrupsionin është me rëndësi si për Shqipërinë edhe për SHBA se SPAK do të fokusohet në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta

 

Gëzim Saliu

 

 

Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi ka përmbyllur dje shqyrtimin e kapitullit për Gjykatën Kushtetuese. Ndonëse palët gjenden ende larg konsensusit mes tyre sa i takon atyre që demokratët i kanë cilësuar si çështje politike, diskutimet e djeshme kanë ecur pozitivisht.  Në përfundim të mbledhjes, deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha se çështjet me karakter politik janë ende të pazgjidhura dhe se është rënë dakord që këto çështje të zgjidhen më vonë. “Në shqyrtim ishte kapitulli për Gjykatën Kushtetuese, ajo që ka rëndësi është që çështjet me karakter politik janë të pazgjidhura. Për sa i përket çështjeve me një karakter tjetër u diskutuan. Ne sot punuam duke patuar dakordësinë që çështjet  e mëdha politike do të zgjidhen më vonë”, theksoi ai. Ndërkaq deputeti socialist Pandeli Majko vlerësoi diskutimet e mbledhjes së djeshme dhe tha se sot do të diskutohet kapitulli i gjykatave. “Sot kaloi kapitulli dy që është për Gjykatën Kushtetuese dhe nesër do të diskutohet kapitulli i Gjykatave. Do të kalojmë edhe paketën e ligjeve që do ti përgjigjet këtij procesi. Ajo që ka rëndësi është se ky diskutim ka qenë shumë herë më i qetë se ai i mëparshëm sepse kemi diskutuar nen për nen”. Ndërkohë Majko bëri të ditur edhe pikën kryesore që përbën ngërçin mes palëve. “Ka çështje politike, por kryesorja është mënyra e votimit me 2/3 apo 3/5. Sot kaloi kapitulli i dytë për Gjykatën Kushtetuese dhe nesër do të niset me gjykatat”.

 

Tryeza për drejtësinë

 

Ndërkohë në Durrës ekspertët e nivelit të lartë për Reformën në Drejtësi prezantuan ndryshimet në ligjin për organizimin e Prokurorisë, ligjin e ri për Prokurorinë speciale dhe Byronë Kombëtare të hetimit. Në këtë tryezë grupi i ekspertëve të nivelit të lartë prezantuan ndryshimet në ligjin për organizimin e prokurorisë, ligjin e ri për Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.  “Drejtori i Byrosë Kombëtare, emërohet e shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve. Drejtori i Policisë mund të zgjidhet nga radhët e Policisë, Policia Gjyqësore, ose Anëtarët e Byrosë. Gjithashtu hetuesit e Byrosë, mund të zhvillojnë hetime, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme”- theksuan ata.  Nga ana e tij eksperti i nivelit të lartë Artan Hoxha, shpjegoi risitë e draftit duke theksuar se,: “Për të rregulluar funksionimin e Prokurorisë në tërësinë e vet dhe të organizmave që lidhen me veprimtarinë e saj nuk është i mjaftueshëm vetëm për të parë këtë projektligj sepse sipas paketës kushtetuese, ka edhe disa projektligje të tjera të cilat e shoqërojnë zbërthimin e amendimeve kushtetuese, si për shembull në këtë projektligj nuk rregullohet mënyra e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. Ndërkaq përfaqësuesi i OPDAT John Smibert tha se projektligje janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë pasi kanë të bëjnë me njësinë speciale të hetimit të korrupsionit.  “Aftësia për të luftuar krimin dhe korrupsionin është me rëndësi si për Shqipërinë edhe për SHBA se SPAK do të funksionojë njësoj si gjykata por edhe do të fokusohet në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta. Ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë ekspertë të FBI të cilët do të trajnojnë punonjësit shqiptarë dhe do të monitorojnë hetime të pavarura”- deklaroi ai. Ekspertët kanë bërë të ditur se Byroja Kombëtare e Hetimit do të funksionojë me një grup nenesh brenda njësisë SPAK, njësia e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin e korrupsionit.

 

 

PD kërkesë KQZ-së: Duam formularët e vetëdeklarimit të deputetëve, kryeministrit e ministrave

 

Partia Demokratike nëpërmjet grupit të saj parlamentar i kërkoi dje KQZ-së informacion për vetëdeklarimin e disa subjekte që kanë për detyrim në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen dhe ushtrojnë funksione publike”. Në kërkesën e saj Partia Demokratike i kërkon KQZ-së listën e plotë të zyrtarëve publikë që nuk kanë depozituar deri më datë 4 maj Formularët e Deklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe masat që ka marrë KQZ. “Ne gjithashtu besojmë se rëndësia e procesit justifikon çdo angazhim maksimal të institucionit tuaj, për shkak se zbatimi i Reformës së Dekriminalizimit është jetik për garantimin e demokracisë funksionale në Shqipërisë.  Për sa më lart, në mbështetje të pikës 6 të nenit 5 të ligjit nr. 138/2016, vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe nenin 8 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i deputetit”, i ndryshuar, kërkojmë të na vini në dispozicion, sa më poshtë vijon: a)listën e plotë të zyrtarëve publik që nuk kanë depozituar deri më datë 4 Maj 2016 Formularët e Deklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe masat që ka marrë institucioni juaj”. Ndërkohë në kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kërkohen edhe formularët e vetëdeklarimit për 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrit dhe ministrave, si edhe për 61 kryetarët e Bashkive të vendit. b)Formularët e Vetëdeklarimit për subjektet deklaruese si më poshtë: (i)140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; (ii)Kryeministrit dhe ministrave; (iii)61 Kryetarëve të Bashkisë. Gjithashtu, në përputhje me nenin 5 të ligjit nr. 138/2015 dhe pikave 9 e 10 të Kreut II të vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, kërkojmë marrjen e masave të nevojshme administrative për përmbushjen e detyrimit të publikimit në faqen tuaj të internetit të të gjithë Formularëve të Vetëdeklarimit, brenda afatit të përcaktuar prej 15 ditëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here