Adrian Paci:…liria e artistit asht e detyrueme me i ba hesapet  

0
129

 

 

 

Art ne distance/Në Galerinë Kombëtare të Arteve prej 20 shtator, deri më 1 dhjetor, 2019,  artisti Adrian Paci pati ekspozitën personale, “Prova”, koleksion portretesh në retro

 

 Intervistoi: Violeta Murati

 

Të vendosësh krijimet në kontekstin e sotëm, nga koha kur janë prezantuar apo publikuar për herë të parë, është si të kesh krijuar diçka të re, në një transformim të vazhdueshëm. Në këtë paradigmë, artisti Adrian Paçi ndërtoi koleksionin e portreteve në retro, duke u prezantuar në një ekspozim të plotë, personal, më 20 shtator, në Galerinë Kombëtare të Arteve të kuruar nga Adam Budak.  Nga dinamikat e largimit dhe mërgimit përmes një rituali të përkatësisë dhe identifikimit deri tek mekanika e vetëfuqizimit dhe emancipimit; nga pafajësia e fëmijërisë drejt inicimit shoqëror dhe deri në një zë të pjekur të një rezonance politike, vepra e Adrian Pacit (lindur më 1969, Shkodër) shpalos narracionin e zhvendosjes dhe humbjes.

Në ekspozitën Prova, imazhi në lëvizje dialogon me imazhin e ndalur të serive fotografike si dhe me imazhin e kapur brenda kornizës së një pikture, e cila mbetet vokacioni dhe mjeshtëria kryesore e artistit, duke dëshmuar shkathtësinë formale të Pacit dhe interesin e tij në një shumëllojshmëri të shprehjeve dhe gjuhëve – thuhet ndër të tjera në qasjen kuratoriale për këtë artist. Në intervistën për “ExLibris”, Paci ndalet në një reflektim të natyrës përtejreale, ccfarë konteksti merr gjuha e shprehjes në kontekstit e lirisë.

 

 

Si mundet artet pamore të identifikojnë Njeriun, dinamikën e jetës së tij në kushtet e sotme, moderne, si mund ta shprehë?

 

-Artet pamore kanë mjetet e veta, luajnë me imazhin, me ritmin, me kohën, me atmosferën vizive. Të gjitha këto janë mjete shprehëse, janë instrumente me të cilat një artist pamor e percepton realitetin, e mendon dhe e artikulon pozicionin e vet.

 

Pse fëmijëria mbetet kaq e fortë në gjurmë, dhe reflektimi në art bëhet kaq i domosodoshëm pothuaj nga nisin edhe shkrimtarët të zbulojnë vetveten, ashtu dhe një artist i arteve pamore. Cila është fëmijëria juaj?

 

-Fëminia jeme asht e shenjueme fort nga prezenca dhe nga mungesa e tim eti. Kam fillue me lujtë me lapsa e bojna qysh i vogël e në një fare mënyre nuk jam ndalë qysh atëhere. Por edhe përjetimet njerëzore kanë qenë të forta qysh në fëmini.

 

Në këtë kontekst, çfarë vendi zë Shkodra, vendlindja? Ju riktheheni shpesh atje…nostalgji, apo diçka më tepër?

 

-Shkodra asht vendi i lindjes por edhe i rritjes. Si e tillë ajo përban për mue kontekstin e shumë ngjarjeve që më kanë shoqnue në jetën teme. Përtej kësaj, Shkodra asht një qytet që të ushqen me memorien e saj kulturore, me personazhet e saj të veçantë e me kontradiktat e saja. Nuk asht një qytet ideal, por një ndërthurje dinamike e herë herë interesante mes banales dhe sublimes, mes të vrazhdës dhe butësisë, mes profanes dhe sakrales me të gjitha sfumaturat e ndërmjetme.

 

Ky rikthim, tani, prezanton një koleksion auto-portretesh quajtur “Prova”, si punë më të fundit tuaja në video duke u konsideruar ndoshta si gjesti politik më i pjekur dhe më radikal i artistit. Cila është Prova juaj e fundit?

 

– Prova asht titulli i një video te re që merr shkas nga prezenca e një grupi burrash që kalojnë ditët e jetës së tyne në një shesh të qytetit duke pritë që dikush t’u japë punë. Me këtë grup burrash 15 vite më parë kisha realizue videon “Turn On” e, vit mbas viti kur kaloja në atë shesh, i gjeja prap aty. Ma të thinjun, ma të plakun, por prap aty. Në vend të gjeneratorit dhe llampës së dritës që mbanin në dorë 15 vite ma parë, mendova t’u vë përpara një mikrofon dhe u kërkova të shqiptonin para tij vetëm fjalën “prova”. Prova asht kësisoj artikulimi fillestar i zanit i cili thekson një gjendje potencialiteti, ende të pa aktualizueme në një diskurs. Videoja dominohet nga prezenca e tyne fizike disi e përhumun ku gjendja ekzistenciale dhe gjesti performativ ndërthuren.

 

Punët tuaja, shpesh herë të lidhur me njeriun, individin marrin rezonanca politike. Pse? Çfarë përgjigjesh kërkoni?

 

-Punët e mia shpesh herë kanë në qendër të tyne njeriun. Nuk asht njeriu heroik që më intereson, por njeriu i vendosun në mes trysnisë së andrrallave dhe kushtëzimeve, mes entuziazmit dhe frikës, mes lojës dhe traumës, mes nevojës për një vend të sigurtë e të njohun dhe dëshirës për aventurë e zbulime te reja. Më intereson marrdhania mes lirisë së individit dhe strukturave shoqnore që ai gjeneron e të cilat nganjëherë i kthehen kundër, me intrigon madhania e tij me pushtetin si burim mundësish, por edhe si instrument manipulimi e dhune.

 

“Prova” ju dëshmon. Çfarë është transformuar tek ju, në cilën fazë së krijimtarisë e vendosni veten?

 

Ndër vite puna ime ka pasë momente transformimi. Në vitet ’90-të kalonim nga figurativizmi i detyruem që dominohej nga Realizmi Socialist dhe akademizmi tradicional tek një lloj pikture abstrakte apo ekspresioniste. Fundi i viteve ’90-të ka shenjue eksperiencën time të parë me videon e ma pas me fotografinë, skulpturën e instalacionin si dhe një rikonsiderim të dimensionit figurativ e narrativ në pikturë e cila, mbas eksperiencës sime me videon, vjen gjithmonë në dialog me imazhin në lëvizje. Videot e para janë ma të drejtpërdrejta e mjeti përdoret si një element pothuajse transparent në nevojën për të dëshmue diçka që qëndronte përtej tij. Ma vonë ka pasë një ndërgjegjsim ma të madh për natyrën e vetë mjetit dhe mundësive të tij si në ndërtimin e narracionit ashtu edhe në ngarkesën emocionale apo estetike të veprës. Gjithsesi punët e mia janë të dominueme nga nevoja për të ndërtue një zonë shprehjeje që eksploron potencialitetin e një takimi; takim me nje imazh, me një histori, me një vend. Asht ky takim që gjeneron, ushqen dhe kushtëzon mandej aksionin dhe gjestin tim artistik.

 

 

Nuk harroj një nga punët tuaja emblemë, ikonike, fotografinë ku është fiksuar moment i ikjes, shkallët iluzive të ikjes…si ka qenë historia e tij, pse bëri aq bujë në mediumin evropian?

 

-Një pune ka historinë e saj evidente por ka edhe historitë e saj të nëndheshme. Një imazh ushqehet nga një takim ndoshta i papritun, por pikërisht ky takim mundet me ndodhë falë disa vizioneve të mbrendshme që janë ndërtue në heshtje e ndoshta edhe pa ndërgjegjsimin e plotë të autorit. Gjithsesi “Centro di permanenza temporanea” lindi diku në një aeroport të Frankfurtit kur po ndërroja avionin për të marrë rrugën për San Francisco. Më kishin ftue në një rezidencë e më kërkonin të realizoja një punë të re atje. Isha nisun pa kurrfare ideje, por sapo pashë shkallët boshe në pistën e aeroportin i imagjinova të mbushuna me njerëz. Udhëtimi për në San Francisco nga Frakfurti ishte koha dhe hapsina që mu desh për ta shndërru atë vizion në një storyboard ku vizatova shpejt e shpejt skicat e skenave që do të ndërtonin videon dhe ritmin e tyne. Sapo arrita në San Francisco i thashë organizatorëve të rezidencës se e kam një ide por me duhet akses në një aeroport. Në fillim dukej si një ide e parealizueshme. Amerika e pas 2001 ishte ba pothuajse hermetike në përdorimin e aeroporteve. Mundësinë e gjetëm në zonën e avionëve privat të aeroportit të San Jose. Kështu mes peripecish të ndryshme mori formë ndoshta një ndër punet e mia ma ikonike e cila më ka ba të njoftun, por me të cilën edhe asht abuzue shumë, mbasi shpesh herë përdoret si imazh për të ilustrue çdo lloj falimentimi, nga falimentimi i një kompanie ajrore deri tek mungesa e kualifikimi të një skuadre në një kampionat futbolli.

 

 

 

Cili është përtejrealiteti për një artist, reflektimi i tij bashkëkohor, pyetja është sa na vlen më, imagjinata?

 

-Mendoj se ajo që e ban speciale një vepër dhe i jep asaj intensitet asht pikërisht dimensioni i përtejme. Sa ma i thellë e i padukeshëm në sipërfaqe të jetë ky dimension aq ma misterioze dhe me peshë asht puna e artistit. Në këtë pikë përtejrealiteti, siç thoni ju, nuk ka gjithmone nevojë të shmange realitetin, por të krijojë spostime të vogla në mënyrën e perceptimit dhe përjetimit të këtij realiteti. Unë e shoh realitetin jo si një magazinë evidencash por si një surprizues të jashtëzakonshëm. Siç thoshte Pasolini: “Non trovo mai la natura naturale” që, shqip mund të tingëllojë: “nuk e shoh kurrë natyrën si të natyrshme” që don me thanë se realiteti mundet me të zgjue fantazi por edhe me të befasue me prurje që as fantazia nuk mund t’i arrijë.

 

Si e shikoni skenën e artit pamor në Shqipëri?

 

-Skena e artit ne Shqipni ka shume nevoja, por une nuk e shoh ate ne depresion ne krahasim me dhjete vite ma pare. Sigurisht ka nevoje per nje strukturim ma te mire te mendimit dhe diskursit kritik, ka nevoje per njerez qe e mbeshtesin ne menyre te pamvarun nga shteti, koleksioniste apo mecenate, ka nevoje per mbeshtetje ma te madhe shtetnore e per politika kulturore vizionare, por kryesisht mendoj qe ka nevoje per nje fryme bashkepunimi e mbeshtetjeje nga vete artistet.

 

Dhe e fundit, është gjithmonë një moment i vështirë të kuptosh lirinë e njeriut dhe ta vendosësh atë në kryqin e jetës. Dedikuar një rasti të tillë shpesh ndodh lufta mes mitit e antimitit, si përpjekje njerëzore për t’u zhveshur në raport me veten. Nuk e dimë nëse kjo aksiomë ka shërbyer për ju si artist?

 

-Lirinë e njeriut nuk e shoh si një territor që ti e zapton një herë e mirë, por si një horizont drejt të cilit e mban hapin në një rrugëtim kompleks sa jashtë vetes aq edhe mbrenda vetes. Në këtë rrugëtim je i shoqnuem sa nga fantazmat e së kaluemes aq edhe nga mirazhet e se ardhmes, nga kufizimet e realitetit që të rrethon po aq sa nga fantazitë dhe dëshirat që gjenerohen mbrenda teje. Gjithsecili e përjeton këtë tension simbas mënyrës së vet dhe e përthyen në shprehje e gjeste që kthehen edhe ato në dëshmitare të këtij rrugëtimi, por edhe në shenja që e identifikojnë duke ia kufizue lirinë. Në këtë kuptim gjuha shprehëse bahet për një artist sa territori i shprehjes së lirise së tij aq edhe barriera që ai vetë ndërton. Mandej gjuha nuk asht kurrë një prodhim vetëm individual e si e tillë asht shprehje e një kushtëzimi e konstelacioni shoqnor e kulturor me të cilin liria e artistit asht e detyrueme me i ba hesapet. Dëshira për të përtejmen, për të cilën folëm edhe ma parë, ndërtohet në ballafaqim të vazhdueshem me këto limite e nuk mendoj se asht suksesi i fitores mbi to, por intensiteti i këtij ballafaqimi ai që i jep vlerë gjestit artistik.

Ky ballafaqim veçse nuk ka asgja heroike apo pompoze, por ushqehet nga një vitalitet që vibron ndër intuita të holla e përshkohet në kanale të nëndheshme. Në këtë kuptim një artist, si çdo njeri tjetër, nuk ba asgja përveç se të tentoje vazhdimisht me i ofrue gjanave nje tjetër mundësi. (ExLibris)

 

 

 

Bio

Adrian Paci (lindur në vitin 1969 në Shkodër, Shqipëri) ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 1997 ai është vendosur në Milano, ku jeton dhe punon. Gjatë karrierës së tij Adrian Paci ka patur shumë ekspozita personale në institucione të ndryshme ndërkombëtare si: Musée d’Art Contemporain de Montréal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milan (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); National Gallery of Kosovo, Prishtina (2012); Kunsthaus Zurich, Zurich (2010); Bloomberg Space, London (2010); The Center for Contemporary Art – ÇA, Tel Aviv (2009); Museum am Ostëall, Dortmund (2007); MoMA PS1, Neë York (2006) dhe Contemporary Arts Museum, Houston (2005). Ndër ekspozitat e ndryshme kolektive, puna e Adrian Pacit është paraqitur edhe në edicionin e 14-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Bienales di Venezia (2014); në edicionin e 48-të dhe 51-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit – La Bienale di Venezia (përkatësisht në vitin 1999 dhe 2005); në Bienalen e 15-të Sidneit (2006); në edicionin e 15-të Quadriennale Rome, ku ai fitoi çmimin e parë (2008); në Bienalen de Lyon (2009); dhe në edicionin 4-të të Bienales të Selanikut për Artin Bashkëkohor (2013).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here