Joseph Roth: Pse shqiptarët “e jashtëm” izolohen me vetëdëshirë

0
87

 

Art në distancë/ Shkrimtari dhe gazetari i njohur austriak, Joseph Roth ka lënë trashëgimi një cikël shënimesh mbi shqiptarët dhe Shqipërinë, që i përkasin fundvitve ’20, të sjellë në shqip nga Lindita Arapi…

 

 

Shqiptarët kanë – përveç mjaft cilësive që unë i nderoj – edhe një karakteristikë të çuditshme.Ata janë kaq shumë të shqetësuar të ruajnë ca zakone të shkuara dhe të mbesin të patundur në shqiptarinë e tyre duke mbetur jashtë botës së qytetëruar, dhe sikur të mos mjaftojë kjo, përkujdesen me kaq zell për fisin, duke mos ndërtuar kështu kombin. Shqiptarët që jetojnë jashtë izolohen me vetëdëshirë, martohen vetëm me vendase dhe nuk ia kanë besën rrethit ku jetojnë. Deri në Amerikë mbesin shqiptarë, flasin shqip me njëri-tjetrin – pas disa dhjetëra vjetësh rikthehen, po përse? – që të mbajnë në vendlindje gjerdanin me fishekë?! Ashtu si popuj të tjerë të vegjël, edhe shqiptarët ruajnë atë lloj besnikërie ndaj atdheut, që në të vërtetë e çon kombin drejt shuarjes dhe kulturën kombëtare e lë të varfër.Shqipëria është e bukur, e pafat dhe megjithë aktualitetin e saj, e mërzitshme.Malet e këtij vendi të duken nganjëherë sikur janë prej substance të tejpashme e të papërcaktuar, saqë lehtë mund t’i ngatërrosh me lëmsha të qelqtë e të pikturuar me të gjelbër.Vetëm në ditët e vranëta, kur qielli nuk është i mbuluar tërësisht nga retë, por duket si i veshur me një pëlhurë të hollë, e kupton që malet në të vërtetë janë masa gurishteje. Me kohë ata janë bërë më tepër masivë, të pamëshirshëm, madje i gjithë ky vend është si një oborr i mbyllur, i rrethuar nga mure burgjesh natyrorë. Liria është një nocion relativ, këtu e ndjen qartë se nuk ekzistojnë shinat, të cilat të çojnë në atë shekull, që është edhe atdheu ynë, e ndjen se anijet, dy orë, katër orë, dymbëdhjetë orë larg prej këtu, vetëm një herë në javë ndalojnë në portin shqiptar. Ekzotika rëndon dyfish më tmerrshëm se sa tortura e vetëzgjedhur. Në kushte të tilla, unë jam më pak i ndjeshëm karshi bukurive të natyrës, jo me optimizmin e lindur të turistit. Më së shumti, regjistroj: ditë të qeta blu prej një thjeshtësie fisnike, të përmbushura nga një diell i mirë, i cili djeg madje edhe vetë hijen dhe ndjehet në çdo çarje shkëmbi, aty-këtu fluturojnë zogjtë (që këtu janë të rrallë, pasi njerëzit në këtë vend qëllojnë zellshëm) në ajër dhe nëpër degë. Shoh pyje me një Qetësi, Thellësi, Pafundshmëri dhe Përhumbje pambarim.

Aty-këtu duket një grumbull kullash, pa dritare, gjithandej të izoluara, si kube shurdhmemece prej guri, të rënda, enigmatike dhe tragjike, të mbarsura me fate njerëzish dhe me mallkim të mistershëm.Mikpritja!Ky zakon i mirë të kujton kohën fisnike të njerëzimit. Sigurisht, mikpritja e arsyeton mirë veten bazuar në pikëpamjen egoiste të këtyre njerëzve, që në vend të zgjedhin gjyqin, pranojnë gjakmarrjen për të vendosur të drejtën e tyre…

Fragmenti i mësipërm i përket, mes të tjerave, shënimeve të të shkrimtarit dhe gazetarit të njohur austriak Joseph Roth. Me titullin “Shqiptarët “e jashtëm” izolohen me vetëdëshirë – mes mikpritjes dhe gjakmarrjes” – teksti është botuar në gazetën e njohur “Frankfurter Zeitung”, që mban datën 30.7.1927, i cili është kujtuar për lexuesit shqiptar nga Poeteka, të përkthyer nga Lindita Arapi, në rastin e edicionit të tretë të programit “Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania ëith Love ”, më 2018.

Në një tekst tjetër, që e publikojmë më poshtë, Roth flet: “Në Shqipëri arrita në përfundimin se që të gjithë, evropianë apo amerikanë, në thelb nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Kujtime të përbashkëta si roja i ashensorit, tufa e transaksioneve ngjiten si stuko me gradën më të lartë të patundshmërisë, akoma më shumë kur ia beh gramofoni dhe çiftet shkrihen në dans. Diplomatët, që në të vërtetë janë armiq me njëri-tjetrin, këtu luftojnë në një front mushkonjat, malarjen si dhe vendasit, të cilëve ata vetë duan t’u sjellin kulturën e qytetërimit.Të gjithë konkurentët që janë mbledhur këtu për thelat thatime dhe pa zot, marshojnë të bashkuar, por përfitojnë ndarazi.Bile edhe gazetarët i mërmërisin njëri-tjetrit, pa zili, lajme të gënjeshtërta nga burime autentike. Herët në mëngjes mund të të qëllojë të ndeshesh me atasheun ushtarak të aksh vendi, i cili përshëndet një berber, sepse pikërisht ky është në zonën e sigurisë së këtij atasheu.”

Në rrëfimet e tij, shfaq një realitet sa të zymtë, aq dhe ekzotike dhe të mahnitshme sipas tij për botën perëndimore, duke ndarëçfarë shqiptarët kanë tëçmueshme për sytë e një të huaji, dhe çfarë ka mbetur arketip tek bota e tyre e brendshme. Pothuaj një shtrirje antropologjike, ku përveç informimit mbi një tokë të panjohur, Roth jep dhe një imazh mbi një popull të vogël, që “ruajnë atë lloj besnikërie ndaj atdheut, që në të vërtetë e çon kombin drejt shuarjes dhe kulturën kombëtare e lë të varfër”.

“Ndoshta kjo mund të jetë arsyeja që gjuha shqipe sot nuk ka akoma një fjalë specifike për “Liebe” – dashurinë – asnjë përshtatje për “Sële” – frymë – nuk ka fjalë specifike për “Gott” – Zotin. Vetë letërsia shqipe, megjithëse sot është disi më e pasur dhe për së paku mundet të pasqyrojë jetën aktuale shqiptare, prapë është kaq e thjeshtë si këngët e para të njerëzimit, e mbetur madje pas zhvillimeve të këtij vendi të ngadalshëm.Temat e saj janë konflikte bukolike familjare”, tregon Roth.

 

Tirana me klub tenisi, ballo dhe tiranasit me furçë dhëmbësh

 

Joseph Roth

Karakterin ekzotik të tokës shqiptare e kupton qysh në vështrimin e parë nga mënyra e veçantë e jetesës së evropianëve të civilizuar që jetojnë këtu. Kjo racë e çuditshme, zakonet dhe traditat e së cilës akoma nuk janë lëvruar tërësisht dhe pjesëtarët e së cilës e urrejnë në vendlindjen e tyre komfortabël njëri-tjetrin, duket se në dheun e huaj, të egër, zbulojnë tek vetja një zemër tjetër, një botëkuptim të ri dhe për përdorim nxjerrin një karakter tjetër.

Menjëherë sapo mbërrijnë në një vend me WC pa shpëlarje, nxjerrin nga valixhet e tyre një buzëqeshje të re fringo e të papërdorur për ta shkëmbyer këtë me po një buzëqeshje të tillë, të re, të miqve të civilizuar, me të cilët u ra fati i përbashkët të jenë në këtë vend. Madje në zona veçanërisht të shkreta, ndodh nganjëherë që një sinjorinë e vërtetë të vallëzojë me ndonjë përfaqësues tregtar në klubin evropian, vetëm e vetëm që të hidhen edhe vendasit.

Në Shqipëri arrita në përfundimin se që të gjithë, evropianë apo amerikanë, në thelb nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Kujtime të përbashkëta si roja i ashensorit, tufa e transaksioneve ngjiten si stuko me gradën më të lartë të patundshmërisë, akoma më shumë kur ia beh gramofoni dhe çiftet shkrihen në dans.

Diplomatët, që në të vërtetë janë armiq me njëri-tjetrin, këtu luftojnë në një front mushkonjat, malarjen si dhe vendasit, të cilëve ata vetë duan t’u sjellin kulturën e qytetërimit.Të gjithë konkurentët që janë mbledhur këtu për thelat thatime dhe pa zot, marshojnë të bashkuar, por përfitojnë ndarazi.Bile edhe gazetarët i mërmërisin njëri-tjetrit, pa zili, lajme të gënjeshtërta nga burime autentike. Herët në mëngjes mund të të qëllojë të ndeshesh me atasheun ushtarak të aksh vendi, i cili përshëndet një berber, sepse pikërisht ky është në zonën e sigurisë së këtij atasheu.

Të dërguarit evropianë shkëmbejnë kartëvizitat me aksh persona të paemër.Para selive të evropianëve nuk ka më portier të pasjellshëm, por asqer, që të dekurajon.Aty ku në Evropë të pret nje sekretar, këtu të pret terxhumani me buzëqeshje të gatshme.Zotërinj të sërës janë madje gati të ndajnë një krevat, vetëm e vetëm t’u ikin pleshtave.Vëllazërimi është kaq i madh, tamam si një orë para fundit të botës. Kjo racë e të civilizuarve këtu ia ka frikën vullkanit, mbi të cilin të gjithë vallëzojnë çarlestonin!

Disa vendalinj ia kanë dalë të futen në elitën e perëndive të huaja. Në Tiranë ka bile edhe klub tenisi, në të cilin hyjnë e dalin të gjithë ata që zotërojnë një furçë dhëmbësh apo raketë tenisi.Temë e pëlqyeshme për thashetheme është një kapter shqiptar me origjinë austriake dhe karakter aventurieri, por që shihet si hero kombëtar.

Nëpunësit shqiptarë madje guxojnë të luajnë një set me gra autentike të oficerëve anglezë. Ndërsa një drejtor gjerman luan poker me nënkonsullin e një shteti ballkanik.Amerikanët janë miqësorë edhe karshi bullgarëve, pasi në Sofje eksportojnë sfungjer, Tiranës akoma nuk i ka ardhur radha.Thuhet se disa ministra janë të gatshëm t’i japin dorën edhe kujdestares së fëmijëve po qe se ajo është duke shëtitur me një pasardhës evropian.

Herë pas here organizohen ne Tiranë edhe ballo. Anglezët, të cilët i dallon menjëherë nga kostumi i ditës, vijnë në këto mbrëmje me smoking. Në një nga këto darka ndodhi që të bisedojë me mua gjysmë ore një dynjabredhës feudal, që në të vërtetë e përçmon shtypin dhe sidomos çdo lloj letre pa emblemë – dhe për këtë si përgjigje nga ana ime mori vetëm heshtjen!

Aty u dendëm me uiski-soda, e nxjerrë nga një gardist rus, që administron lokalin e këtushëm derisa të ngrihet cari.U dendëm edhe duke u marrë me thashetheme. Ekziston edhe molloisja tiranase – perënditë e huaja as nuk e vënë re sa tokësore janë.

Kështu, mora vesh që mikesha bukuroshe e Presidentit është vjeneze nga lagja e Ottakringut. Ajo, Franzi? Iku me Fiat.Po kur? Pasdite! Në cilën orë? Në orën katër e njëzetë! Çfarë kishte veshur? Ou, kishte një kapele të re! Çfarë lloj kapeleje? Të kuqe!- E morët vesh që Majori X., adjutanti i motrës së presidentit, ia ndaloi një nëpunësi të ri shqiptar të vallëzonte me princeshën. Megjithatë, nëpunësi i ri vallëzoi! Dhe përfundoi në arrest. Tre ditë plot qëndroi në burgun e Tiranës. Barbarizëm! ankohen perënditë. Harrojnë që në Bavari ndenjën në burg shkrimtarë me vite, madje pa i këshilluar ndonjëherë ndonjë adjutant. Në Amerikë bojkotohet Çaplini pasi ka puthur gruan e tij jo vetëm në buzë. Në Francë jetonte dikur një i ashtuquajtur Drejfus.Në Itali pijnë në gjendje të mirë shëndetësore vaj recini.

Po pse bëjnë kaq shumë zhurmë për ndodhitë në Shqipëri – epo ky në fund të fundit, vend barbarësh është!

Diplomatët kanë misionin të tregojnë se punojnë për interesat e vendeve të tyre. Por në të vërtetë, i shohin gjërat nga sipër – si mizat mbi mbulesën e djathit, gumëzhijnë në automobilat e shtetit andej këndej, vizitojnë njëri-tjetrin, përgjojnë njëri-tjetrin, konsultohen, e bëjnë mizën elefant, e kodojnë dhe e nisin me telegram në vendlindje. Pastaj çfarë ndodh?Pastaj tensionohet një çikëz situata.Si pasojë, vetëm pakëz, shtetet fillojnë armatimin.

Gazetari rend për në zyrën e postës. Dëgjon një taty-tata. Ishte boria e një prej të dërguarve evropianë. Ky i dërguar i posaçëm është zjarrfikës për gazetën. Dhe gazeta në të vërtetë përgjon diplomatin. Anasjelltas, diplomati i beson gazetës. Çfarë keni dëgjuar ju?Ka banda në Shkodër? A ia thatë këtë atasheut ushtarak? Pse nuk e dini akoma?Selaniku?Sazani?Kryqe në bregdet të mos futen tanket?Hidroplan?!

Ndërkohë që tirret ky mishmash, bujqit shqiptarë punojnë në fusha, tregtarët shesin opingat, kovaçi bën gjymat, samarxhiu qep shalën. Mëngjes për mëngjes marshojnë rekrutët, dëgjohen daullet dhe boria e zgjimit për të filluar përgjunjja.Dikur të vrasin.Kush?Italianët?Jugosllavët? – Lufta është luftë.

(Frankfurter Zeitung, 7.7.1927)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here