50 vite të martuar, balada e trishtë e çiftit të ndarë nga koronavirusi…

0
131

REUTERS/Caitlin Ochs

Ata u njohën në Paris në 1970 dhe rrallëherë janë ndarë nga njëri- tjetri, ndonëse Louis humbi pak e nga pak kujtesën nga sëmundja e Alzheimerit dhe jeton në një shtëpi pleqsh në Nju Jork. Si shumë prej amerikanëve të vetë-izoluar nga të dashurit e tyre të moshuar përgjatë pandemisë, Houard i trembet idesë se s’do ta shohë më kurrë atë. Ai ndalet tek martesa e tyre jetëgjatë , duke e treguar si një përrallë. Me shpresën se evokimi i së kaluarës fanit kërcënimin që paraqet e tashmja.

Kjo është një histori dashurie. Daton 50 vite më parë falë një strudeli me mollë në Paris. Por, Houard Smith shprehet se nuk ka kohë për nocione romantike rreth së shkuarës. Tani për tani ai është i shqetësuar për mënyrën se si historia e tyre do të përfundojë.

Houard, artist abstrakt, është një burrë që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës duke u fokusuar në detajet e vogla. Paletat e tij monokrome konsistojnë shpesh me mijëra goditje të përsëritura të furçave, dhe kritikët e kanë parë këtë punë artistike si një përpjekje tepër të përpiktë për të kontrolluar kaosin. Sot, Houard është i vetëdijshëm se sa larg së shoqes ndodhet, plot 23.7 milje. Po ashtu e di fare mirë se sa ka që nuk i kundron fytyrën: 31 ditë.

Luisa Kitson po përjeton stadin e fundit të sëmundjes së Alzheimerit. Gjashtë ditë të javës në pesë vitet e fundit, Houard ka bërë 40 minuta me makinë për të vizituar Luisën në shtëpinë e pleqve në Nju Paltz, në veri të qytetit të Nju Jorkut. Ata u ndanë nga njëri- tjetri pasi Nju Jork u bë epiqendra e epidemisë së koronavirusit në Amerikë. Më 11 mars, shtëpia e pleqve pezulloi të gjitha vizitat për të mbrojtur banorët. Më 20 mars, guvernatori Andrew Cuomo urdhëroi njerëzit në mbarë vendin që të vetë-izoloheshin.

Houard, 76 vjeç, e kupton nevojën për të rrafshuar kurbën, por gjithashtu mendon se jeta e Luisës mund të varet nga vizitat e tij.  Ai dëshiron të dijë se edhe për sa kohë pandemia do ta mbajë larg së shoqes, si dhe shqetësohet për të gjithë ata që po përjetojnë ndarje të ngjashme. Për mijëra anëtarë familjesh të mbyllur nëpër azile anembanë botës-disa prej tyre të paaftë për t’u azhornuar rregullisht nga personeli- fati duket i pezulluar mes jetës dhe vdekjes.

”Është syrgjynosje,” tha Houard, gjyshja e të cilit vdiq në epideminë e gripit spanjoll të vitit 1918 menjëherë pasi lindi nënën e tij. Kjo gjë e ka përndjekur gjithmonë, veçanërisht tani.

Luisa, 77 vjeç, nuk mund të flasë më dhe rrallë hap sytë. Ajo nuk mund të kujtojë momentet që përbëjnë gjysmë shekulli të jetës së saj me Houardin. Por ky i fundit i mban mend më së miri. Ai flet për momentin kur u takuan në një galeri arti në Paris në janar të 1970 sikur të kenë kaluar 50 minuta, jo 50 vjet. Kujton se si miqësia e tyre u shndërrua në diçka më shumë natën kur përgatitën dhe poqën një strudel molle në apartamentin e tij të atëhershëm. Përzierja dhe shtrirja e brumit zgjati me orë të tëra. Dhe në kohën kur doli nga furra, metroja e Parisit ishte mbyllur. Kësisoj, Luisa e kaloi atë natë në shtëpinë e Houardit, për t’u zhvendosur më pas njëherë e mirë.

Ai kujton se si Luisa, një artizane e arritur vetë, gjithmonë iu nënshtrua punës, në mënyrë që Houard të përqëndrohej në veprat e tij të artit. Ajo ka qenë kuzhiniere, mësuese zëvendësuese, këshilluese për drogën dhe alkoolin, ndihmëse infermiere, si dhe eksperte e patinës skulpturore. “Ishte një feministe e vërtetë e viteve ’70,” u shpreh Houard, i cili do të njihej asokohe si anëtar i grupit radikal të pikturës në Nju Jork.

Houard kujton gjithashtu ditën kur Luisa, e cila ishte rritur në një provincë kanadeze, u kthye në shtëpi nga puna në Muzeun Metropolitan të Artit në Manhatan dhe i tha atij se dëshironte të mbillte patate. Kështu ata u zhvendosën.

Houard i rikthehet edhe mënyrës se si kujtesa e Luisës filloi të venitet: fillimisht ngadalë, deri sa një ditë ajo e pyeti “Kush je ti?”

Herë pas here gjatë telefonatave dhe postave elektronike të gjata me gazetarin e Reuters, Houard tensionohej së tepërmi. “Josh, uroj që të mund ta harrojmë këtë budallallëkun e Parisit,” tha ai në një pikë. “Le të flasim për të tashmen, se si do ta kalojmë të gjithë këtë që na ka rënë për pjesë.”

Por më pas i rikthehej sërish një tjetër kujtimi. Kjo është një histori dashurie, edhe nëse Houard këmbëngul se është i përqëndruar në çështje më praktike. Sepse ndonjëherë një histori dashurie është e pashmangshme.

Për shumë prej nesh, ndoshta ankthi më i madh gjatë kësaj krize është se diçka mund t’i ndodhë të dashurve tanë të moshuar- pavarësisht nëse ata janë të infektuar me virus apo jo- dhe ne do të jemi të pafuqishëm për t’u ardhur në ndihmë. Për shumë njerëz, shkon edhe më tej, drejt frikës së të vdekurit vetëm, si dhe pamundësisë për t’i dhënë lamtumirën atyre që do të ndërrojnë jetë.

Në një konferencë të Shtëpisë së Bardhë të martën e kaluar, mjekët që drejtuan përgjigjen pandemike të administratës së Trump vlerësuan se, numri i të vdekurve në SHBA mund të arrinte deri në 240 mijë. Deri të enjten, rasti i vdekjeve në Nju Jork ishte rritur në më shumë se 7 mijë, sipas të dhënave shëndetësore të hartuara nga Reuters.

Epidemia e Shteteve të Bashkuara nisi në një shtëpi pleqsh në Kirkland, Uashington. Të paktën 36 të moshuar vdiqën larg familjarëve ndërsa virusi përhapej si zjarr. Këta të fundit mund të shikonin vetëm nga dritarja. Në pjesën e sipërme të Nju Jorkut, dhoma e Luisës nuk ka dritare me pamje nga jashtë.

Në SHBA, 15 mijë shtëpi pleqsh, me rreth 1.5 milion të moshuar, janë në karantinë. Ndalimi i vizitorëve ka për qëllim që të mbajë virusin jashtë, por personeli ende vjen dhe shkon. Në mungesë të veshjeve mbrojtëse, ata përbëjnë rrezik për jetën.

Shtëpitë e infermierëve janë shfaqur si inkubatorë me efektshmëri brutale për virusin, veçanërisht vdekjeprurës për të moshuarit. Që nga 9 prilli, ka pasur më shumë se 4 mijë raste të koronavirusit në 312 nga 613 shtëpi pleqsh të Nju Jorkut, si dhe 1.231 vdekje të lidhura me virusin.

Covid-19 ka shkatërruar edhe objektet e kujdesit ndaj të moshuarve në të gjithë Evropën. Në Itali, Reuters raportoi se nga deklaratat zyrtare janë përjashtuar të moshuarit nëpër azile, të cilët janë në prag të vdekjes.

Houard nuk është i vetëdijshëm për çdo rast Covid-19 në azilin e Luisës; administratori i shtëpisë konfirmoi praninë e tyre këtë të hënë, por nuk u tregua i disponueshëm për koment.

Kësisoj, po përgatitet mendërisht për lajme të këqija. “Askush nga ne nuk e di se si do të dalë nga kjo situatë,” tha ai.

Virusi zor se është shqetësimi i vetëm për banorët e shtëpive të pleqve. Shumë prej shërbimeve janë shkurtuar, dhe rezidentët mbështeten vetëm në ndihmat që iu ofrojnë familjarët gjatë vizitave. Kufizimi i batanijeve me muaj të tërë, do të ishte mizore dhe çnjerëzore, tha Houard.

Në shtëpi, ai pikturon. Por jeta e tij, e lidhur kaq ngushtë në rutinën e t’u përkujdesurit për Luisën, nuk ka më kuptim. “Të vetmet shenja jete në shtëpi më vijnë prej maceve, të cilat kërkojnë të ushqehen.”

Gjatë kohërave normale, Houard e takon Luisën menjëherë pasi konsumon mëngjesin. Ai është i përpiktë për orarin e takimit. Ndërsa Luisa është më e freskët në orët e para të ditës.

Houard performon për Luisën muzikë klasike, i lexon dhe ndonjëherë i mban dorën. “Një mënyrë e jona për të komunikuar,” tha ai.

E ndihmon atë me ushtrime të lëvizjes dhe, në sajë të motit, e shoqëron jashtë për ajër të pastër. I lan gjithashtu dhëmbët, sikuse edhe qepallat, për të minimizuar riskun e infektimit.

Gjatë secilës nga tre vizitat e fundit të Houard, Luisa i hapi sytë fare pak dhe i buzëqeshi. “Në të ekziston ende ajo shkëndija e njohjes,” tha ai. “Është sporadike, aspak e zakontë për dikë që sëmundja i është avancuar së tepërmi.”

Luisa ishte një historiane mjaft e bukur. Houard e pa për të parën herë në moshën 27-vjeçare në galerinë e njohur Ileana Sonnabend, që kontribuoi për të sjellë pop artin amerikan në Evropë. Ajo punonte atje ndërsa studionte kitarë dhe ndiqte kurse gatimi në institutin Cordon Bleu.

Houard e pikasi teksa fliste me siguri të pashoq frengjisht dhe anglisht me klientelën e sofistikuar të galerisë. “Luisa i josh të gjithë me buzëqeshjen e saj,”- tha Houard. “Edhe personelin e azilit. Ajo ka një klub tifozësh atje.”

Vite pasi u kthyen nga Parisi dhe po jetonin në çatinë e një artisti në qendër të Manhatanit, çifti po mendonte për fëmijë. Mirëpo, nuk vonoi shumë kur Luisa pësoi një abort. Që nga ai moment, filluan të shikonin një tjetër vend për të jetuar, në një qytet të quajtur Walker Valley. Ata blenë një pronë për 28.500 dollarë, që përfshinte një fabrikë të rrënuar, dhe vendosën ta punonin, duke mbjellë njëkohësisht patatet që dëshironte Luisa. Disa vite më vonë, u zhvendosën njëherë e mirë. Megjithatë, e gjithë hapësira që i rrethonte u kujtonte një boshllëk që u mbeti në jetë.

Në 1994, ata adoptuan vajzën e tyre në moshën 1-vjeçare. Luisa e braktisi plotësisht veten e saj, duke u kujdesur pikërisht për Laurel. Në hyrjen e një ditari, të shkruar në Ditën e Nënës (1998), Luisa rrëfen e emocionuar se si Laurel në moshën 4 vjeç i solli mëngjesin në shtrat.

Një arsye për ruajtjen e ditarit, sipas asaj që ka shkruar Luisa, ishte që e bija ta lexonte atë një ditë. “Është shumë i rëndësishëm regjistrimi i momenteve me Laurelin. Dua t’i dhuroj një të shkuar sepse ajo nuk ka lidhje me familjen biologjike kineze, e cila mund ta prezantonte atë me vende, individë specifikë…”

Luisa bënte ndër të tjera edhe bizhuteri floriri në studion e shtëpisë. Sidoqoftë, në fillim të viteve 2000, kishte shumë pak shenja se çfarë pritej. Ajo po fillonte të harronte.

Në vitin 2008, Luisa u diagnostifikua me epilepsi. Në fillim të vitit 2010, me Alzheimer.

“Gjithçka ndryshoi,”-tha Houard. “Nuk iu përkushtova më punës dhe pikturës, pasi ajo kishte nevojë për mua.”

Ndërsa qindra milionë amerikanë janë vetë-izoluar, anëtarët e ndarë të familjes shqetësohen pafund për njëri-tjetrin. Ashtu si Houard nuk mund ta shohë gruan e tij, vajza e tyre, Laurel, tani 27 vjeç, nuk mund ta shohë Houardin.

Laurel,  e cila punon për marketing në Manhatan, nuk ka qendruar kurrë jashtë apartamentit të saj me javë tëra. Por, momentalisht po punon nga shtëpia nën shoqërinë e sirenave të ambulancave. “Nuk resht së menduari për tim atë,” tha ajo.

Për vite me radhë pasi Luisa u diagnostifikua me Alzheimer, Houard kujdesej për të duke filluar nga banja, ushqyerja dhe kryerja e nevojave personale. Por, situata po përkeqësohej gjithmonë e më shumë. Para se të zhvendosej në shtëpinë e pleqve në 2015, Houard e çoi për herë të fundit në Paris. Në fotografitë e udhëtimit Luisa shihet nëpër restorante, teksa mban në duar gota të zbrazëta vere.

Në fund të marsit, Houard mori një email inkurajues nga një mjek. “Dua t’ju them se pashë Luisën sot dhe ajo dukej mirë. Kishte mbaruar mëngjesin dhe ishte ulur në karrocën e saj,” lexohet në një fragment.

Megjithatë, që nga ajo kohë, ka patur zhvillime shqetësuese. Houard mësoi se Luisa kishte vjellur tre vaktet e saj të fundit. Pastaj zbuloi nga raportet e shtypit lokal se një azil pranë kishte një rast fatal të virusit, dhe se dy të tjerë në zonë kishin raportuar simptomat e tyre të para.

Houard u njoftua gjithashtu nga muzetë dhe galeritë në Gjermani dhe Zvicër se ekspozitat e tij po mbylleshin. “Unë nuk po ndalem nga asgjë,” tha Houard. “E vetmja gjë që dua është kontrolli ndaj këtij virusi.”

Pasi u zhvendos në shtëpinë e pleqve, Luisa hyri në një fazë të agravuar të sëmundjes. Në atë kohë, stafi i infermierisë i tha Houardit se ata nuk e prisnin që ajo të jetonte gjatë. Për habinë e tij, me vizitat e shpeshta, Luisa ka qenë në gjendje të tërhiqet nga pragu i vdekjes. “Nuk mendoj se dikush e ka kuptuar se sa e fortë është”, tha Houard.

Ekziston të paktën një përjashtim që disa shtëpi pleqsh po bëjnë për të lejuar vizitorët. Nëse një banor po vdes, një anëtar i familjes mund të vijë një herë të fundit. Por Houard thotë se kjo lloj vizite nuk i intereson. Ai e viziton Luisën me një qëllim fare të thjeshtë, për ta mbajtur atë gjallë.

Përktheu: Fjala.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here