Vrasja enigmatike e albanologut, cfare shkruante Nju Jork Times?!

0
144
Akuzat e Ajnshtajnit ndaj regjimit fashist te Beogradit u botuan menjehere ne shtypin europian dhe amerikan te kohes.
(The New York Times, May 6, 1931.)

 

Nga Ardian Muhaj

 

Në 19 shkurt 1931 vdiq akademiku kroat Milan Shuflaj, studiuesi më i shquar i historisë mesjetare të shqiptarëve i të gjitha kohërave. Edhe sot 9 dekada pas vrasjes së tij albanologjia shqiptare nuk ka njohur studiues më të aftë dhe të thelluar e me kontribute themelore për mesjetën shqiptare se sa kroati Shuflaj. Natën e atentatit të kryer ndajt tij nga esktremistët serbë sapo ishte kthyer nga një vizitë në Shqipëri dhe ku ishte pritë nga vetë Mbreti i shqiptarëve, Zog I. Në mbrëmjen e 18 shkurtit të vitit 1931, rreth orës tetë, në Zagreb, Milan Shuflaj sulmohet në pragun e shpisë së tij dhe disa orë më vonë, të nesërmen, më 19 shkurt vdiq si pasojë e atyre plagëve. Vrasësit ishin tre serbë të urdhëruar nga regjimi i Beogradit.

Milan Shuflaj u lind më 8 nëntor 1879 në Lepoglavë të Kroacisë. Studioi për shkenca shoqërore në Universitetin e Zagrebit ku doktoroi në vitin 1901. Në vitet 1902-1903 u specializua në Vjenë për paleografi latine e diplomatikë. Në vitet 1904-1908, Shuflaj punoi në Bibliotekën Kombëtare të Budapestit. Këtu i thelloi njohuritë e tij mbi historinë e shqiptarëve. Në vitin 1908 u emërua profesor i rregullt në Universitetin e Zagrebit. Si bashkautor me Thalocin dhe Jireçekun, në vitin 1913 dhe 1918, botoi kryeveprën Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, vol. I-II. Në vitin 1920 botoi romanin historik me temë nga mesjeta shqiptare Konstantin Balsha, me pseudonimin Alba Limi. Pas shpërbërjes së shtetit austro-hungarez pas luftës së Parë Botërore u angazhua politikisht për pavarësinë e Kroacisë dhe kundër përfshirjes së saj në një shtet të përbashkët me Serbinë. Në dhjetor të vitit 1920 Shuflaj u burgos nga regjimi i Beogradit si kundërshtar i përfshirjes së Kroacisë nën mbretin serb dhe në shtetin me kryeqytet Beogradin, duke u dënuar me tre vjet e gjysmë burg, prej te cilave beri dy vite ne burgun e Mitrovicës se Sremit.

Pas lirimit nga burgu, në vitin 1924 botoi studimin mbi qytetet e shqiptare gjatë mesjetës Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters. Studimet albanologjike i vazhdoi me botime të tjera ne vitin 1925, veçanërisht librin Srbi i Arbanasi, i cili për rëndësinë që kishte për kundërshtimin e miteve serbe mbi shqiptarët u përkhye dhe u botua një vit më pas në Tiranë nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë.

Në vitin 1929 mori miratimin e Akademisë Vjeneze të Shkencave për vazhdimin e botimit të Acta Albaniae. Në këtë projekt pati përkrahjen e qeverisë e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj për të mbuluar të gjitha shpenzimet për një ndërmarrje të tillë madhore. Në këtë kohë, dhe për shkak të respektit që gëzonte në Shqipëri, qeveria e mbretit Zog e ftoi për vizitë. Pas shumë vështirësish nga regjimi i Beogradit mundi të merrte pasaportën dhe lejen për udhëtim duke mbërritë në Shqipëri në mesin e janarit të vitit 1931. Kjo vizitë do të ishte vizita e fundit e tij në Shqipëri, pasi pak kohë pas kthimit në Zagreb, regjimi i Beogradit kishte përgatitë vrasjen e tij.

Vrasja e një akademiku të tillë shkaktoi shqetësim dhe reagim të madh në botën shkencore europiane të kohës. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” Romë, “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, përveç gazetave shqiptare e hungareze. Vrasja e tij bëri që një numër i madh nga njerëzit më të njohur të shkencës e artit duke përfshirë Albert Einstein-in dhe Heinrich Mann-in, të reagonin duke e dënuar ashpër dhe duke kërkuar vënien e autorëve përpara drejtësisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here