Ish-deputetja e PD-së Grida Duma ishte e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” ku ndër të tjera foli edhe për konfliktin mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Irani ose bazat që u goditën pas vrasjes së gjeneralit ishte tërësisht një lëvizje e Iranit për të mos humbur fytyrën. Irani donte të thoshte se shiko se edhe ne mund të reagojmë. Është shumë me vend ajo që thotë Trump, se Irani nuk ka fituar asnjë luftë, por ka fituar marrëveshje. Irani nuk ka fuqi aktesh terroriste. Nuk duhet pasur panik për ndonjë sulm nga Irani për veprim të logjikës terroriste. Të gjithë ata që merren me diplomaci, e dinë se me Iranin mund të veprohet me shkop të një ushtrie. Akti i marrjes së muxhahedinëve në Shqipëri është një akt humanitar dhe politik i qartë, si dhe strategjik, pasi ne jemi përkrah SHBA. Nëse ka një gjë që Shqipëria e ka bërë mirë është strehimi i muxhahedinëve. Deklaratat se Shqipëria na qenka një vend ‘djallëzor’ është vetëm politik, pasi në Iran ka sistem autokratik”, tha Duma.
Grida Duma vlerëson se presidenti i Amerikës Donald Trump ka vepruar në mënyrë “par execellce” në raport me Iranin, duke treguar forcën e vërtetë përballë një shteti që kërcënon me terrorizëm.
Më tej, Grida Duma theksoi se regjimi iranian ka vrarë vetëm në dy muajt e fundit mbi 2700 njerëz, gjë që tregon se kemi një shtet tepër të kriminalizuar.
“Ky është një regjim, që e mbyt fjalën e lirë, vret. Në Iran, në dy muajt e fundit janë vrarë mbi 2700 njerëz, pra kemi të bëjmë me regjim kriminal. Është kërcënimi i një regjimi, që frikëson botën. Marrëveshja nukleare me Iranin është konsideruar e keqe”, u shpreh Duma.