Pastroi 500 mijë euro italiani, i akuzuar për mashtrim, i pafajshëm

0
152

photoVendimi, Pietro Grandoni i shpëton dënimit me 6 vite heqje lirie

Nuk provohet pastrimi i parave, megjithëse s’justifikohet origjina e tyre

Pietro Grandoni, italiani që akuzohej nga prokuroria për pastrimin e 500 mijë eurove në Shqipëri është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës. Vendimi është marrë nga gjyqtari Altin Abdiu, i cili për 15 seanca me radhë është njohur me provat e organit të akuzës dhe prokurorëve dhe më pas, ka vendosur të shpallë të pafajshëm shtetasin Italian. Pietro Gradoni, në fakt, ka qenë bashkë i pandehur me një bashkështetas të tij të quajtur Alesandro Locatelli, për të cilin mësohet se Prokuroria e Tiranës ka zgjedhur të vazhdojë gjykimin veçmas, për shkak të mosgjetjes së tij. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se dy italianët të cilët kanë dhe precedentë të mëparshëm në vendin e tyre, u vunë nën hetim në vitin 2010, kur një bankë e huaj që operon në vendin tonë sinjalizoi policinë shqiptare për transfertat e dyshimta që po kryenin Locatelli dhe Pietro Grandoni. Në dosjen e prokurorisë sqarohet se më 5 mars 2010, Alesandro Locatelli ka kryer dy transferta nga Sllovenia në Shqipëri në shumën totale të 500 mijë eurove. Pas kësaj transferte, i pandehuri ka brenda bankës shumën prej 490 mijë euro në drejtim të shoqërisë që përfaqësohej nga Pietro Grandoni. Në momentet kur atyre u janë refuzuar nga banka transferta të tjera, të dy kanë krijuar një shoqëri për shitje konfeksionesh në vendin tonë. Në këto kushte, prokuroria ka kërkuar para gjykatës dënimin me 6 vite burg dhe 10 milion lekë gjobë për Pietro Grandonin, por që kjo kërkesë është refuzuar nga ana e gjykatës, e cila ka vendosur të pranojë kërkesën e mbrojtjes, duke shpallur të pafajshëm italianin dhe heqjen e masës së sekuestros së shumës prej 490 mijë euro.

“Shitja” e dyqaneve

Në bankën sllovene, nga e cila ka nisur paratë, shtetasi italian ka deklaruar se kjo shumë parash vinte nga “shitja e një zinxhiri dyqanesh ushqimore në Gjermani”. Paratë janë dërguar ndërkohë në llogarinë e një shoqërie biznesi në Tiranë, pronë e shtetasve italianë Gianpiero (Giampiero) Casavecchia, Roberto dhe Renato Casavecchia. Pak ditë më vonë, në datën 12 mars 2010, shoqëria me seli në Tiranë, e cila kishte marrë shumën, ka dashur të transferojë shumën 490.000 euro në drejtim të shoqërisë “AGAR” SRL me përshkrim “kthim fondi për moskryerje investimi”. Shoqëria “AGAR” SRL është një shoqëri italiane, e cila nuk është e regjistruar në Shqipëri. Pasi është bërë kjo transfertë, pra paratë kanë kaluar në emër të “AGAR” SRL, nga llogaria e saj janë bërë tri tërheqje kesh nga i akuzuari Pietro Grandoni, shtetas italian. Pas tri tërheqjeve të bëra prej tij, ky shtetas ka dashur që shumën prej 427.000 eurosh të ngelura në llogari, ta transferojë në Itali, në llogarinë e shoqërisë së tij atje, apo në llogarinë e një shoqërie tjetër italiane atje, “IF” SRL. Por këtu ka ngecur gjithçka, pasi banka nuk ka pranuar të bëjë transfertën me argumentin se burimi i parave nuk ishte i qartë dhe lëvizjet e shumave në fjalë nuk ishin të justifikuara. Nisur nga ky fakt, janë bërë hetime nga Prokuroria nga ky ka rezultuar se në dokumentacionin e paraqitur nga Pietro Grandoni në bankë nuk përmendet qoftë edhe një herë fakti se shuma prej 500.000 eurosh është transferuar nga Sllovenia nga Alessandro Locatelli, i cili ka deklaruar në bankën nisëse se burimi i të ardhurave është “shitja e një zinxhiri dyqanesh ushqimi në Gjermani”. Nga hetimi është gjetur se dokumentacioni i paraqitur nuk është hartuar pranë një noteri, por janë vetëm deklarata midis palëve, fakti që llogaria bankare e “AGAR” SRL pranë bankës “Veneto” është hapur në datën 12.3.2010 kur është transferuar shuma dhe dokumentacioni i zgjidhjes së marrëveshjes midis palëve për të justifikuar transferimin e shumës mban po këtë datë, si dhe duke parë justifikime të ndryshme të shumës së sekuestruar, rezulton se ky dokumentacion është fiktiv.

Italianët gjobëvënës

Gjatë hetimeve Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana dhe autoritetet italiane kanë konfirmuar se personat e përfshirë në këto transaksione rezultojnë persona me veprimtari kriminale. Shtetasi Alessandro Locatelli, sipas përgjigjes së ardhur, njihet nga autoritetet italiane si i denoncuar në vitin 1985 për gjobëvënie, në vitin 1994 për thyerje të procedurave të falimentimit, marrje kredish abuzive, të procedurave të pagesës së taksave mbi të ardhurat personale, mashtrim, në vitin 1996 për mashtrim, në vitin 1998 për përvetësim të pronës më anë të mashtrimit. Ai është dënuar nga Gjykata e Triestes më 1.3.2001, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit e Venecias më datë 5.3.2004, sepse në rolin e administratorit dhe/apo bashkë administratorit të shoqërisë “Infitex” Srl, përvetësonte, tjetërsonte dhe zhdukte prona të shoqërisë. Po kështu, i akuzuari Alessandro Locatelli është dënuar për një serë krimesh në fushën financiare, të parashikuara nga neni 216 i ligjit mbi falimentimin në Candiana (Padova Itali), pasi për vite me radhë ka mashtruar e më pas përfituar në mënyrë të paligjshme dhe tjetërsuar pasuri të personave të tretë, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për shoqëritë e përfshira në shifra që shkojnë deri në 1.045 miliardë lireta. Pietro Grandoni njihet nga autoritetet ligjzbatuese italiane si person me aktivitet kriminal, në datën 25.1.1996 për falsifikime të ndryshme, në datën 23.1.2004 për vjedhje të një furgoni, në datën 21.5.2007 për kërcënim, në 6.6.2009 për mashtrim si përfaqësues ligjor i shoqërisë “Valera Jeans” Srl. Sipas hetimeve, në vitet 2007-2008, Pietro Grandoni ka grumbulluar një shumë prej 266.106 eurosh dhe 257.694 eurosh nga një vetëpunësim i padeklaruar te një kompani me qendër në Rumani.

 

 

Një helikopter u erdhi në ndihmë turistëve

Bllokohen 7 turistë kroatë në

Jezercë, shpëtohen nga ushtria

Shtatë turistë kroatë janë bllokuar në malin e Jezercës dhe u desh ndërhyrja e Forcave Ajrore për shpëtimin e tyre. Mësohet se turistët kishin lajmëruar se ishin bllokuar në mal, dhe menjëherë u nis një helikopter për shpëtimin e tyre. Nëpërmjet një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se njëri prej turistëve kishte marrë vetëm një dëmtim në krah si pasojë e një aksidenti, ndërsa të tjerët gëzojnë shëndet të mirë. “Me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, dje në orën 15.00 helikopteri tip “Cougar” i Forcave Ajrore u nis në fluturim në drejtim të Alpeve, në malin e Jezercës, për të bërë evakuimin e shatë turistëve kroatë të bllokuar prej disa orësh. Helikopteri “Cougar” i drejtuar nga piloti nënkolonel Altin Lame dhe piloti instruktor francez major Thierry Solignac, së bashku me ekuipazhin, arritën në Malin e Jezercës, ku pas kërkimesh në këtë rajon bënë të mundur gjetjen e të shtatë turistëve kroatë, gjashtë prej të cilëve ishin në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa një i dëmtuar në krah. Më herët, gjatë ditës së djeshme, një helikopter i Ministrisë së Brendshme ka tentuar të bëjë evakuimin e turistëve në malin e Jezercës, por për shkak të kapacitetit të kufizuar për evakuimin e shtatë turistëve të bllokuar, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile kërkoi mbështetjen e Forcave të Armatosur për të bërë të mundur shpëtimin e jetës së turistëve kroatë duke përdorur helikopterin “Cougar”, – shprehet MM-ja.

 

Takimi mes Adriatik Llallës dhe Christine Morosë

Prokuroria: Hetim të plotë

azilkërkuesve që mashtrojnë

Prokuroria e Përgjithshme hyn në lojë për hetimin e azilkërkuesve të rremë nga Shqipëria drejt Bashkimit Evropian. Fokusi i këtij hetimi do të jetë sidomos tek ata qytetarë shqiptarë të cilët përdorin dokumente të falsifikuara si të përfshirë në gjakmarrje për të përfituar statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe tek ata persona të cilët i lëshojnë këto dokumente. Ky qëndrim u përsërit nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla gjatë një takimi me përfaqësues të misionit të Zyrës Franceze të Mbrojtjes së Refugjatëve dhe ambasadoren franceze në vendin tonë Christine Moro, pasi Franca është destinacioni i pëlqyer i azilkërkuesve shqiptarë. Pala franceze në këtë takim kërkoi nga organi i akuzës shqiptare që të evidentohen dhe hetohen të gjitha rastet,si dhe personat e përfshirë në dhënien e dokumenteve false. Ndërsa drejtuesi i prokurorisë shqiptare Llalla garantoi se institucioni që ai drejton do të bëjë çdo gjë për të parandaluar këtë fenomen, pasi mund tu kushtojë shumë shqiptarëve atë që aq shumë e kanë ëndërruar, lëvizjen e lirë në Evropën e bashkuar. Sipas statistikave, vetëm në periudhën janar-qershor të vitit 2012 në Francë kanë kërkuar azil 830 persona, duke devijuar në këtë mënyrë Belgjikën dhe vendet skandinave. Duke pasur parasysh këto shifra është bërë takimi edhe me kryeprokurorin Llalla në mënyrë që fenomenit t’i vihet fre, duke mos rrezikuar kështu edhe lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency