Presidenti Donald Trump bëri një postim në Twitter, të cilin më pas e fshiu, ku përfshihej emri i personit që aludohet të jetë informatori anonim, ankimimi i të cilit mundësoi ngritjen e akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve me qëllim shkarkimin nga detyra të zotit Trump.
Pak përpara mesnatës të së premtes, Presidenti Trump ripostoi një mesazh në Twitter të shkruar nga llogaria @Surfermom77. Në Twitter pretendohet se kjo llogari i përket një gruaje të quajtur Sophia, e cila jeton në Kaliforni. Në këtë llogari vihen re shenja aktiviteti të lartë, të pazakontë si dhe foto profili me imazhe të marra nga interneti.
Deri në mëngjesin e së shtunës, postimi në fjalë ishte hequr nga llogaria e Presidentit Trump, megjithëse mund të gjendet ende në disa arkiva, ndër to edhe një faqe interneti që arkivon çdo mesazh në Twitter të presidentit.
Zoti Trump ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet për zbulimin e identitetit të informatorit. Por kjo është hera e parë që ai e poston emrin e aluduar për ta parë të 68 milionë ndjekësit e tij. Zbulimi i emrit të informatorit, një punonjës i shërbimeve të zbulimit, mund të jetë shkelje e ligjeve federale që kanë gëzuar historikisht mbështetjen e të dyja palëve politike.