Mini – Shengeni si mini – Naçertanie…

0
339

Nga Luçiano Boçi

Që marrëveshja e inspiruar nga Vuçiç dhe e mbështetur nga Rama nuk ngjan aspak me Shengenin evropian, përpos pagëzimit që i kanë bërë, nuk ka dyshim. 12 arsyet e parashtruara nga prof Fuga janë shteruese. Gama tjetër e qëndrimeve të tjera këtu e në Kosovë prodhojnë vektorin e qartë, sipas të cilit mini-Shengeni është një formë e përshtatur e qëllimeve dhe interesave serbe në rajon, për të rifituar e vendosur hegjemoninë serbomadhe. Dhe ky qëllim është i vjetër sa vetë historia. I vetmi ndryshim këtu është përkrahja e vetëofruar nga faktori qeveritar shqiptar, me iniciator kryeministrin Rama, i ngjashëm me gadishmërinë komuniste të Hoxhës, për nënshtrim ndaj Titos.

Njëherazi mos të harrojmë që “pushtimet” e dominimet e territoreve tanimë nuk janë fizike. Koha ka evoluar dhe në rajonin tonë. Serbia e ka kuptuar mirë një gjë të tillë. Pushtimet e dominimet tani janë ekonomike, politike e kulturore. Sigurisht arketipi serb nuk heq dorë nga lufta totale. Fakti që nga një anë kërkon pushtimin e butë nëpërmjet tregut, e nga ana tjetër vazhdon egër të godasë progresin politik të shtetit të Kosovës, duke u përpjekur të pengojë ose të detyrojë tërheqjen e njohjeve që i kanë bërë shumë shtete asaj, tregon që mjetet janë gjithëpërfshirëse. Po t’i shtosh këtu dhe situatën skandaloze në të cilën gjenden trojet shqiptare brenda territorit të Sebisë, panorama bëhet më e plotë. Jo vetëm kaq. Duke u thelluar më tej, iluzionet e ndryshimit të linjës serbe e të qëndrimit të saj ndaj faktorit shqiptar, rrëzohen sapo i drejtohesh historisë dhe vështrimit të ideologjisë funksionale, tejet nacionaliste që ka ushqyer qëndrimin e saj dhe ecurinë e saj si shtet, në raport me fqinjët, sidomos shqiptarët dhe faktorët me peshë në rajon.
Historia tregon qartë që ky projekt i ri nuk është aspak mini-shengen dhe rrënjet e tij janë shumë të thella. Në qëndrimin serb asgjë s’ka ndryshuar, vetëm është modifikuar. Kësisoj projekti i ri sjell në jetë projektin e vjetër, i cili do t’i siguronte Serbisë që në shekullin e XIX dominimin e rajonit, por që rrjedha e historisë i dha një drejtim krejt tjetër.

Projekti i vjetër njihet si NAÇERTANIE.

Naçertanie u hartua si platformë politike në 1844 nga Ilia Garashinin, ministër i brendshëm dhe më pas dhe kryeministër. Propozimin për këtë ia dha pansllavisti çek Frantishec Zach. Nacertanie do t’i siguronte Serbisë rilindjen e perandorisë, formimin e shtetit të madh serb, pa u kufizuar në kufijtë e momentit, por duke përfshirë gjithë popujt serbë nën të dhe territore që pretendoheshin të tilla, përfshirë Kosovën dhe një pjesë të Shqipërisë. Doktrina u mbështet në atë që ai e quajti dhe që më pas u shndërrua në sloganin më të fortë nacionalist serb, “në të drejtën e shenjtë historike”, që sot nuk ka ndryshuar në asnjë gërmë.

Këtij projekti Garashanini i dha konceptin kombëtar serbomadh. Për ta realizuar programin e vet, Garashanini parashikoi organizimin e shërbimit informativ dhe të një sistemi të zhvilluar propagandistik (dërgimin e agjentëve, shkollimin e të rinjve të atyre vendeve në Serbi,pranimin e tyre në shërbimin shtetëror serb për të fituar përvojë të nevojshme, edukimin e tyre në frymën e politikës së përcaktuar, botimin në Serbi të librave fetarë, historikë dhe të librave të tjerë, mbështetjen e peshkopit të Malit të Zi, themelimin e gazetave në viset matanë Savës etj.). Më vonë ndërmori edhe organizimin e shoqërive sekrete në zonën turistike dhe të qendrave propagandistike. Vitet kanë kaluar por ngjashmëritë me projektin e sotëm serb, e zbehin distancën kohore.

Sipas Naçertanies boshnjakët janë serbë të fesë islame, d.m.th. serbë të myslimanizuar e gjuha që flasin ata është serbishtja.
Malazezët janë serbë, si për nga gjuha, ashtu edhe për nga feja. Maqedonia është Serbi Jugore. Kroatët ndërkaq, janë serbë të fesë katolike dhe gjuha që flasin ata është serbishtja. Kosova është Serbia e Vjetër. Ndërsa banorët e saj me nxitjen e kësaj doktrine u konsideruan turq të mbetur.
Ilija Garashanini dhe pasuesit që i zhvilluan me tej idetë e tij nacionaliste e shovinste Vuk Karaxhiçi, Jovan Cvijiçi, Vladan Gjorgjeviçi, Stojan Protiçi, Nikola Pashiçi, Slobodan Jovanoviçi, Vaso Çubriloviçi, Dobrica Çosiçi, e mbështetën pansllavizmin e antishqiptarizmin në dy postulate; e kujt është gjuha, i atij është territori; e kujt është feja, i atij është territori.

Naçertanie ndër vite u bë kështu platforma e dominimit serb dhe nxitësja themelore e pogromeve ndaj shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera.
Këto postulate është shumë e lehtë ti gjesh në rreshtat e Vuçiç apo Daçiç.

Pas një pauze gjatë sundimit të Titos, NAÇERTANIE u ringjall midis viteve 80-90. U punua ethshëm nga klanet klerikalo-politike-ushtarake për rimëkëmbjen e Jugosllavisë

unitariste, centraliste dhe etatiste me dominimin serb. Zbatues i kësaj ideologjie ishte zjarrvënësi i Ballkanit S. Milosheviçi. Nga garashinizmi nuk hoqi dorë as Boris Tadiçi, dëshmatari i nëshkrimit të marrëveshjes së 1 prillit 2013 në Shkodër, marrëveshje që çoi Ramën në pushtet, e as drejtuesit e tjerë serbë.

Nën këtë logjikë historike, “kthesa” e Vuçiç është e pamundur.
Dhe me të pamundur e bën atë vijëmësia e luftës frontale ndërkombëtare që ai dhe qeveria e tij bëjnë kundër Kosovës.
Vuçiç, ky mohues e masakrave serbe në Kosovë, në ndryshim nga të tjerët, ka ndryshuar mjetet e strategjinë për të realizuar Naçertanien e tij, e cila në analogji dhe si rimarrje e asaj të Garashininit mund të quhet pa frikë mini-Naçertanie, projekt që realizon më në fund dominancat ekonomike e politike serbe në rajon.

Merita kryesore e Vuçiç në këtë ekspansion është gjetja e partnerit të përshtatshëm shqiptar, Ramës, venturierit politik që nuk heziton që për pushtetin e tij personal t’i nguli thika historisë dhe së ardhmes së shqiptarëve.
Mini-Shengeni i Ramës dhe i Vuçiç është thjeshtë një mini-Naçertanie e rilindur Garashinin e Vuçiç.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here