Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka krituar takimin mes kryeministrit Edi Rama me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zorav Zaev. Gjosha tha se mungesa e Kosovës në këtë samit ngre pikëpyetje për ekzistencën e këtij projekti. Po ashtu ish-ministrja pohoi se qeveria shqiptare po tenton që përmes këtij samiti, të kamulfojë dështimet; negociatat me BE, situata pas tërmetit të 26 nëntorit apo dhe dështimi ekonomik.
”Unë mendoj se duhet të ndajmë disa koncepte. Atë që po ndodh realisht, me konceptin e bashkëpunimit rajonal në vetvete. Askush nga ne nuk ka asnjë dilemë kur themi se Shqipëria ka nevojë që të bashkëpunojë me vendet e rajonit. Rajoni ka nevojë për bashkëpunim të ngushtë. Por kur kthehemi dhe shohim se çfarë po bëhet me këtë forum, kam shumë gjëra për të thënë. Mungesa e Kosovës ngre pikëpyetje për ekzistencën e këtij projekti. Vet Mali i Zi ka pikëpyetjet e veta, edhe pse ishte në takim nuk e ka të zyrtarizuar ende pjesëmarrjen. Mënyra se si është shpejtuar, ka të bëjë dhe me dështimet e qeverisë me negociatat. Po mbulohet si çështje. Nëse kthehemi tek Shqipëria, është një angazhim për të kamufluar keqqeverisjen dhe dështimin me BE. Dështimi i qeverisë me ekonominë, me atë çka po ndodh pas tërmetit me ata njerëz që janë ende të pastrehë. Për këtë arsye mendoj se pikëpyetjet janë të mëdha. Asnjë bashkëpunim rajonal nuk mund të jetë i suksesshëm pa Kosovën. Kosova dhe Serbia kanë trazuar ujërat në rajon. Si mund të diskutojmë për bashkëpunim në rajon kur fton Kosovën dhe Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj?! Kjo iniciativë është e pasinqertë. Liderët që e drejtojnë këtë samit janë autoritarë. Për të mbuluar shumë dështime, është nisur kjo iniciativë dhe është e nxituar. Mënyra se si iu qas kryeministri ynë liderëve kosovarë është e gabuar. Ne ofendojmë disa liderë që janë legjitim dhe kanë mbështetje në vendin e tyre. Kjo është paturpësi. Se di nëse Mali i Zi do të bëhet pjesë e këtij samiti. Më duket më shumë një show dhe teatër, se sa tentativë reale. Ky rajon nuk funksionon i vetëm. Sado të duam ne që të krijojmë lidership në rajon, nuk e kemi këtë kulturë. Qeveria duhet të sqarojë shumë çështje. Se sa i dobishme është ky i samit”.