Ra tërmeti, që të kuptojmë sa i brishtë është shteti në Shqipëri

0
106

Tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, përveç 51 jetëve që mori, qindra personave që la të plagosur dhe dëmet kolosale në ekonominë shqiptare, ka sjellë në vëmendje edhe një sërë problemesh që kanë ndërtimet në vendin tonë. Në disa zona vjetërsia e objekteve, në disa të tjera moszbatimi i kritereve të ndërtimit, kanë bërë që dëmi, sidomos në Durrës, të shkojë në shifra gati të papërballueshme për buxhetin e shtetit shqiptar.

Por mbeten dy probleme shumë të mëdha, që përbëjnë një rrezik të madh për qindra e mijëra pallate në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha të vendit tonë.

Depozitat e ujit në tarracat e pallateve të vjetra, të ndërtuara gjatë sistemit komunist dhe ndërhyrjet në katetet e para anë një problem që në të ardhmen do duhet të shikohen më me seriozitet nga autoritetet shtetërore. Pallatet e ndërtuara nuk janë llogaritur për të mbajtur pesha të tilla në tarracat e tyre dhe në rast të një lëkundjeje sizmike, rreziku do të ishte i shumëfishtë për këto ndërtesa. Tarracat janë llogaritur për mbingarkesë 75 kg për metër katror, kurse pesha e një depozite varion nga 250 në 500 kg.

Ndërsa për ndërhyrjet që janë bërë në katet e para të ndërtesave të para viteve 90’, problem është edhe më i rëndë. Duke filluar që nga muret mbajtëse, kolonat, apo edhe themelet duhet të kalojnë përmes një procesi shumë të imët kontrolli nga ekspertë të fushës. Duhet të kontrollohen katet e para që janë kthyer në dyqane dhe janë prishur strukturat mbajtëse, si themele, mure apo kolona.

 

Raporti i KLSH

Ndërkohë, në raport i Kontrollit të Lartë Shtetit i nxjerrë në prill të 2019, përpara rënies së dy tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, i ka kërkuar institucioneve si Institutit të Ndërtimit, Ministrisë së Infrastrukturës, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit të realizojnë ndryshime ligjore, pasi ende punohet me legjislacion dhe referencave të viteve të kaluara që kishin parashikuar ndërtime në Shqipëri që nuk i kalonin 6 katet. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një kontroll në korrik në Institutin e Ndërtimit, duke e shtrirë më pas dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Pra fillimisht auditimi u fokusua te Instituti, por që KLSH-ja me një vendim të posaçëm e zgjeroi auditin dhe në institucionet e tjera.

Në raportin e paraqitur zyrtarisht në shtator të këtij viti, rekomandohen ndryshimet ligjore për mënyrën e cilësisë së ndërtimit. Sipas KLSH, çështjet e sigurisë së cilësisë për veprat e ndërtimit duhet t’i besohet një institucioni kompetent dhe të garantohet me ligj, i cili do të ishte i domosdoshëm për ngritjen e këtij institucioni. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duke mos u angazhuar në plotësimin e kuadrit ligjor mbi organizimin dhe funksionimin e Institutit të Ndërtimit, i cili prej 15 vjetësh funksionon në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Punëve Publike qershor 2004 “Për Krijimin e Institutit e Ndërtimit”, ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor që do të ndikonte në sigurimin e cilësisë së objekteve të ndërtimit, nëpërmjet kontrollit të cilësisë së produkteve dhe dhënies së oponencave teknike për objektet ndërtimore”, thuhet në konkluzionet e këtij auditimi të KLSH. Më tej në raport theksohet se “mungesa e një stafi të kompletuar teknikisht, rekrutimi i punonjësve jashtë profilit dhe pa eksperiencën e domosdoshme, si dhe mungesa e një laboratori të akredituar, ka sjellë dhënien e oponencave jocilësore dhe mungesën e kontrollit të produkteve ndërtimore, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi, që siguron të ardhurat për vetfinancim”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur në konkluzionin se “Baza ligjore e funksionimit të Institutit është e pamjaftueshme. Krijimi i këtij institucioni me objekt kryesor të punës, një fushë shumë të rëndësishme, me një urdhër të ministrit, si dhe funksionimi i tij në zbatim të një rregulloreje të miratuar vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm, krijojnë mundësinë e mosfunksionimit normal të IN”, thuhet në këtë raport.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Institutit të Ndërtimit, të shprehet qartë për konkluzionin mbi konformitetin me kushtet teknike të projektimit, duke dhënë tre lloje opinionesh përfundimtare për oponencën teknike të çdo objekti. Për këtë është propozuar tre mënyra vlereësimi si: “Projekti është i plotë dhe oponenca të shprehet CERTIFIKOHET; Projekti ka mangësi që nuk cenojnë kërkesat themelore dhe oponenca shprehet CERTIFIKOHET ME REZERVË (Për plotësim) dhe se Projekti nuk plotëson kërkesat themelore dhe oponenca shprehet NUK CERTIFIKOHET deri në plotësimin total të projektit dhe dokumentacionit të nevojshëm, si dhe kthimin e projektit të rishikuar për oponencë”.

Një tjetër shqetësim të ngritur nga KLSH-ja është se laboratori i këtij institucionit nuk është sipas standardeve, duke e cilësuar si jo efektive dhe jo në funksion të rritjes të nivelit të sigurisë të veprave ndërtimore. “Drejtoria e laboratorëve të Institutit të Ndërtimit ofron shërbime testimi të pa akredituara, për klientët në fushën e ndërtimit, por edhe shërbime të tjera si: Ekspertizave dhe inspektim të veprave ndërtimore për klientë të jashtëm. Në drejtorinë e laboratorëve të Institutit të Ndërtimit, kryhet një numër i madh testimesh me pajisje të pa kalibruara. Kalibrimet e jashtme paraqiten jo të plota dhe jo për të gjitha pajisjet në zbatim të kërkesave të standardit ISO/IEC 17025:2005, pika 5.5, të MC dhe të procedurës DL-PT-07”, theksohet në raportin e auditimit. Për pajisjet që kanë ndikim në cilësinë e testimeve nuk është mbajtur një status i vlefshëm kalibrimi, ku KLSH përcakton se për makinat e testimit universale shtypje/tërheqje apo dixhitale, nuk kanë certifikatë kalibrimi ku të jetë identifikuar data e fundit e kalibrimit dhe data e planifikuar për kalibrimin e ardhshëm (në zbatim të frekuencës së kalibrimit) dhe për pasojë nuk mund të gjykohet mbi mirëmbajtjen korrigjuese të pajisjeve nëpërmjet zbatimit të programeve vjetore të kalibrimit të brendshëm dhe të jashtëm dhe programeve të mirëmbajtjes parandaluese si dhe sigurimit të gjurmueshmërisë në mënyrë të vlefshme.

Nga auditimi është konstatuar edhe se kapacitetet profesionale të të punësuarve në drejtoritë kryesore të Institutit të Ndërtimit, nuk janë në nivelin që kërkon një institucion kontrolli dhe kërkimor – shkencor. Fakt është që nga 16 punonjësit e Drejtorisë së Rregullave Teknike dhe Oponencës, 7 punonjës nuk kanë licencë për projektim, edhe pse është kriter i kërkuar dhe 5 punonjës janë të sapo diplomuar dhe pa eksperiencë në fushën e projektimeve, si dhe kryerja e oponencave nga bashkëpunëtorët e jashtëm, evidenton mungesën e kapaciteteve teknike për kryerjen e oponencave teknike.

 

Tregu

Tërmeti i datës 26 nëntor ka ndikuar në tregun e shitblerjeve të pronave të patundshme. Gjatë ditëve pas tërmetit, ka patur kërkesa nga qytetarët që kërkojnë kryesisht të blejnë apartamente në katet e fundit. Por, momentalisht asnjë transaksion nuk po kryhet dhe për këtë ka dy arsye. E para, ende objektet janë në fazë vlerësimi dhe e dyta, blerësi potencial është ende i pasigurtë. Ka kërkesa të shumta për apartamente me qira, në godina që nuk janë prekur nga tërmeti dhe ku nuk janë shkaktuar dëme, madje ky fenomen nuk ka ndodhur vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë. Fenomeni tjetër është se ata që jetojnë me qira, telefonojnë agjencitë dhe kërkojnë që t’ju gjejnë shtëpi me qira në Tiranë.

Por ç’ndodh me çmimet e shitjes?

Pronat janë ofruar në treg me një çmim të skontuar nga 20 deri në 25 për qind poshtë vlerës së tregut të hapur. Në Tiranë nuk vërehet ky fenomen, por ka ndryshim të çmimit të qirave, duke shënuar rritje të ofertës nga 10 deri në 15 për qind dhe kjo është e dukshme. Sa i takon Durrësit, kërkesat për qira janë të larta kryesisht për shtëpi private edhe në rrethina, apo në zonën e Arapajt.

====

 

Ja si po vidhet edhe në situata emergjence!!!

 

Brenda dy ditësh, nga dita e tërmetit, Bashkia Tiranë bleu me urgjencë dhe pa garë katër makina të vjetra zjarrfikëse nga kompania Timak shpk, me vlerë totale 170 mijë euro. Çdo gjë — nga hartimi i specifikimeve të blerjes, vendosja e procedurave, identifikimi i ofruesit, negocimi me të dhe vendimi i blerjes — ndodhi brenda 48 orësh. Tërmeti u përdor si pretekst për urgjencën e procedurave dhe shmangien e konkurrencës, për të blerë mjete të përdorura, të vjetra dhe me cilësi të dyshimtë.

Më 27 nëntor, një ditë pas tërmetit, Bashkia Tiranë vendosi prokurimin me negocim direkt, pa shpallje të njoftimit për katër kamionë zjarrfikëse me fond limit pak më shumë 20,8 milionë lekë. Kjo procedurë do të thotë se Bashkia Tiranë vendos vetë se kujt do t’ia blejë automjetet pa asnjë kriter apo kufizim. Dy ditë më pas, më 29 nëntor, Bashkia shpalli fituesin: kompaninë Timak shpk, e cila kishte paraqitur ofertë me vlerë 20,8 milionë lekë (170 mijë euro), sa 99,9 për qind e fondit limit—saktësisht rreth 270 euro më pak se limiti.

Kjo do të thotë se vetëm brenda një dite pune, Bashkia negocioi dhe ra dakord me Timak për blerjen.

Në kushtet e blerjes u kërkua “të jenë të targuara me dokumentacion të rregullt” dhe dorëzimi të bëhej “brenda 1 dite pranë Shërbimit Zjarrfikës Tiranë”. Kjo do të thotë se Timak shpk i ka pasur gjendje zjarrfikëset. Pse një kompani mund të mbajë stok makina zjarrfikëse, të përdorura dhe të një cilësie të dyshimtë, mund të spekulohet nga çdo kush, por blerja në mënyrë urgjente pa asnjë konkurrencë, fiks me vlerën e fondit limit, ngre dyshime se ka patur koordinim mes Bashkisë Tiranë dhe kompanisë, që para shpalljes së procedurës së prokurimit.

Neni 33 i ligjit të prokurimit publik thotë se “procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit përdoret vetëm në rrethana të veçanta” dhe përdorimi i saj “nuk duhet të çojë në shmangien e konkurrencës, apo të diskriminimit të kandidatëve”. Gjendja pas tërmetit të 26 nëntorit mund të konsiderohet rrethanë e veçantë, por në këtë rast është e qartë së është shmangur çdo lloj konkurrence.

Shqetësimi kryesor i prokurimit të 4 makinave zjarrfikëse është cilësia e tyre. Çmimi 40 mijë euro për një makinë zjarrfikëse tregon se praktikisht janë blerë makina të përdorura dhe me teknologji të vjetër. Në fakt, në mënyrë skandaloze Bashkia ka kërkuar të prokurojë makina që mund të ishin prodhim edhe i para 30 vjetëve. Specifikimet e Bashkisë në lidhje me vitin e prodhimit të mjeteve që ka kërkuar të prokurojë përcaktojnë:

1 zjarrfikëse jo më e vjetër se e vitit 1989

1 zjarrfikëse jo më e vjetër se e vitit 1990

1 autobot me vit prodhimi jo më i vjetër se viti 1991

1 autoshkallë me vit prodhimi jo më i vjetër se viti 2000

Mbi çfarë arsyetimi dhe standardi Bashkia mund të vendosë vit të pranueshëm prodhimi vitin 1989 është e vështirë të kuptohet, veçanërisht kur ky specifikim bie ndesh me standardet shtetërore për makinat e importuara.

Problemi kryesor është se të gjitha kanë qënë makina të vjetëruara, dhe me shumë gjasa, të dala jashtë përdorimit për qëllimin e tyre si zjarrfikëse.

Vitin e kaluar, qeveria ndaloi importin e makinave të rënda më të vjetra se 15 vite nga data kur kryhet regjistrimi i tyre në Shqipëri.

Kjo do të thotë se Bashkia Tiranë dhe shumë bashki të tjera po bëjnë specifikime teknike dhe, me gjasa, blejnë makina zjarrfikëse në shkelje të ligjeve dhe standardeve shtetërore.

Hileja që mund të jetë përdorur është se Timak shpk ka krijuar një stok të madh zjarrfikësesh të vjetra, përpara se të hynte në fuqi ndalimi i importimit të makinave të prodhuara para vitit 2004, dhe pastaj ka filluar shitjen e këtij stoku. Ndërkohë, mbi 10 bashki kanë kërkuar, thuajse njëkohësisht, të blejnë makina zjarrfikëse dhe të gjitha i kanë blerë nga Timak shpk me çmim, në të gjitha rastet, sa rreth 99 për qind e fondit limit.

standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here