Agjencia e njohur italiane e lajmeve “ANSA”, ashtu si shumë media prestigjioze ndërkombëtare, ka ndjekur me vëmendje në terren pasojat dramatike që shkaktoi tërmeti i tmerrshëm që goditi Shqipërinë dy ditë më parë. Gazetarët italianë gjatë raportimit në Durrës kanë takuar edhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta, i cili ka ndjekur vazhdimisht situatën dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.
Me këtë rast “ANSA” i ka marrë edhe një prononcim kreut të shtetit shqiptar, i cili ka falënderuar mbështetjen që qeveria italiane dhe popullit italian i kanë dhënë Shqipërisë në këto momente dramatike.
“Kontributi i Italisë është i jashtëzakonshëm dhe dua të falënderoj të gjithë italianët, qeverinë dhe institucionet shtetërore italiane për reagimin e menjëhershëm dhe kontributin e madh që na kanë dhënë në këtë tragjedi.
Presidenti Meta ka qenë gjatë gjithë kohës në Durrës, ku forcat e emergjencave civile vazhdojnë kërkimet për njerëzit e mbetur nën rrënoja në qytetin bregdetar dhe më Thumanë. Ndërkaq, Shqipëria i ka kërkuar ndihmë edhe Bashkimit Europian: “Italia është gjithmonë në mbështetjen tonë, edhe në Bruksel, dhe Komisioni Europian është duke punuar: jam i bindur se shumë shpejt do të vijnë ndihmat që na janë premtuar”, ka shtuar Presidenti Meta.
Deklarata e kreut të shtetit për ANSA-n është publikuar dhe transmetuar nga gazetat dhe televizionet më të rëndësishme italiane.