Pak ditë më parë nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, kërkoi zyrtarisht në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve miratimin e një vendimi të posaçëm për t’u dhënë mundësi të gjithë deputetëve të rinj që të merrnin kredi pa interes, ose me interesa të ulëta për të blerë shtëpi në Tiranë. Kërkesë të cilën kryetari i Kuvendit e adresoi te Bashkia e Tiranës, e cila sipas tij duhet t’i trajtojë ata me programet sociale, ndonëse personalisht marrin rroga, dieta e trajtime të tjera financiare, që i kalojnë 2 milionë lekë të vjetra në muaj. Por deri sa kjo kërkesë të trajtohet nga Bashkia e Tiranës, Kuvendi ka vendosur që një pjesë të mirë të tyre t’i trajtojë me bonus qiraje. Kuvendi ka publikuar pagat dhe përfitimet e tjera financiare të deputetëve, ku ajo që bie në sy është shtimi i numrit të deputetëve që trajtohen me kuotë për pagesën e qirasë së shtëpisë. Në total sipas raportit të shpenzimeve të Kuvendit për muajt gusht dhe shtator vetëm për zërin “qira për shtëpi”, Kuvendi ka paguar nga buxheti plotë 14 milionë lekë të vjetra, çka do të thotë që për 1 muaj ka paguar 7.5 milionë.
Ruçi, 220 milionë lekë shpërblim ish-deputetëve të opozitës
Dy partitë kryesore opozitare, PD dhe LSI dhe aleatët e tyre rreth 8 muaj më parë vendosën të lënë Kuvendin dhe të dalin në rrugë për të protestuar kundër qeverisë. Kështu, deputetët e këtyre forcave lanë mandatet e deputetit, për t’iu kushtuar betejës politike bashkë me qytetarët në protesta. Kjo shkaktoi një kaos në jetën parlamentare shqiptare, duke krijuar një precedent që nuk ka ndodhur as në vende të tjera të Europës. Gjithsesi, duket se kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka vendosur që të tregohet “zemërmirë” me ta, duke u shlyer detyrimet financiare që lindin nga ligji dhe statusi i deputetit. Në dokumentin e publikuar nga Kuvendi mbi raportin financiar për 8 muajt e parë, raportohen ndër të tjera edhe pagesën e rreth 220 milionë lekëve të vjetër për pagesa ndaj deputetëve të opozitës të larguar. “Gjatë 8-mujorit, me kërkesë të Kuvendit dhe miratim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në zbatim të ligjit nr.9061, date 8.5.2003 ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8097, datë 21.3.1996 ‘Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit’, ndryshuar me ligjin nr.8500 datë 10.6.2000′ dhe udhëzimit të ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr.9, datë 20.03.2018 ‘Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit’, është akorduar fondi 21.8 milionë lekë, për dhënien e shpërblimit të menjëhershëm për deputetët dhe këshilltarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që kanë dorëzuar mandatin dhe dhënë dorëheqjen”, – shkruhet në dokument.
Deputetët që marrin rimbursim qiraje
1.Ilirian Pendavinji
2.Edmond Leka
3.Xhevit Bushaj
4.Edlira Bode
5.Fadil Nasufi
6.Fatmir Velaj
7.Luan Harusha
8.Dritan Bici
9.Senida Mesi
10.Niko Peleshi
11.Majlinda Halilaj
12.Nimet Musaj
13.Enada Kapllani
14.Arlind Çacani
15.Halil Jakimi
16.Nikolin Staka
17.Selami Jenisheri
18.Kostaq Papa
19.Vasil Sterjovski
20.Ervis Meço
21.Artemis Dralo