Vetëvrasjet në Shqipëri/ Ekspertët: Shkak sëmundjet mendore, më të prekur adoleshentët!

0
130
The silhouette of a praying woman sitting in a dark tunnel with a light at the end.

Vetëvrasjet në Shqipëri shkaktojnë tri herë më shumë viktima se sa vrasjet. Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, 1% e vdekjeve në vend vijnë nga vetëvrasjet, ndërsa vrasjet janë në nivelin 0.3%. Në Shqipëri shifra është e lartë, pasi mesatarisht çdo vit 230 persona zgjedhin të ndërmarrin këtë akt ekstrem. Për eksperten e shëndetit mendor, Arjana Rreli, pas çdo rasti të tillë tragjik, fshihet një problem i shëndetit mendor. ”Personi merr një vendim ekstrem për jetën e tij, në momentin kur mendon që asgjë nuk ka zgjidhje, që të gjitha ato shqetësime, apo të gjithë faktorët që kanë çuar në këto shqetësime, janë probleme kaq të mëdha, sa ai vetë nuk i suporton dot më”.

Ajo u bën apel familjarëve, por edhe rrethit shoqëror të personave që kanë shfaqur probleme të shëndetit mendor, që të shohin me vëmendje sjelljen e tyre, pasi çdo person para vetëvrasjes jep shenja. ”Vihet re tendenca e shfaqjes së problemeve të shëndetit mendor, edhe tek të rinjtë, më së shumti aktualisht. Përballen me një treg të vështirë, me konflikte të mëdha sociale dhe shoqërore dhe kjo bën që të ngarkohen shumë më tepër”.

Sipas psikiatres, problemet e shëndetit mendor në vend po shtohen duke prekur edhe moshat më të reja. Ndërkohë që shkaktar sipas saj janë kushtet ekonomike dhe ato sociale. “Pothuajse secili nga ne vuan çrregullime të ankthit. E rëndësishme është që duhet të jemi mendjehapur për të pranuar problematikën tonë dhe për të kërkuar sa më shpejt ndihmë, që të mënjanojmë të gjitha komplikacionet”. Të dhënat e OBSH tregojnë se një në 4 persona vuan nga problemet e shëndetit mendor gjatë jetës së tij. Ndërkohë që forma më e përhapur janë çrregullimet e ankthit, problem që është përhapur masivisht në shoqërinë shqiptare.

Sociologu Tushi thotë se duhet treguar më tepër kujdes tek adoleshentët, pasi ata janë më të rrezikuar për të kryer vetëvrasje për shkak të drogës dhe alkoolit. ”Një pjesë e njerëzve humbasin vetëdijen, koshiencën e tyre nga përdorimi i zgjeruar i lëndëve psikotrope siç është droga dhe alkooli që po përdoren gjerësisht nga të rinjtë, nga fëmijët dhe nga të rriturit. Kemi nevojë që në këtë botë të vështirë me halle dhe konkurenciale, të gjejmë motivet e shëndetshme të fëmijëve dhe njerëzve tanë”.

Afro 800 000 njerëz kryejnë vetëvrasje çdo vit në botë, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke kërkuar veprime për parandalimin e tyre. Në raportin e publikuar të hënën, OBSH-ja tha se norma globale e vetëvrasjeve ka rënë në periudhën 2010-2016 por se numri i vdekjeve ka mbetur i njëjtë, për shkak të popullsisë globale në rritje. Në raportin e OBSH-së thuhet se metodat më të zakonshme të vetëvrasjes janë varja dhe vetëhelmimi. Vetëvrasja është shkaku i dytë kryesor i vdekjes te të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, pas lëndimeve në rrugë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here