Zëri i Amerikës: Paketa anti-shpifje, ja reagimi i presidentit Meta dhe përfaqësuesit të mediave

0
99

Në Tiranë, Presidenti Ilir Meta foli sot me shqetësim, si u shpreh ai, mbi “gjendjen e përkeqësuar, në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri”. Ai tha se për ligjet në fushën e medias, si paketa anti-shpifje, duhen dëgjuar kërkesat e vet gazetarëve. Përfaqësuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, thotë se Shqipëria nuk ka nevojë për një paketë ligjore anti-shpifje ndaj mediave, sepse i ka tashmë ligjet e duhura për këtë.

Nga  Ilirian Agolli (Zëri i Amerikës)

Zëri i Amerikës: Zoti Cukali! Presidenti i Republikës Ilir Meta reagoi sot lidhur me projekt-amendamentet e qeverisë në lidhje me mediat online. Cili është qëndrimi i Këshillit Shqiptar të Medias lidhur me të mbiquajturën paketa anti-shpifje?

Koloreto Cukali: Ndërhyrja e Presidentit është shumë pozitive. Unë kam qenë pjesë e organizatave, të cilat kanë tentuar të marrin pjesë në konsultimet publike. Fjala jonë nuk është dëgjuar në mënyrë absolute. Dialogu ynë konstruktiv me përfaqësues të qeverisë ka patur përpara një mur të shurdhër. Ne kemi perceptimin që qëllimi i këtij ligji nuk është të zgjidhë ndonjë problem të komunitetit të shtypit, as të shoqërisë, por qëllimi i këtij ligji është, mesa duket, të zgjidhë problemet e një apo dy individëve me pushtet. Komuniteti i gazetarëve sigurisht që ka shumë probleme, por ky ligj nuk zgjidh asnjënjërin nga këto probleme. Media në Shqipëri ka shumë probleme, sidomos me etikën dhe me raportimin, por ky ligj nuk zgjidh asnjë nga këto probleme. Quhet padrejtësisht paketa anti-shpifje, por fjala shpifje nuk përmendet asnjëherë brenda asaj pakete. Ndërkohë, Shqipëria ka një ligj shumë të mirë për shpifjen, me të cilin gjykata shqiptare ka të gjithë instrumentat e duhur për të trajtuar çdo element të shpifjes në media. Pra, nuk ka nevojë për një paketë anti-shpifje; ligji kundër shpifjes ekziston, mjetet janë.

Zëri i Amerikës: Zoti Cukali duket sikur polemikat janë vetëm për mediat online, por një seri vështirësh hasin edhe mediat e tjera shqiptare të gjitha formateve. Si e vlerësoni gjendjen e tyre në raport me qeverinë dhe më pronarët?

Koloreto Cukali: Problemet që vuan sot shtypi shqiptar nuk kanë lidhje me gazetarinë, por vijnë nga jashtë gazetarisë. Një nga problemet më të mëdha janë problemet me pronarët. Gazetarët censurohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose në rastin më të mirë ushtrojnë vetëcensurë, për shkak se u ngushothet linja editoriale apo e raportimit në varësi të orekseve të pronarëve. Padrejtësisht konsiderohet sikur media online është elementi nga vijnë problematikat e shkeljes së etikës. Nuk ka asnjë studim serioz, që të provojë këtë gjë. Unë mendoj se mediat online thjesht përhapin lajmet e pasakta, që burimin kryesor e kanë nga televizionet, nga institucionet dhe nga partitë politike. Pra, nuk është media online që e prodhon problemin. Ajo mund ta përhapë më shumë, por problemi i vërtetë janë mediat tradicionale, të cilat mund ta konstatojmë lehtësisht edhe përmes studimeve që janë bërë, që janë përqëndruar në duart e një grupi njerëzish, të cilët janë të lidhur me biznese me kontrata qeveritare. Një pjesë e madhe e mediave tradicionale janë të kapura nga pushteti, i cili për momentin në Shqipëri ka dy koka; qeveria dhe bashkia e Tiranës. Nëse duam të flasim për lajmet e rreme, burimi më i madh i lajmeve të rreme në këtë vend është qeveria, bashkia e Tiranës dhe partitë politike. Ndaj është e padrejtë që këto probleme të kërkohen tek gazetarët. Nuk mund t’u kërkosh gazetarëve llogari kur lajmet vijnë gati nga selitë e partive, nga qeveria, apo nga bashkia e Tiranës. Gazetari pengon nga pronari për të realizuar detyrën e vet.

Zëri i Amerikës: Zoti Cukali! Edhe marrëdhëniet e mediave shqiptare me politikën kritikohen po aq shumë. Si e vlerësoni këtë problem dhe vështirësi të tjera të gazetarëve?

Koloreto Cukali: Pas vet pronarëve, problemi i dytë më i madh i shtypit është transparenca financiare dhe burimet e financimit, të cilat nuk zgjidhen dot me këtë projekt-ligj. Ato duhen zgjidhur me mjete të tjera. Ka shumë media me burime financimi të panjohura, që si dëgjojmë shpesh, vijnë nga politikanë të pasur, ose nga biznesmenë. Ky problem duhet trajtuar me mjete të tjera kontrolli. Një tjetër problem i madh është mungesa e sindikatës së tyre në kuptimin klasik të fjalës, e cila të mbrojë të drejtat e gazetarëve, në mënyrë që ata të mos hidhen në rrugë për shkrime që nuk i pëlqen pronari. Kjo e cënon rëndë punën e tij. Një gazetar është i pasigurt, për punën e tij, për pagën e tij periodike. Këtu vonohen pagat me disa muaj gazetarëve edhe në televizione serioze. Ka edhe media të tjera që mund t’i kenë lënë edhe një vit pa rroga. Në këto kushte nuk mund të presim asgjë nga gazetarët, të cilët janë në mëshirë të fatit. Përveçkësaj, situatën e rëndon më tej edhe fjalori agresiv i kryeministrit, i cili, si gjithë autokratët e botës, e ka kthyer median në target të sulmeve dhe problemeve të veta personale. Kjo klimë e krijuar nga kryeministri nuk e lehtëson punën e gazetarëve dhe është një sulm i hapur dhe i mirëfillitë i tij ndaj gazetarëve. Gazetari ka të drejtë të bëjë çdo pyetje, ti ke të drejtën të japësh përgjigjen tënde. Këtë gjë kryeministri nuk e bën. Në vend të përgjigjeve që nuk i ka, ai përdor një fjalor rruge, sa që unë nuk ia lejoj vetes ta përmend as në një intervistë.

Zëri i Amerikës: Zoti Cukali! Një grup organizatash ndërkombëtare të lirisë së medias i kërkuan qeverisë dhe mediave të ndjekin përvojën dhe standartet më të mira demokratike. Si duhet perspektiva?

Koloreto Cukali: Ky ligj i propozuar ka shumë probleme dhe është një projekt-ligj i pakalueshëm. Ky është një ligj krejtësisht anti-europian qysh në thelbin e vet. Europa zgjidhjen e probleme etike të medias e ka realizuar përmes procesit të vetërregullimit. Politika europiane është vetërregullimi. Kjo nënkupton asnjë ligj dhe asnjë rregullim nga qeveria. Ky projekt-ligj tenton të ndërhyjë në media me zyra shteti ndaj është krejtësisht anti-europian. Nuk besoj se me këtë lloj ligji ne mund të hyjmë ndonjëherë.qysh këtu është thyer vlera kryesore europiane dhe pas kësaj nuk kemi pse të flasim për detajet e tjera. Gjobat e larta dhe të tjerat janë detaje teknike. Gjobat janë shumë të larta, janë abuzive, janë në duar të njerëzve të qeverisë. Institucioni që mendohet të bëjë kontrollin është një institucion pranë qeverisë dhe i kontrolluar prej saj. Gazetarëve u merret e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë me këtë projekt-ligj. Gjykatave u merret e drejta për të gjykuar çështje dhe e drejta, atributi për gjykim i jepet një zyre brenda AMA-s. Ky është një problem shumë i madh. Kjo është ndërhyrje në gjyqësor. Por dua ta përsërit: gjykatat shqiptare i kanë të gjithë instrumentat për të gjykuar çdo problem që buron nga media.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here