Ndërkombëtarët, mes Edi Ramës e shqiptarëve…

0
104

BARDH SPAHIA

Edi Rama e ka plotësuar ëndrrën e kahershme për t’u bërë i famshëm përtej kufijve të Shqipërisë. Posti i Kryeministrit, përtej kuriozitetit të parë, nuk arriti t’i jepte vlerë artistit mediokër, por i dha famën e merituar individit, që për pushtet, bëri pakt me krimin, mbushi vendin me drogë, e për të siguruar vazhdimësinë, votat thjesht i bleu.

Sot ai njihet ndërkombëtarisht përmes mediave më prestigjioze, si Kryeministri që e ktheu një vend të NATO-s në strehë të sigurt të narkotrafikut, ndërsa qytetarët që i besuan në 2013-n, i përfaqësoi me kriminelë në Parlament, pushtetin vendor e institucione. Jehona e projekteve korruptive prej miliona eurosh të këtij Kryeministri, me taksat e një vendi të varfër, e ka kaluar edhe kontinentin tonë. Në fakt, gjendet e zezë mbi të bardhë të paktën në çdo raport të FMN-së e Bankës Botërore, ndërsa vetë Departamenti Amerikan i Shtetit e ka identifikuar tashmë Shqipërinë nën qeverisjen e Ramës, si vendburimi i kanabisit e tranzit e furnizues për kokainën e heroinën. Padyshim që Edi Rama e ka kapur plotësisht këtë lloj fame, e për këtë, meritën e ka krejt personale.

Si askund tjetër, një rast për t’u studiuar nga shkollarët, Kryeministri i një vendi të NATO-s del në përgjimet e Prokurorisë për blerje të votave në zgjedhje, njëlloj si bashkëpunëtorë të afërt të tij, ministra, deputetë, kryetarë bashkish. Panorama absurde e një vendi që, njëlloj si një vit më parë, Komisioni Europian premton ta “certifikojë” si të denjë për të hyrë në BE u pasqyrua së fundmi edhe nga gazeta e njohur gjermane “Bild”, njëlloj si më herët edhe VOA, duke rrëzuar në mënyrë të përsëritur, jo vetëm propagandën e Kryeministrit se po ndërton shtetin e së drejtës përmes Reformës në Drejtësi, por duke turpëruar në mënyrën më të qartë çdo ndërkombëtar që e reciton atë vjershë të Kryeministrit.

Si një prej shqiptarëve që jam shkolluar e kam punuar në profesionin tim në një vend të Bashkimit Europian, kam mundur të shoh e provoj në vetë të parë vlerat europiane, siç i kishim mësuar, liritë e shtetin e së drejtës, si bazamenti i paprekshëm, mbi të cilin ngrihet ndërtesa e demokracisë. Kam parë se si politikanë edhe të nivelit periferik nuk kishin shanse të qëndronin në detyrë pas akuzave publike për lidhje me malavitën. Së pari, sepse qytetarët do reagonin fuqishëm, por edhe sepse institucioni i dorëheqjes është pjesë e formimit politik europian, e së dyti, sepse sistemi stopon çdolloj deliranti, që do guxonte edhe të mendonte të bënte të kundërtën. Kanë qenë modele që si shumë profesionistë të tjerë, të rikthyer për të kontribuar në këtë vend, më kanë frymëzuar për t’u bërë pjesë e politikës, pasi përmes vendimmarrjes mund të materializohen vlerat më të mira të demokracisë, që fuqizojnë një vend e qytetarët e tij.

Ndërsa si politikan e kam shumë të qartë se çfarë përfaqëson sistemi që ka ngritur Edi Rama në Shqipëri në 6 vjet në pushtet, mbetem i befasuar se sa poshtë e kanë ulur stekën e standardeve të demokracisë për Shqipërinë ndonjë zyrtar ndërkombëtar në Tiranë a gjetkë, vendet e të cilëve e kanë nxitur e mbështetur vendin tonë, në të gjitha etapat e integrimit pas viteve ’90, deri tek anëtarësimi në NATO e liberalizimi i vizave.

E pakuptueshme indiferenca në rastin më të mirë për të dalluar se si trashet prej 6 vitesh, ditë pas dite kapja me radhë e institucioneve, si paralizohet Prokuroria, si abuzohet me taksat e shqiptarëve, apo si personat e identifikuar me të shkuar kriminale e me akte flagrante korruptive gradohen me funksione edhe më të larta shtetërore, një sinjal kokëfortë për modelin që ofron ky Kryeministër. Ndërsa është epike vigjilenca për të reaguar për muret e institucioneve, por jo për gazin që hidhet nga Policia në mënyrë të pakontrolluar ndaj qytetarëve, protestues apo jo; heshtja po aq epike për një protestues 26-vjeçar të lidhur me pranga në krevatin e spitalit, apo shkopinjtë e gomës në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv ndaj një funksionari të PD-së, edhe pasi u identifikua si i tillë.

Natyrisht që asgjë nga këto nuk kam parë e hasur në vendet e BE-së, sepse në fakt nuk kanë shans të ndodhin, e jo më të përsëriten. Padyshim që në ato vende nuk ndodh as djegia e mandateve, e këtu është krejt i pritshëm reagimi kundërshtues ndërkombëtar. Por çfarë do kishte ndodhur në secilin prej vendeve të BE-së, nëse jo thjesht me denoncimet e opozitës, por me përgjimet e Prokurorisë, zyrtarë të lartë të maxhorancës e vetë Kryeministri të ishin pjesë e përgjimeve për blerje votash, në rastin e Shqipërisë, me të paktën dy dosje, 339 e 184?

A duhet reaguar apo opozita e qytetarët duhet të mbyllin sytë, njëlloj si Prokuroria përpara këtij realiteti, e të futen pa teklif në zgjedhje për të pësuar të njëjtën skemë të blerjes së votave, për të kënaqur ndonjë ndërkombëtar, që duket prioritet ka veç stabilitetin? Në fakt, kjo është skllavëri e pastër, nënshtrim ndaj diktaturës së një individi, një realitet, që si asnjë popull shqiptarët e njohin mirë, sepse e kanë provuar në kurriz për gati pesë dekada. Partia Demokratike ishte ajo që e shembi atë sistem e nuk mund të jetë kurrë fasada për ta rikthyer.

Partia Demokratike ishte e para që dha alarmin se Edi Rama po e mbushte Parlamentin e institucionet me kriminelë. Koha e tregoi se PD kishte pasur të drejtë, njëlloj siç kishte pasur të drejtë, edhe kur denonconte kanabizimin e vendit, transportin e drogës me avionë, dy ish-ministra të Brendshëm të lidhur me trafikun e drogës, e miliona euro të taksapaguesve që vidhen paturpësisht përmes PPP-ve. A u provuan të gjitha këto? Atëherë, kush është problemi në këtë vend, qeveria apo opozita? Kaq e vështirë është të bëhet ky konstatim?

Prej tre muajsh, opozita është pa mandate parlamentare e në rrugë me qytetarët në protesta. Nuk na stepin as kërcënimet, as tundja e prangave, e as burgu, mekanizmi tipik që përdorin diktaturat ndaj qytetarëve për t’i nënshtruar. I yni është një mision për vendin e prandaj numri i shqiptarëve në protesta veç rritet. Çka na bashkon, edhe përtej bindjeve, është halli i përbashkët që na vjen vetëm nga një njeri: Edi Rama. Edhe vetë miqtë e tij ndërkombëtarë duket e kanë humbur entuziazmin në mbështetjen e Kryeministrit, e me të drejtë po nxisin, e madje ofrohen të ndërmjetësojnë zgjidhjen e krizës politike, si ndërgjegjësimi se nuk mund të merret peng një vend i NATO-s për një njeri, për të cilin në secilin prej vendeve të BE-së ka një dosje jo të vogël të akrobacive më të errëta si Kryeministër. JO-ja që i japin Shqipërisë në tryezën e Këshillit Europian, duke i shtuar listën e detyrave të shtëpisë, flet shumë, natyrisht të kundërtën e çka thotë ndonjë zyrtar i atyre vendeve në Tiranë. I trishtë e i dhimbshëm ky frenim 5- vjeçar i vendit para dyerve të BE-së. E pra ky realitet nuk është prodhuar nga djegia e mandateve të opozitës. Ka qenë aty, i thelluar vit pas viti në këto gjashtë vjet. Mbas shumë përpjekjesh, opozita e kuptoi se zgjidhja nuk vinte dot nga Parlamenti, zyra noteriale personale e Kryeministrit. Por zgjidhja do vijë me qytetarët. Janë ata që tashmë kanë marrë fatin e tyre në dorë e opozita është aty, e gatshme për të respektuar vullnetin e tyre. Sot është koha për të mos heshtur e qëndruar indiferentë. Imazhi i 30 qershorit, ku Edi Rama garon ndaj Edi Ramës, e në fund mund Edi Ramën, është një komedi mjerane, njëlloj si kushdo e mbështet, që nuk do gajaste askënd, as në rajon, e jo më në ndonjë vend të BE-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here