Ndërkombëtarët i ka zgjuar dhuna dhe tani kërkojnë dialog

0
116

Nga Ergys Mërtiri

Përfaqësues të institucioneve të BE-së dhe një mori ambasadash në Shqipëri dënuan, dy ditët e fundit, dhunën e shfaqur në protestat e opozitës. Ata u shprehën se dhuna nuk është zgjidhje dhe kërkuan që palët të ulen në dialog.

Ndonëse deklaratat iu drejtuan kryesisht opozitës, ato ruanin njëfarë ekuilibri, duke dënuar gjithashtu edhe dhunën e policisë. E paekuilibruar ishte vetëm deklarata qesharake e OSBE-së, të cilën ajo e zbuti pastaj me një të dytë kundër dhunës në përgjithësi.

BE-ja ka kohë që ka përvetësuar një gjuhë politike të kërcunjtë, produkt i një politike shterpe, që prodhon më shumë probleme se zgjidhje. Ajo thotë se dhuna nuk është rruga për të kërkuar zgjidhje, por sistematikisht, kudo në rajon, dhuna ka qenë mjeti më i suksesshëm për t’u faktorizuar. Ironikisht, kjo vjen pikërisht për shkak të politikës së mefshtë të BE-së, e cila kërkon stabilitet në kurriz të demokracisë.

Praktikisht, opozita ka tre muaj jashtë institucioneve dhe askush nuk e vuri ujin në zjarr. Pikërisht, tani që aksioni opozitar u përshkallëzua dhe protestat u bënë agresive, BE-ja kërkoi që palët të ulen në tavolinë dhe të gjejnë zgjidhje!

Në fakt, BE-ja është sjellë në mënyrë cinike deri tani. Kur opozita dogji mandatet, ata e dënuan aktin duke u shprehur se ky është një vendim i gabuar, se qeveria është legjitime, se parlamenti do të ketë një “opozitë të re” me deputetë “atlantikë” të dezertuar nga listat e PD-së dhe LSI-së.

Ndërkombëtarët na garantuan, madje, se me këtë opozitë të re parlamenti mund të miratojë edhe ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar. Kur opozita reale kërcënoi se nuk do të hyjë në zgjedhje, ata u shprehën se do t’i njohin këto zgjedhje, pavarësisht se pa garues. Madje ata mbështetën edhe krijimin e një partiçke të thyer patericash, për të sajuar një rival që të hiqet sikur garon në zgjedhjet e qershorit.

Tashmë që opozita hodhi para Kryeministrisë tre molotovë, katër fishekzjarre dhe disa kapsolla, BE-ja u kujtua për dialog!

Pas saj edhe Rama u ngrit me dhëmbët shtrënguar dhëmbësh, duke rrëmuar në sëndukët e veglave të piarit të lodhur, për të rigjetur maskën e kullerit, të konsumuar gjatë sikleteve të protestës së studentëve. Me këtë maskë, ai përsëriti batutën e vjetër: “Kur do flasim?”

Kjo do të thotë se BE-ja merr vesh me molotov, jo me arsye.

Në fakt, dhuna e protestës së 11 majit 2019 ishte më shumë televizive se sa reale. Gjatë 6 orëve “përleshje” të protestuesve me policinë nuk pati asnjë të plagosur për t’u konsideruar, përveç qytetarëve të helmuar nga gazi i Lleshajt dhe Sekretarit Organizativ të PD-së, të rrahur nga “policia që duam” e që na vjen hakut.

Deklaratat e ambasadave kundër dhunës tregojnë më shumë për mënyrën se si funksionon BE-ja. E çinteresuar tërësisht për realitetin në Shqipëri, ajo vihet në lëvizje vetëm kur flakët e protestës pushtojnë ekranet e mediave ndërkombëtare.

Ajo as që e çan kryet për gjendjen reale. I vetmi preokupim i saj është stabiliteti, që në një gjuhë më të sinqertë do të thotë: Larg telashet nga unë. Mjaft të mos bëhemi lajm në mediat ndërkombëtare, ku qytetarët europianë do të kenë mundësi të shohin dështimin e BE-së, dhe gjithçka është OK.

Në fakt, ndërkombëtarët janë gjithashtu pjesë e problemit. Kur opozita denonconte drogën, lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar, blerjen e zgjedhjeve, asgjësimin e ndarjes së pushteteve, mbylljen e gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese, zgjedhjen e Kryeprokurores në shkelje të kushtetutës, mbylljen e dosjeve hetimore për skandale ulëritëse, ambasadorët e zyrtarët e BE-së heshtnin.

Përkundrazi, disa prej tyre flisnin edhe për përparim e hapje negociatash, ndonëse të gjithë e dinë që ato nuk do të hapen.

Për ta nuk ka asnjë rëndësi degradimi i vendit, humbja e shpresës, dyndja e njerëzve që kërkojnë azil në zyrat e tyre të emigracionit. Rëndësi ka stabiliteti dhe reformat që nuk mbarojnë prej 28 vjetësh.

Ndërkombëtarët janë bashkëfajtorë për çfarë është bërë në këtë vend këto tre dekada. Ata kanë arbitruar dhe monitoruar gjithçka, dhe nuk mund të mos ndihen si të pa përfshirë dhe pa asnjë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Ata kanë qenë, gjithashtu, aktorë të vërtetë në politikën shqiptare dhe nuk mund të sillen si gjykatës të papërfshirë. Për këtë arsye, nuk mjafton aspak të kërkohet dialog, si një stacion më shumë në zvarritjen zgjidhjeve të një tranzicioni të pambarimtë, por një reflektim i hollësishëm i situatës dhe i shkaqeve të saj, për të gjetur më pas dhe formulën e duhur të garancive që e mbrojnë sistemin nga kapja dhe degradimi./ Exit.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here