Pas zhurmës që shkaktoi me intervistën e saj, se në kohën e Enverit kishte më shumë të mira sesa të këqija, e cila u përcoll me një fortunë nga antikomunistët dhe ngjalli një zinxhir replikash në shtypin e ditës, prijësia e listës së PS së Tiranës, Luljeta Bozo është futur provizorisht në karantinë.
Një urdhër i ardhur nga sferat e larta të partisë, disa mendojnë drejtpërdrejt nga Rama, i ka ndaluar asaj pjesëmarrjen në debatet televizive.
Disa TV informative që kanë kërkuar ta kenë në emisionet e tyre zonjën e tërmetit, kanë marra një ‘JO’ të prerë nga koordinatorët e fushatës së PS.
Pas deklaratave të bujshme, zonja Bozo dha dhe një intervistë në ‘Javanees’ ku ajo bëri 180 gradë prapakthehu. Ajo theksoi disa herë se e dënonte regjimin diktatorial dhe tha:
‘Kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature. Ata që shajnë, akuzojnë dhe shtrembërojnë njësoj si xhelatët e mendimit ndryshe asokohe.
Ekstremet përputhen dhe më kujtohet Vaclav Haveli që thotë: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist! Kam vetëm keqardhje për ta’.
Dukej qartë se kthimi tek koncepti i ish-disidentit dhe presidentit çek Vaclav Havel, të cilin e ka përdorur edhe Rama në vitet ’90, i ishte imponuar Luljeta Bozos. Dhe pasi u detyrua të bënte këtë piruetë ajo është zhdukur nga ekranet.
Nuk dihet sa kohë do të zgjasë karantina për të parën e listës së PS në Tiranë, por kuptohet qartë se sinqeriteti dhe çiltërsia e saj për të thënë ato që mendon, nuk janë të mirëpritura në një parti ku shkalla hierarkike vendoset nga aftësia për të qënë hipokrit.
Prandaj Luljeta Bozo po qëndron perkohësisht në heshtje. /Lapsi.al