“Iku ajo…Morëm fund, për Zotin”, zbardhen përgjimet e trafikantëve të drogës: E këputi qafën ë?

0
140

Trafikimi i sasive të ndryshme të drogës, kryesisht kanabis sativa, që nisej me çanta nga Saranda drejt Greqisë përmes kufirit të gjelbër, është dokumentuar me përgjime telefonike e vëzhgime ambientale nga ana e Policisë e Prokurorisë.

Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë zbardhur dhjetëra orë përgjime mes trafikantëve dhe korrierëve që bënin transportin e drogës. Nga zbardhja e këtyre bisedave, anëtarët e grupit flasin për vendet e takimit, rrugën që do ndjekin, madje edhe për veshmbathjet që do marrin me vete. Ndërsa në raste të tjera, pas sekuestrimit të sasive të drogës nga ana e Policisë greke, ata shfaqen të shqetësuar dhe komunikojnë me kode me njëri-tjetrin.

Në një rast, është bashkëshortja e njërit prej të arrestuarve, e cila, duke ndjekur lajmet në mediat greke, bisedon më të shoqin për të kuptuar nëse bëhej fjalë për njerëzit e tij apo jo. Ndërsa në raste të tjera, ndonëse qeshin me bisedat që zhvillojnë me njëri-tjetrin, anëtarët e grupit nuk e fshehin dot shqetësimin, duke u shprehur se kanë marrë fund.

Ata flasin për lajmet që publikohen në mediat greke, kryesisht ato në Igumenicë, që kanë sinjal edhe në Sarandë, duke thënë se lajmet duhet t’ia dërgojnë dikujt tjetër, duke nënkuptuar personin për të cilin punojnë.

PJESA E DYTË E PËRGJIMEVE MES TRAFIKANTËVE TË DROGËS

Ngarkesa e parë e drogës Më datë 6 tetor 2018, në rrugën Filiatis-Tamastas në Igumenicë, Greqi, u sekuestruan nga Policia greke 76 kg e 760 gr lëndë narkotike kanabis sativa, e cila ishte eksportuar nga Saranda në Greqi nëpërmjet kufirit të gjelbër. Itinerari i lëvizjes së drogës ishte nga Saranda, nëpërmjet kufirit të gjelbër midis Shqipërisë dhe Greqisë për në Igumenicë, në rrugën FiliatisTamastas, ku dhe u bë sekuestrimi i saj nga Policia greke.

Në këtë ngjarje janë arrestuar shtetasit shqiptarë: Klodjan Lito (Leto), 42 vjeç, banues në Berat; Afrim Kobuzi, 31 vjeç, banues në Sarandë; Andrea Zenellari, 21 vjeç, banues në Berat; dhe Danjel Berberi, 23 vjeç, banues në Sarandë. Për këtë fakt penal rezulton se kanë bashkëpunuar shtetasit nën hetim: Besmir Ymeri, 32 vjeç, banues në Vlorë; Odise Ymeri, 28 vjeç, banues në Sarandë; Mikel Jorgji, 37 vjeç, banues në Sarandë; dhe Jonida J., 33 vjeçe, banuese në Sarandë. Më poshtë, Gjykata do citojë në këtë vendim disa nga rezultatet e përgjimeve për numrat 373, 003 dhe 026, të autorizuara nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe konkretisht:

Më datë 26 shtator 2018, ora 08:45, Mikel Jorgji i dërgon mesazh Besmir Ymerit me këtë përmbajtje: “Fole gjë mo, se i kam thën tjetrit dhe po bëhem hasëm, ça do bëjmë?”. Në orën 19:24, shtetasi Besmir i përgjigjet Mikelit: “Me thuaj që t’i them tjetrit”. Në vijim, në orën 19:26, Besmiri i kthen sërish mesazh Mikelit: “50 mij lek 100 200”. Po më datë 26 shtator, në orën 22:31, shtetasi i arrestuar në Greqi, Danjel Berberi, i dërgon mesazh Besmirit: “Danjeli jam, kalo pak ktej”.

Më datë 30 shtator, ora 15:28, Mikeli i dërgon mesazh Besmirit: “Fol me byrazerin vajti aty?”. Më pas, në orën 19:53, Mikeli i kthen këtë përgjigje Besmirit: “Jo s’kam fol, ka tel të fikur”. Më datë 4 tetor 2018, ora 22:37, Mikel Jorgji komunikon me përdoruesin e një numri grek, ku ky i fundit i shkruan këtë mesazh: “Merr pak tel gr kel”. Më datë 6 tetor, ora 12:09, Mikeli komunikon me bashkëshorten e tij dhe flasin për arrestimin e shtetasve të mësipërm, po atë ditë në Igumenicë:

Bashkëshortja: Ç’bën ti Keli?
Mikeli: Hiç.
Bashkëshortja: E ke hap telefonin?
Mikeli: E.
Bashkëshortja: Pe gjë?
Mikeli: Jo.
Bashkëshortja: Ë. Ja shiko noi her. Shiko ndonjë gjë kshu se çoç pash un. Mirë?
Mikeli: Po.

Sërish pas 2 minutash midis tyre, pra midis Mikelit dhe bashkëshortes, zhvillohet një tjetër bisedë pas njoftimit në mediat lokale greke të Janinës, Igumenicës etj., të cilat kanë
shikueshmëri edhe në Sarandë:
Bashkëshortja: Hë?
Mikeli: Thua?
Bashkëshortja: A?
Mikeli: Këtu mo?
Bashkëshortja: E mos si ato t’shokut tëndë ë, të vllezërve! Si ata të vllezërve mo.
Mikeli: ë ë ë, po është e vjetër m’duket ku di unë…
Bashkëshortja: Jo, jo, ësht tani, nuk ësht e vjetër, sot. Ç’ësht kjo e vjetër? Tani e shikoj ktu. Mikel ë, që jan katër ë?
Bashkëshortja: E. Haj.

Këtu rezulton se bëhet fjalë pikërisht për 4 të arrestuarit e paradites së datës 6 tetor 2018 në rrugën Filiatis-Tamastas në Igumenicë, Greqi. Shoku i Mikelit, siç e cilëson në bisedë bashkëshortja e tij, është shtetasi Besmir Ymeri, me numër 373, ndërsa vëllai i Besmirit është shtetasi Odise Ymeri, me numër 560.

Nga analiza e kryer mbi tabulatet dhe qelizat e komunikimit të numrave celularë që kanë përdorur vëllezërit Ymeri, Mikel Jorgjo dhe shtetasi i arrestuar në Igumenicë, Danjel Berberi, rezulton se midis shtetasit të arrestuar Danjel dhe shtetasit Besmir ka komunikime të vazhdueshme midis tyre deri më datë 2 tetor 2018, kohë në të cilën shtetasi Danjel ka kryer komunikimet e fundit në Shqipëri.

Siç rezulton edhe nga hetimet në vijim, lëndën narkotike për disa ditë e kalojnë nga kufiri i gjelbër me Greqinë, në këmbë, e pastaj me automjet drejt Athinës kryesisht. Po ashtu, edhe midis vëllezërve Ymeri e shtetasit Mikel Jorgji ka komunikime. Komunikimet janë nga data 1 tetor, deri më datë 6 tetor. Në këtë rast, shtetasi Danjel me bashkëpunëtorët e tij, pasi kanë marrë lëndën narkotike të shtetasit nën hetim Besmir Ymeri, Odise Ymeri, Mikel Jorgji dhe bashkëshortes së tij, janë nisur ta eksportojnë me këmbë drejt Greqisë nga kufiri i gjelbër.

Më datë 2 tetor 2018 dhe më datë 6 tetor 2018 kanë arritur në Igumenicë, për të ikur drejt Athinës e në këtë vend ka ndërhyrë Policia greke. Mbi bazën e akteve të shqyrtuara, rezulton se vëllezërit Ymeri dhe Mikel Jorgji e bashkëshortja e tij dyshohet se kanë kryer veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim me shtetasit Klodjan Liro, Afrim Kobuzi, Andrea Zenellari dhe Danjel Berberi. Lidhur me arrestimin e shtetasve Lito, Kobuzi, Zenellari e Berberi, si dhe me qëllim administrimin e akteve e provave rreth hetimeve që autoritetet greke të drejtësisë kanë kryer, më datë 13 shkurt 2019, organi i Akuzës ka nisur një letërporosi, e cila me shkresë të datës 19 shkurt u është përcjellë nga Ministria e Drejtësisë këtyre autoriteteve.

Ngarkesa e dytë e drogës

Më datë 24 nëntor 2018, në qytetin e Sarandës janë sekuestruar 32.35 kg lëndë narkotike kanabis sativa, e cila ishte destinuar për të kaluar nga kufiri i gjelbër drejt territorit grek. Lidhur me këtë rast janë arrestuar në flagrancë shtetasit shqiptarë: Ergis Kalemi, 32 vjeç, banues në Tepelenë; Aldo Pata, 28 vjeç, banues në Tepelenë; Sueld Çapuni, 26 vjeç, banues në Tepelenë.

Nga provat e shqyrtuara rezulton se të përfshirë në këtë episod kriminal, krahas shtetasve të arrestuar, për të cilët po vijojnë hetimet nga Prokuroria e Sarandës, janë edhe shtetasit: Mikel Jorgji, Odise Ymeri, Aleks Nanaj (Adil Nano), 37 vjeç, banues në Sarandë; Ervin Hysaj, 24 vjeç, banues në Tepelenë; Artan Hoxha, 47 vjeç, banues në Gjirokastër; Andrea Caca (Vipi), 50 vjeç, banues në Tepelenë; Donaldo Nela (Tupe), 22 vjeç, banues në Tepelenë, një shtetas shqiptar ende i paidentifikuar, dyshohet se jeton në Athinë.

Nga bisedat telefonike të përgjuara, si dhe nga vëzhgimet e kryera, ka rezultuar se më datë 30 tetor 2018, ora 18:51, zhvillohet biseda midis Odise Ymerit dhe shtetasit Mikel Jorgji me këtë përmbajtje:

Odisea: Hë more?
Mikeli: Vajte në shpi ë?
Odisea: S’kam dal fare.
Mikeli: E mo mir. Hajt.
Odisea: Nga je?
Mikeli: Jo mot ë marr nesër, s’ka gjë. Tani fola içik po ku di unë. Haj…

Më datë 31 tetor, ora 21:07, Ervin Hysaj telefonin Mikel Jorgjin dhe zhvillojnë këtë bisedë:
Mikeli: O vlla fola.
Ervini: O vlla fole?
Mikeli: Po fola mo, ja, po nuk diskutoej për sot o vlla. Un i thash.
Ervini: O vlla, nai bë hallall t’keqen vllai, nesër n’men, nesër i ke aty për kok të plakut.
Mikeli: E mo e po, o thash do më marësh, do më mari para, e kupton?
Ervini: Mir të keqen vlla mir vlla.
Mikeli: Mir ë?
Ervini: Hajde derman. Në rregull vllai, hajd.

Më datë 1 nentor, ora 14:24, shtetasi Mikel Jorgji komunikon me shtetasin Sueld Çapuni dhe zhvillojnë këtë bisedë:
Sueldi: Hë vlla.
Mikeli: Do vonohesh shumë?
Sueldi: Maksimumi një orë nisem.
Mikeli: E mirë, se këtu nga gjysma e rrugës e kupton.
Sueldi: Po qe te gjysma vlla s’ka problem.

Mikeli: Emo e ke parasysh, sa merr maloren që del lart në qafë.
Sueldi: Po do të të marr në telefon vëllai kur të nisem.
Mikeli: E mirë, merrem në telefon.
Sueldi: Mirë, ok.

Po më datë 1 nëntor, ora 17:06, Odise Ymeri bisedon me Mikel Jorgjin:
Mikeli: Tek lokali je poshtë?
Odisea: eee tek lokali.
Mikeli: eee erdha.

Më datë 1 nëntor, pas orës 18:00, në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në afërsi të Syrit të Kaltër, pranë një karburanti, është realizuar takimi mes Mikel Jorgjit dhe Ervin Hysajt dhe dorëzimi i lëndës narkotike. Në këtë shkëmbim kanë qenë së bashku me lidhjet e tij shoqërore Mikel Jorgji, Odise Ymeri, Donald Nela, Ervin Hysaj, Adil Nano dhe Sueld Çupani. Ky takim është shoqëruar me vëzhgim në terren nga Njësia Operacionale e Policisë së Shtetit.

Qëllimi i këtij takimi ishte dorëzimi i lëndës narkotike, që lidhjet shoqërore të Mikelit t’i dërgonin ato nga Pika e Kalimit Kufitar, ose nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Athinë, te lidhja shoqërore e Ervinit, shtetas i paidentifikuar që jeton në Greqi.

Ngarkesa e tretë

Më datë 6 dhjetor, në Igumenicë u sekuestruan 76 kg e 760 gr lëndë narkotike kanabis sativa. Lidhur me aktet dhe provat e administruara nga autoritetet e drejtësisë në Greqi, akuza ka dërguar letërporosi më datë 13 shkurt 2019, së cilës i është dhënë rrugë nga Ministria e Drejtësisë dhe janë në pritje të ekzekutimit të saj.

Sekuestrimi i kësaj lënde narkotike u arrit falë bashkëpunimit të oficerit të Policisë Gjyqësore që ndiqte hetimet e procedimit penal dhe autoritetet e Antidrogës në Greqi, duke u koordinuar ky bashkëpunim edhe nga SELEC në Bukuresht, Rumani. Të dhënat e përfituara nga përgjimet telefonike kanë krijuar një tablo të qartë të lëvizjes së lëndës narkotike nga kufiri i gjelbër Shqipëri-Greqi dhe falë këtyre të dhënave, në momentin e mosarritjes së sekuestrimit të saj në territorin shqiptar, është ndarë kjo e dhënë me autoritetet greke, të cilat kanë bërë të mundur sekuestrimin e saj dhe informacionin në vijim për operacionin.

Nga hetimet e kryera janë identifikuar si të implikuar shtetasit Aleks Nanaj (Adil Nano) dhe Petrit Nanaj, vëllezër, që kanë marrë përsipër eksportimin e sasisë prej mbi 76 kg kanabis nga Shqipëria drejt Greqisë. Për realizimin e këtij transporti, ata kanë angazhuar dy korrierë e konkretisht shtetasit Kujtim Zmalaj dhe Emiljant (Emiljan) Lamkollari, si dhe janë ndihmuar edhe nga shtetasit Elton Llanaj e Aleks Likaj.

Si në rastin e parë, vëllezërit Nanaj marrin përsipër eksportimin e lëndës narkotike nga kufiri i gjelbër ShqipëriGreqi dhe për këtë aktivitet kriminal përdorin korrierë. Nga përgjimet dhe transkriptimi i bisedave të zhvilluara mes tyre, ka rezultuar se shtetasit e mësipërm janë të implikuar në këtë rast të trafikimit.

Më datë 29 nëntor 2018, ora 21:28, shtetasi Emiljant Lamkollari komunikon me shtetasin Adil Nano dhe zhvillojnë këtë bisedë:

Emiljanti: Hë, fole me atë?
Adili: E fola e, do t’u pres lart ai vlla, se ka ikur si i çallakosur.
Emiljanti: Ku do na pres?
Adili: Do u pres lart, pa dal atje.
Emiljanti: Pa dal lart? Po ne s’dimë asgjë as ça bën ai, or burr?
Adili: Si?
Emiljanti: Po ai ka frik që ikën ashtu, a çar?
Adili: Jo or jo, donte të ikte para ai, o vlla, donte të ikë para ndaj.
Emiljanti: Po ne s’dim asnjëri ktu mo, asnjëri s’po orientohet. Mir un, un një her kam kaluar, po ky tjetri që ka kaluar shum her?
Adili: Po t’i them të zbresim më posht ai?
Emiljanti: Po, thuaj të zbres pak posht nga reparti.
Adili: Dole, dole aty ti, dole tek ëëë… ajo?
Emiljanti: S’kam dal akoma te shpija vjetër.
Adili: Epo të pret te shpija ai pastaja.
Emiljanti: E, thuaj të dali të presi te shpija.
Adili: E mir, vlla.

Më datë 4 dhjetor, ora 10:00, Adil Nano telefonon Emiljant Lamkollarin dhe zhvillojnë bisedën:
Adili: Ku je?
Emiljanti: Jam te kafja… merrmi edhe cigaret me vete.

Më datë 4 dhjetor, ora 12:15, Emiljant Lamkollari komunikon me shtetasin Aleks Likal:
Aleksi: Hë?
Emiljanti: Ça bët?
Aleksi: Hiç, mir, do ikim?
Emiljanti: Po, ku je?
Aleksi: Hajde ktu te hoteli, ikim direkt, t’marr ato rrobat se m’tha dil përsipër aty.
Emiljanti: Mirë hajd, se ashu.
Aleksi: Hajde po t’pres ktu te rruga.
Emiljanti: Hajd.

Pra siç vihet re nga këto biseda, shtetasit Aleks dhe Emiljant po bëhen gati me rroba dhe me cigare, të cilat u duhen gjatë rrugëtimit tokësor për në Greqi. Pas orës 12:15, të datës 4 dhjetor 2018 dhe deri më 6 dhjetor, nuk ka pasur biseda telefonike nga shtetasit Emiljant Lamkollari, pasi është nisur nga kufiri i gjelbër drejt Greqisë, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Kjo e dhënë iu përcoll nga OPGJ kolegëve grekë, me qëllim vlerësimin dhe ndjekjen e situatës në kuadër të hetimeve të filluara tashmë, edhe nga ana e tyre. Më datë 6 dhjetor, ora 10:06, shtetasi Emiljant Lamkollari komunikon me shtetasin Aleks Likaj dhe i thotë: “Nisu, se dolëm, te pema”. Po më datë 6 dhjetor, rreth orës 10:06, ka pasur komunikime mes shtetasit Adil Nano me shtetasin Emiljant dhe zhvillohet kjo bisedë: “… ne sapo zbritëm te pema… okej, qëndroni aty ku ju lashë unë dje… pardje në rregull… se do kalojmë në rrugë tjetër…”

Ndërsa në orën 11:05 shtetasi Emiljant i telefonin Adil Nanos dhe zhvillojnë këtë bisedë:

Adili: Ku je ti?
Emiljanti: Po zbresim poshtë.
Adili: Te qyteti atje?
Emiljanti: E, jam futur, kalova atë t’fundit.
Adili: E kalove, mir, zbrit më posht, se do ikim jo na erdhëm, do ikim na krahu tjetër, se takova nja dy shok të mit un aty n’rrug.
Emiljanti: Ne po vim andej, na…
Adili: E, si?
Emiljanti: Mba mend ku na le?
Adili: E e, zbritëm posht.
Emiljanti: Ok.
Adili: Domethën je ktej na të lashë un dje, pardje, jo?

Më datë 6 dhjetor, ora 12:37, Emiljan Lamkollari merr një mesazh nga Aleks Likaj, ku ky i fundit i shkruan: “O vlla, se jam me njerz nuk kam mbaruar akoma, pz, ndaj”.

Më datë 7 dhjetor, ora 18:46, Emiljanti i telefonon Elton Llanajt dhe nga biseda del se flasin për faktin se lënda narkotike e dërguar në Greqi ishte kapur dhe sekuestruar nga Policia greke.

Biseda është bërë e koduar dhe ka këtë përmbajte:
Emiljanti: Po?
Eltoni: Ça bën, ë?
Emiljanti: Hiç, po rrim. Ç’a bën?
Eltoni: Mir, ja, po ri ktu te lokali lagjes.
Emiljanti: Mir je?
Eltoni: Mir. Po rim ktu, po pim bira, do bëjm shere me karige. (qesh) Ça po bën?
Emiljanti: Hiç o hiç, aman, ters, vari lesht, për zotin.
Eltoni: Po ë, çfarë?
Emiljanti: Iku ajo për lesh.
Eltoni: Ça thua re?!
Emiljanti: Po, për zotin.
Eltoni: Ë, ra, e kputi qafën ë?
Emiljanti: Po.
Eltoni: Ça thua?
Emiljanti: Q… morëm fund, e, për zotin, se dim tani na q… (qesh)
Eltoni: Po ë?

Më datë 7 dhjetor, ora 18:50, Emiljanti zhvillon një bisedë me Eltonin”
Emiljanti: Po.
Elton: Ore, mund ta shikoj në internet unë, që t’ia tregoj atij tjetrit, e kan nxjerr ata, është hedhur ajo?
Emiljanti: Po ore, e gjen, ëëë
Eltoni: aaa
Emiljanti: E gjen.
Eltoni: Po unë kam faqe veç të grekut edhe të shqiptarit, që m’i nxjerr vet ato-ja.
Emiljanti: Sa e pashë edhe unë, te greku ishte, radio Igumenica.
Eltoni: Aaa po, ja, t’i them atij.
Emiljanti: Hajde se po e pashë, se s’kam as unë telefon. Po e pashë ta dërgoj unë.
Eltoni: Po mirë, ore vëlla, se dëgjohemi.
Emiljanti: Hajde.
Eltoni: Hajde ciao.

Panorama/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here