“Qeveria ka humbur”, Gjosha: Nuk e ndjejmë presionin, demokracinë e rikthejnë zgjedhjet e lira

0
82

Ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha, në një intervistë për ‘Fax News’ është shprehur se Shqipërisë i duhet ndryshimi i mentalitetit. Sipas ish-deputetes, vendit po i largohet rinia duke e kthyer në një nga vendet më të plakura.

Intervista:

Shqipërisë i duhet një ndryshim i mentalitetit, një qasje e re për mënyrën se si qeveriset vendi dhe t’i jepet fund lidhjeve te politikës shqiptare me krimin e organizuar dhe oligarkët. Një trekëndësh që i ka marr frymën vendit dhe duke larguar të rinjtë nga Shqipëria duke e kthyer në një nga vendet më të plakura që ne kemi qenë një nga vendet ku lulëzonte rinia dhe është për të ardhur keq.

Rezoluta që është miratuar sot është vetëm  në hapat e para të diskutimit të strukturave, e cila do të vazhdoje të diskutohet më tej. Është hapi i parë për të ndryshuar këtë sistem, i cili është totalisht i kapur.

Ndiheni në presion nga qeveria për zgjedhjet lokale?

Ne nuk kemi asnjë lloj presioni dhe nuk marrim presione nga askush. Kur nuk kishim presione kur dogjëm mandatet, sot që jemi qytetarë të lirë ne ndihemi të lirë dhe askush nuk bën presion. Kjo ndodh sepse sot opozita është shumicë, përballë qytetarëve, sado arrogancë të bëjë qeveria është e pamundur t’i bëjë ballë atyre. Sado ta vonojë Rama zgjidhjen e kësaj revolte që është krijuar ndaj tij dhe qeverisë së tij dhe për të çliruar PS-në me njerëz, të cilët janë të besueshëm për qytetarët shqiptar dhe opozitën dhe që mund të negociojë me palën tjetër që jemi pikërisht ne, e cila do të ishte në të mirë të vendit dhe do të gjenim në zgjidhje për zgjedhjet e ardhshme sepse nuk mund të flasim për zgjedhjet lokale pa ndrequr problemet që sollën zgjedhjet e 2017-ës që ju e dini se për dosjet 339 dhe 184 nuk kemi asnjë punë të kryer nga Prokuroria shqiptare për të vendosur drejtësi për atë që ka ndodhur në 2017-ën dhe pastaj të diskutojmë për ndryshim sistemi, si do të organizohen zgjedhjet, standardet, shpalosjen e alternativave dhe politikave. Të gjitha këto duhet të jeni pjesë e një tryeze dhe debateve. Është e pamundur opozita, sado alternativë të japë, e vetme pa PS-në si partner, por ama PS me njerëz të besueshëm, është e pamundur që të hysh në zgjedhje.

Është kërkuar një vëzhgues për reformën zgjedhore nga për PD-në, a sjell kjo kërkesë përplasje mes opozitës?

Vëzhgues të bëhet pjesë e një Parlamenti, i cili është ilegjitim dhe funksion në mënyrë mono-partiake dhe po e kthen vendin në një komunizëm të dytë nga mënyra se si qeveriset dhe mos të harrojmë që pushteti legjislativ është i dyti më i rëndësishëm në Shqipëri që sot është një pushtet totalisht i kapur. Kërkohet të shikojmë teatrin e radhës që bëhet në Kuvendin e Shqipërisë, por po të ishte ky rol opozita nuk do t’i kishte lënë mandatet, pra nuk do t’i kishte djegur ato muaj më parë. Nuk mundet që një reformë zgjedhore të kryhet në një Parlament ku vazhdon të plotësohet nga njerëz, të cilët nuk i njeh askush, ata nuk përfaqësojnë asgjë, mund të kemi një debat a janë të ligjshëm apo jo, kjo është një tjetër çështje që i takon juristëve për ta vlerësuar se si janë ndjekur proceduar për vendet tona të zëvendësoheshin në Kuvend. Por nëse do të çelim debatin nëse përfaqësojnë dikë ata individë që janë në Parlament, unë besoj që jo sepse qytetarët shqiptar jo vetëm që nuk i njohin, por ndjehen të tradhtuar, ndonjëherë ndjehen edhe nga listat që kanë bërë vetë partitë politike, që kanë vendosur njerëz që ata nuk i njohin, nuk kanë punuar në komunitet, nuk kanë shkuar një ditë për të pyetur për problemet e tyre. Po flas edhe për LSI-në dhe ky është një mësim që ne kemi nxjerrë nga djegia e mandateve dhe na ka bërë mirë për të kuptuar se si duhet të funksionojë së brendshmi një parti sepse nëse nuk e ke mirëfunksionimin në partinë tënde atëherë si do të jesh e gatshme që të qeverisësh nesër vendin, të drejtosh apo të delegosh përfaqësuesit e tu si kryetarë të këtyre institucioneve shtetërore, për të cilat ne themi sot se gjithë sistemi ka rënë, asnjë institucion nuk funksionon, pse? Sepse vetë partitë politike nuk funksionojnë. Nëse duam të ndërtojmë demokraci, thelbi fillon tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ke mënyra se si funksionojnë partitë politike.

Kryetarja e LSI-së sot i ka ftuar socialistët e braktisur nga Partia Socialiste siç i quan ajo, të bashkohen me LSI-në, ka sinjale të tilla?

Ka shumë të tillë, ka shumë njerëz që janë shumë të zhgënjyer, që i kanë pritur mandatin e parë me një shpresë shumë të madhe se z. Rama do ta drejtonte vendin me një vizion ndryshe dhe kjo nuk ka ndodhur, ata ndjehen të braktisur, është për të ardhur keq sepse vendi është katandisur deri në atë pikë sa nuk ka më frymëmarrje, nuk ka më shpresë. Njerëzit e kanë të vështirë të besojnë tek politika në përgjithësi, ndaj dhe puna jonë duhet të jetë e dyfishtë, për ti dhënë atyre besimin. LSI-ja është e hapur për kë do që do të bëhet pjesë dhe sidomos për atë pjesë të Partisë Socialiste që ndjehet tashmë jashtë radhëve të tyre sepse në fund të fundit ne jemi një parti e majtë, tek ne dyert janë të hapura . Do të kemi një proces transparent se si do ti zgjedhim përfaqësuesit tanë në parti, kandidaturat tona të ardhshme për zgjedhjet kudo që të jenë ato, procesi i Vettingut i brendshëm, do të kryhet tashëm brenda LSI-së dhe kjo që do të ndodhë është për herë të parë në një parti politike, ne kemi kërkuar ndihmën edhe të NDI që është një nga institutet me mbështetje amerikane, që funksionon edhe e ka bazën në Shqipëri dhe që kanë kryer projekte të tilla edhe për rajonin, besoj që do të kemi sukses dhe do të jemi rigoroz në këtë proces.

A është momenti të ketë një tryezë diskutimi midis mazhorancës dhe opozitës dhe pse mbetet në kusht i pangeociueshëm që kryeministri Edi Rama të jetë vetëm drejtues i Partisë Socialiste?

Gjithmonë Shqipëria ka pasur nevojë për një tryezë dialogu, diskutimi të sinqertë mes palëve, ka pasur tryeza, por kanë qenë tryeza pazaresh, fatkeqësisht, kanë qenë të njëpasnjëshme dhe kanë sjellë këtë lloj krize, duke filluar nga krizë kushtetuese, institucionale dhe pasoi me krizë të madhe politike dhe këtë e kanë sjellë liderët që janë ulur në tryezë dhe nuk kanë menduar se çfarë realisht po negocionin, por kanë menduar për disa çështje momentale, për të zgjidhur kriza momentale, por që nuk kanë qenë me vizion për një Shqipëri më të mirë në të ardhmen. Është nevoja që palët të ulen në tryezë, por kushti është, pa zotin Rama, e them këtë sepse nuk mund të ulesh në tryezë, me njeriun që është shkaktari i gjithë situatës në të cilën po kalon vendi. Duke qenë shkaktari është e pamundur ta besosh tashmë që ai do të jetë njeriu që pavarësisht se po negocion me ty, do të sjellë ndryshimin. Si kryetar i PS atë nuk mund ta zgjedhë opozita e as qytetarët e thjeshtë që janë pa parti, kjo është e pamundur. Si kryeministër jo. Pse? Sepse një njeri që drejton shtetin, një njeri që thotë kam në dorë në gjitha pushtetet, nuk mundet të jetë përballë, ka një konflikt interesi të hapur për mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet. Duhet të çlirojë institucionet njëherë, duhet të marrë me vete edhe gjithë palë kriminale me të cilën mesa duket ai është i lidhur fort dhe nuk shkëputet dot. Por duke e liruar atë karrige besoj që edhe krimi i organizuar nuk do ta ketë më aq të thjeshtë të jetë pjesë e zgjedhjeve në Shqipëri.

Çfarë mesazhesh dha Samiti i Berlinit për Kryeministrin Edi Rama?

Samiti i Berlinit ka qenë një nga ato samite që unë besoj që do të mbetet fort në memorien e gjithsecilit prej nesh, sidomos të rajonit. Është një samit historik sepse ndryshon rrjedhën e mënyrës se si do të vazhdojnë ngjarjet në rajon. Dhe një prej tyre kishte të bënte pikërisht me dialogun Kosovë-Serbi dhe gjithçka që është negociuar deri në këto momente përsa i përket ndryshimit të kufijve. Kjo është një temë në të cilën Gjermania ka qëndruar fort, më pas e mbështetur edhe nga Franca, por Gjermania është elitë në këtë pjesë sepse ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në pavarësinë e Kosovës, ka ndjekur ngjarjet dhe e njeh mentalitetin e rajonit. Nuk ka lejuar precedentë të rrezikshme të ndodhin në rajon, të cilat nesër mund të cënonin stabilitetin, paqen por edhe gjithë bashkëjetesën në rajonin tonë. Të gjithë këto çështje janë të rëndësishme edhe për vetë BE-në. Së dyti, ka treguar edhe njëherë se Shqipëria ende nuk ka përmbushur kushtet për çeljen e negociatave. Është një dhimbje e madhe, dhe qeveria duhet ta kuptojë që ka humbur shumë kohë në këtë proces. Ka një vit që i tregon shqiptarëve që i ka çelur në fakt negociatat dhe unë që vjet kam thënë që kjo do të rrezikojë më tepër qasjen e integrimit evropian të vendit, sepse vetë strukturat që negocionin dhe koordinonin këtë proces nuk do të punonin më për të. Të gjitha këto u anashkaluan, u lanë pas dore dhe sot një vit më vonë vijmë me kushte edhe më të shtuara se më parë dhe me një skepticizëm shumë herë më të madh nga vendet anëtare. Le të mos harrojmë që edhe situata e tyre së brendshmi, nuk është më e njëjta dhe patjetër që kjo ndikon edhe në vendimin që merret si për Shqipërinë ashtu edhe për vende të tjera aspirante për procesin e integrimit evropian.

Ndërkohë, pritet një tjetër protestë e opozitës më 11 Maj. Çfarë do të ndodhë atë ditë?

Është një protestë kombëtare. Data 11 maj do të jetë shumë e rëndësishme. Do të vijojë me të njëjtën linjë protestash. Më pas organizimi dhe vendimmarrja, siç e keni parë në të gjitha protestat opozitare është marrë aty për aty me qytetarët dhe me njerëzit që i janë bashkuar protestës. Për nga numri nuk është një çështje që diskutohet më, nuk është një çështje shifrash, pasi opozita nuk ka merak a do të vijnë njerëz dhe a do ta mbështesin në këto protesta, përkundrazi do të ketë shumë qytetarë në mbështetje të kauzës dhe prioriteteve tona. E rëndësishme është që qeveria të fillojë të dëgjojë zërin e qytetarëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here