I gjithë kori i larmishëm i atyre që mbështetën idenë marroke të shkëmbimit të popullsive dhe teritoreve, bazohej në një argument sa cinik, po aq edhe të parealizueshëm.
Kur dikush i kundërshtonte me principin mbi të cilin është ngritur rendi i sotëm i paqes, atë të pandryshmërisë së kufijve, kur dikush debatonte me ta mbi pamundësinë e realizimit të kësaj hipoteze që hapte “Kutinë e Pandorës” në Ballkan, kur dikush përmendte përdhosjen e vlerave europiane të multietnicitetit dhe bashkëjetesës, ata të jepnin gjithmonë një përgjigje simpliste dhe njëkohësisht përbuzëse.
Mos po bëhesh merak si internacionalist për popujt e tjerë? Kush e ka çarë kokën për shqiptarët, që tani, ne, të mendojmë edhe për fqinjët? Ç’punë kemi ne kur zgjidhim hallin tonë, nëse flaka bie të komshiu?
Pra me një fjalë, Kosova dhe Serbia duhet të bënin paqe mbi principin e ndryshimit etnik të kufijve, pavarësisht se marrëveshja e Dejtonit përfundonte në kosh, pavarësisht se shkpëputja e Republika Serbska e hidhte në erë Bosnjën, pavarësisht se edhe kroaët mund të kërkonin pjesë të saj, pavarësisht se Maqdonia e Veriut mund të vinte në pikpyetje ekzistencën e mëpasshme, e kështu me radhë.
Por, kjo filozofi sa mendje shkurtër, po aq e zhveshur edhe nga çdo vlerë, mori një përgjigje të qartë në samitin e Berlinit. Po të shikohet përbërja e asaj tryeze ajo është kuptimplotë. Prezenca e Kroacisë dhe Sllovenisë, dy shtete që janë tashmë ne BE, dhe i kanë papërcyer sfidat e vendeve të Ballkanit Perendimor, nuk qe një koincidencë e pamatur me kujdes. Ato që më parë qenë shprehur kundër idesë të rreziksme të ndryshimit të kufijve.
I menduar në mënyrë edhe më perfide nga organizatorët, qe qëndrimi i Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, i cili në takimin me dyer të mbyllura arriti të përmendë edhe ringjalljen e fantazmave të luftës.
Nuk qe i rastësishëm fakti se ai “u gjend” në të njëtën linjë me qëndimet e kancelares gjermane.
Kur, Hashim Thaçi dhe më pas Edi Rama mbështetën në gushtin që shkoi idenë e Aleksandar Vuçiçit për këmbimin e territoreve dhe popullësisë, Merkel zgjodhi të shfaqet në krah të Zvizdiq, për të shpallur: “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe i paprekshëm. Kjo duhet të përsëritet gjithnjë, sepse ekzistojnë tendenca që çështjet e kufijve të hapet sërish. Kjo nuk mund të ndodhë (13 gusht 2018)”.
Edhe këtë javë në Berlin, pas paralajmërimeve për luftë që bëri në sy të Emmanuel Macron, kryeministri i Bosnjës u tregoi mediave se Presideni Serb Vuçiç ishte inatosur keq me të për shkak të shkelmit që i dha kësaj ideje. Vuçiç nuk e duroi dot faktin që unë tregova “se rivizatimi i kufijve në linja etnike në Ballkan gjatë viteve të 90-ta ka përfunduar me luftëra të përgjakshme” i tha ai gazetës “Slobodna Bosna”.
Kjo e bëri liderin e fortë serb që kur u kthye në Beograd të deklaronte se ideja e nisur prej tij kishte dështuar.
Bashkë me të dështuan edhe të gjithë ata shqiptarë që i vunë gjoksin asaj.
Dhe kur thuhet kjo, fjala nuk është aspak për dokra me patiotë e tradhëtarë. As me historitë që ne tregojmë rëndom për të shiturit tek shkjau apo spiunët e Serbisë.
Jo aspak. Sepse mëkati i atyre ata që përkrahën planin serb në Tiranë dhe Prishtinë, nuk ishte tradhëtia, por mendjelehtësia për tu mbështetur tek një premise, sa naïve po aq edhe e pamundur.
Ata e arsyetuan rrugëtimin e tyre me parullën le të shpëtojmë veten, por flaka u rrëntë të tjerëve.
Por, samiti i vndve të Ballkanit tregoi krejt të kundërtën. Tregoi se ashtu sikurse pranoi edhe në fund presidenti francez, që u afrua me qëndrimin e Merkelit, nuk mund të ketë zgjidhje që cënon palët e treta. Për këtë arsye Berlini ishte një fshikullimë edhe për ata që verën e kaluar pyesnin me ironi: “Ç’na intereson ne, Bosnja dhe Kroacia”?
Andi Bushati/Lapsi.al