Me të marrë malli për Tik Llallën…

0
146
Ermal Mulosmani
Adriatik Llalla përfaqëson, në memorien time, pikën më të ulët ku mund të katandiset një shtet. Ai ishte simboli i  përzierjes së drejtësisë me politikën, krimin dhe median. Indiferenca e tij ishte olimpike.
Kur kam lexuar romanin “Obllomov”, të shkrimtarit rus, Goncharov, thashë me vete : “Ne  kemi Obllomovin Prokuror të Përgjithshëm”!

Sa për ilustrim, më duhet ti them dy fjalë për Obllomovin rus, atë të romanit. Ai ishte një aristokrat i rënë nga vakti, që, shtynte ditët në gjumë dhe vegjetim total. Për të, edhe të ndërronte krah në krevat ishte njëfarë pune që kërkon pak shplodhje.  Ai mahnitej, fjala vjen, me një njeri që çohej në mëngjes dhe dilte nga shtëpia. “Ndonjë shtysë hyjnore do ta ketë ky”-thoshte me vete… Dhe pas çdo mendimi në krevat, i vinte gjumë…”Gjumë i merituar”! -thoshte me vete, “gjithë ato mendime më lodhën”…

Më dembel se Obllomovi ishte vetëm shërbëtori i tij, Zakhari. Mardhënia dhe komunikimi i Obllomovit me Zakharin është një monument humori.

Nejse, kjo është sa për një ide se kush është Obllomovi për ata lexues që nuk iu ka rënë rasti ta njohin veprën e Goncharovit. Tani të kalojmë tek Adriatiku, shkurt Tiku.

Prokuroria e Përgjithshme, organi që do u fusë tmerrin politikanëve më të korruptuar në Evropë, kriminelëve më të famshëm, trafikantëve më të rrezikshëm të drogës dhe prostitucionit, drejtohej nga Obllomovi i kohëve moderne. Dukej një hap i menduar mirë. Në pesë a më shumë vjet që Tiku e drejtoi Prokurorinë e Përgjithshme pati nja katër njoftime shtypi. Dhe jo kot, por me pjesëmarrje të jashtëzakonshme, nuk kishte vend as ku të vinin mikrofonat. Gazetarët ishin si mizë lisi, korridoret e Prokurorisë së Përgjithshme gumëzhinin si kurrë ndonjëherë…

Befas, dilte Tiku me ndonja 20 min vonesë që t’i jepte rëndësinë e duhur ngjarjes. Priteshin arrestime të bujshme.

Pllakoste heshtja, Tiku vendosej përballë mikrofonave dhe deklaronte mistershëm : “Prisni njoftime të reja këto ditë. Do ketë lajme të mëdha për ju”!

Kaq ishte konferenca e shtypit. Pastaj, Tiku, zbret ngadalë nëpër shkallë. Një roje i hap rrugën dhe i mban pallton, një tjetër i hap derën e benzit luksoz. Tiku nuk ngutet, madje ngadalëson hapat. Pastaj futet brenda dhe zhduket duke lënë mbrapa lajmin e mistershëm.

Mu kujtua Kadareja kur thotë “Pelerinën era ta ngre me tallaz / Gjeneral Moisi pluhur shumë le pas”…

Por, ditët kalonin dhe njoftimet nuk erdhën kurrë. Dhe Tiku tallej me ne nëpër dreka e darka me politikanë, kriminelë e trafikantë. Madje, hapnin edhe lajmet nëpër darka dhe qeshnin me deklaratat e Tikut. Të gjitha palët…

Tiku ishte zgjedhur fiks për këtë gjë! Të mos bënte asgjë.

Nejse, Tiku ka punët e hallet e veta tani.

Kur po përzgjidhej Prokurori i ri i Përgjithshëm thashë me vete : “Epo shyqyr, më keq se sa Tiku nuk mund të gjendet”!

Por ky vend është fantastik, nuk i gjenden kurrë limitet e së keqes. U gjend një grua nga Puka,- e persekutuar politikisht- thanë dhe e emëruan Prokurore. Kishte qenë vartëse e një deputeti socialist me emër korean. Nuk po i hy këtu mënyrës sesi e emëruan në Parlament sepse, për këtë shkrim, është e parëndësishme. Por e mandatuan si “të përkohshme”.

E përkohshme është fjalë relative, e papërcaktuar. Mund të jetë edhe 10 vjet, prapë e përkohshme quhet.

Sa për kujtesë, po kalon një vit e gjysmë prej emërimit…

Emërimi i saj përkoi me ngjarje shumë të bujshme, skandale financiare, dosje përgjimesh ku dëgjoheshin politikanë në biseda me kriminelë për vjedhje votash, përgjime ku trafikantë flasin me vëllain e Ministrit të Brendshëm për trafik, dosja e kanabizimit dhe lidhja e ish Ministrit të Brendshëm me grupin e Habilajve etj etj.

Por, këtu, po merrem vetëm me dy skandale, Unazën e Re dhe vjedhjen e Aeroportit të Rinasit.

Një ndër dosjet më të bujshme, aty ku shteti u kap me vjedhje vulgare, të tepruar, të pakujdesshme ishte tenderi prej 2 km për ndërtimin e Unazës së Re të Tiranës!

Një sportelist hoteli u zgjodh fitues i tenderit me fond limit 20 milion Euro! Tenderi është fituar me fond maksimal të mundshëm.

Projekti, megjithëse kushton 1.5 milion deklarohet që është falas nga Drejtori i Entit Prokurues. Pra, Drejtori thotë që dikush i kishte falë 1,5 milion Euro! Kur drejtuesi i emisionit e pyet “Si mund ti falë dikush 1,5 milion Euro”? Drejtori përgjigjet :”Pyeteni atë që na i fali”!

Rregullat shtetërore të ndalojnë të marrësh 150 Euro dhuratë zoti Drejtor. Për 1,5 milion Euro të fusin në burg. Gjatë….

Tenderi dështoi vetëm sepse një gazetar i njohur pyeti në një shtet amerikan, Dellawere, “Ore, ju e keni nënshkruar këtë letër”? Kaq pyeti.

Përgjigja ishte e lemerishme. “As e kemi idenë se kush është ky person. Nuk ka lidhje me këtë shtet”!

Kjo kërkesë e një gazetari, tronditi gjithë themelet e korrupsionit në vend. Oligarkët e ndjenë tronditjen fort, edhe Kryeministri e ndjeu.

A u arrestua njeri do thoni?! Jo mo jo, askush për be! As Drejtori i Entit Prokurues, as Ministri i Infrastrukturës, as Drejtori i OST-së. Ore po edhe një ekonomiste që bën dokumentet makar!

Asnjë për be!

U grabitën 6,5 milion Euro në Aeroportin e Rinasit. Të gjithë dalin në konferenca për shtyp dhe deklarojnë “E ka fajin Aeroporti dhe siguria”. Ok, po e besojmë për një çast. A është arrestuar personi përgjegjës i sigurisë? Po shefi i tij, Drejtor i Aviacionit Civil? Po shefi i tij, Ministri i Infrastrukturës?!

Ore po edhe roja i turnit në Aeroport?!

Kjo më bëri të më marrë malli për Tik Llallën. Të paktën Tiku prodhonte ndonjë lajm rozë me udhëtime luksoze, femra, intriga e gjëra të tilla.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here