Liria e Medias/ VOA dhe BIRN godasin sërish Ramën! Vlerësojne Presidentin Meta…

0
79

Rënia e Shqipërisë me 7 vende në klasifikimin e organizatës “Gazetarët pa kufij”, e cila publikoi raportin e përvitshëm mbi lirinë e medias në botë, u shoqërua me reagime të ndryshme në Tiranë. Presidenti Ilir Meta u shpreh se kishte “përcjellë me shqetësim të thellë përfundimet e raportit për regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias”. Sipas tij, rënia në klasifikim “dhe paralajmërimi serioz i këtij raporti se “rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë”, është një këmbanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve”.

Presidenti theksoi se “në mënyrë të përsëritur kam dënuar me ashpërsi të gjitha sulmet dhe çdo akt dhune ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit”, duke shtuar se “sërish apeloj me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre”.

Ndaj vlerësimeve të raportit reagoi dhe Partia Demokratike, përmes ish deputetes Albana Vokshi. “PD ka denoncuar, prej kohësh, situatën alarmante të lirisë së medias në Shqipëri. Pa media të lirë nuk ka transparencë dhe llogaridhënie të qeverisë, nuk ka informim të publikut, rrjedhimisht nuk ka zgjedhje të lira. Media e Lirë është kushti i panegociushëm për hapjen e negociatave”, vuri në dukje zonja Vokshi sipas së cilës, për rënien e Shqipërisë në klasifikim “është parë si përgjegjës kryesor kryeministri Edi Rama. Ai ka vënë nën kontroll shumicën prej mediave, nëpërmjet lidhjeve me pronarët oligarkë, tenderave, koncesioneve, PPP-ve apo licensave korruptive, siç evidentohet në raport. Parimi i Ramës – vijoi më tej zonja Vokshi – është që atë që nuk e blen dot me tendera, koncesione, licensa, e kërcënon e shantazhon, fyen, përçmon, e çon në gjyq”.

Kryeministri Edi Rama u përgjigj shkurt përmes një postimi në Twitter: “Një pasqyrë kujtese “virgjëreshave” që vrisnin qytetarë, rrihnin e plagosnin gazetarë dhe sot bëjnë moral! Ka ende shumë për të bërë për lirinë e medias dhe ndarjen e lumit të informacionit nga llumi i kazanit po ashtu. Por me këtë qeveri s’ka media të shantazhuar e liri të mohuar!”, shkruajti zoti Rama.

Shqipëria vjet ishte në vendin e 75-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 82-të. Në raport thuhet se “sulmet mbi mediet, qoftë nga qeveria apo krimi i organizuar, arritën shkallë të pashembullt në vitin 2018. Gazetarët ishin cak i fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe përndjekjeve ligjore, me qëllim të frikësimit dhe pengimit të hetimit të korrupsionit. Politikanët e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i cilësuan ata si ‘kazan’ dhe ‘prodhues të lajmeve të rreme’. Kryeministri propozoi një ligj të projektuar për të përforcuar kontrollin e shtetit mbi mediet elektronike dhe, sipas kritikëve, të kufizojë qasjen në lajme dhe informacione”.

Raporti përmend një studim të përbashkët të “Gazetarëve pa kufij” dhe BIRN-it i publikuar në muajin mars të vitit të kaluar, i cili ka gjetur shumë probleme në mediet shqiptare. “Standardet rregullative janë manipuluar në interes të qeverisë dhe pronësia mbi medien transmetuese është përqendruar në duart e pak afaristëve të mëdhenj. Kjo, ka krijuar një situatë në të cilën auto censura është e përhapur dhe 80 për qind e gazetarëve nuk kanë besim në ardhmërinë e tyre profesionale”, thuhet në raport. /VOA/

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here