Reforma zgjedhore e vërtetë pret opozitën e vërtetë…

0
111

Nga Ervis Iljazaj

Sot në Parlamentin e Shqipërisë u miratua shtyrja e afatit të reformës zgjedhore edhe me një muaj tjetër përtej datës që ishte përcaktuar nga komisioni zgjedhor i mëparshëm. Nga të gjitha diskutimet që u dëgjuan në Parlament u duk qartë se ajo që po diskutohej nuk ishte reforma e vërtetë zgjedhore. Reforma e vërtetë zgjedhore dhe të gjitha çështjet që ajo duhet të zgjidhë nuk mund të aprovohet pa opozitën e 25 qershorit, e cila sot ndodhet jashtë Parlamentit.

Ndoshta jo më kot mazhoranca e shtyu këtë afat, duke i ftuar si vëzhgues me veto. Sepse, përtej çdo tentative të saj për të krijuar idenë se një opozitë tjetër ka lindur, përtej retorikës së ditës dhe agresive kundër saj, e di mjaft mirë se opozita e vërtetë dhe që përfaqëson pothuajse gjysmën e shqiptarëve është Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat deputetët e rinj nuk i njohin si përfaqësues të forcave të tyre politike.

Në këtë kuptim, mazhoranca duket sikur është në një ngërç politik për të zhvilluar një reformë të vërtetë zgjedhore, sepse deputetët e rinj, që ndër të tjera deklaruan që nuk do ta votonin, nuk përfaqësojnë vullnetin opozitar të 25 qershorit. Prandaj, këtë çështje mazhoranca po përpiqet ta diskutojë më shumë si një detyrim që ka ndaj ndërkombëtarëve sesa për të aprovuar një reformë të vërtetë që të adresojë të gjitha problematikat.

Pra e gjithë përpjekja e mazhorancës për këtë reformë po bëhet si një dhuratë për ndërkombëtarët, për t’u treguar atyre se detyrat e shtëpisë po bëhen, pavarësisht se opozita gjendet jashtë Parlamentit.

Megjithatë, reforma zgjedhore e zgjedhjeve të ardhshme nuk mund të aprovohet pa mbyllur llogaritë e pambyllura të zgjedhjeve të kaluara. Sistemi politik shqiptar ka kaluar në bllokim të plotë pikërisht për dyshimet e rezultatit e atyre zgjedhjeve. Dyshim të cilin vetëm një sistem gjyqësor i pavarur do ta zgjidhte. Mirëpo, në këtë moment sistemi gjyqësor shqiptar nuk ka parametrat dhe autoritetin e duhur për t’u shkuar deri në fund akuzave të opozitës për shitblerjen e votave. Gjë të cilën e ka vërtetuar deri më tani, duke mos hapur asnjë hetim për këtë çështje, pavarësisht përgjimeve që kanë dalë në media.

Prandaj, mbyllja e llogarive të 25 qershorit, do të përbënte në vetvete një reformë zgjedhore, e cila në thelb të saj do të kishte zhvillimin njëherë e përgjithmonë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në kushte neutrale.

Dhe ky kusht bazë, e çdo reformë të mundshme, padyshim ka më shumë gjasa të realizohet me një qeveri neutrale tranzitore sesa me një qeveri politike, siç është ajo e sotmja, që ndër të tjera është bërë tashmë shumë e diskutueshme.

Kështu që, çdo reformë që aprovohet pa miratimin dhe vullnetin e opozitës së 25 qershorit, opozitës së dalë nga votat e shqiptarëve, është një reformë që do të provokonte demokracinë shqiptare dhe vullnetin e shqiptarëve. Sepse çdo votë që do të merrte ajo, nuk është votë që përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Në këtë kuptim është një tentativë e qartë drejt diktaturës së mazhorancës.

Asgjë thelbësore nuk u diskutua sot në Parlament për këtë çështje. Të gjitha tematikat e debatuara kishin të bënin me detaje, që sigurisht janë të rëndësishme, por që nuk shkonin në thelbin e problemit. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi thelbin e problemit të zgjedhjeve e ka ngritur opozita që tashmë ndodhet jashtë Parlamentit. Dhe në këtë kuptim, vetëm me atë opozitë do të trajtohen problemet e vërteta. Këtë gjë e di mjaft mirë edhe mazhoranca dhe jo më kot e shtyu aprovimin e saj, si një shenjë për të pritur Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Aq e qartë ishte ky nëntekst, saqë shqetësoi edhe deputetët e rinj të Parlamentit. Ndoshta për herë të parë ata deputetë, të cilët janë legalë, por jo përfaqësues, e kuptuan që dialektika politike e shqiptarëve është zhvilluar dhe do të zhvillohet midis Partisë Socialiste dhe opozitës të dalë nga 25 qershori. Megjithëse deputetët e rinj pretendojnë se përfaqësojnë shqiptarët, dje e kuptuan fare mirë se në atë debat politik ishin jo në vendin e duhur, madje ndiheshin të tepërt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here