Poezi nga Mimoza Ahmeti: Jusuf Vrioni dhe puthja pa bështymë me Edi Ramën!!!!!

0
367

 

Para pak kohesh Mimoza Ahmeti u shperndau nje grupi miqsh te saj kete poezi te cilen ne po e ndajme me lexuesin tone sot duke shpresuar se Mimoza nuk do te merzitej, pasi eshte nje poezi “e lire ” si vete autorja qe per hir te vertetes nuk ndryshon dhe nuk duhet te ndryshoje kurre

Nga Mimoza Ahmeti

KONCEPT PER NJE TRANSPLANTOR KULTURASH

QE IKU PA ME MARRE LEJE

 

Kush ishte Jusuf Vrioni?

 

As unë nuk e dija

deri atë mëngjes kur ra telefoni:

Jam unë, tha ai, sot më 11°°

te Lidhja e Shkrimtarëve.

Kishte fytyrën e habisë natyrale

dhe sytë e tij ishin dy flegra pas të cilave

montohej në distancë inteligjenca;

trupi i tij i mëndafshtë i pështjellë

me një kostum

në filenë e të cilit gëzohej

një trekëndësh shamie.

 

Dridhesha, si para një violinçeli të akorduar

që nuk dija si prekej.

Ai me siguri e vuri re këtë dhe:

A e dini përse ju kam kërkuar?

Po, i thashë, pa ditur kurrgjë,

kishit ndier që doja të njihja një njeri sëre,

diçka si puna juaj, d. m. th. vetë Ju,

gjë që e kisha shtyrë gjithmonë për më tej

pasi nuk po ndodhte.

 

Jeni e çuditshme, ia bëri ai!

Pastaj sikur të kish zbritur një vranësirë pranë

i erdhi kujtesa:

Vija nga Milano më 1944. Disa ditë

vakancë në vendin tim…

Kush mund ta mendonte

se angloamerikanët do të na linin ashtu…

Ishte më e besueshme të mendohej se Toka

do të rrotullohej në të kundërt.

Më futën brenda, 12 vjet,

para meje, çvarrosën tim atë

dhe ia hoqën kufomës dhëmbët e florinjtë,

i hodhën eshtrat e tij…

Në qeli flija me gjoks,

pasi më shpinë

lagështira të bën tuberkuloz.

 

Çfarë dinte për mua Jusuf Vrioni?

 

Më thoni, tha ai,

a keni bërë dashuri me Edi Ramën?

Kjo ishte një pyetje hapsaqe,

nuk mund të them budallaqe,

që Jusufi e hodhi si zar

në mes të bisedës sonë.

Nuk po ju kuptoj, pëshpërita.

Asgjë, buzëqeshi ai, si të doni.

Jemi puthur pa pështymë. Kaq !, ju përgjigja.

Pa pështymë- Ho, ho, ho

qeshi ai lehtësisht

sikur diku në një trup tjetër

zemrën e tij

e grithnin me gjilpëra.

E çuditshme, jeni e çuditshme !-

Por ndjeja se ai nuk qe aspak i çuditur

deri në lëvizjen e dorës që shtynte limitin

dhe pashë se çuditej pse

nuk çuditej fare.

 

Thomëni, ia bëri ai,

do të bënit dashuri me mua?

(Ishte e treta herë që takoheshim,

këtë herë në shtëpi)

Nuk mundem, nuk kam aftësi.

Thomëni që nuk ju pëlqej.

Përkundrazi i thashë, por s’kam predispozitë.

Si të doni.

Dhe filloi të tregojë për një Princ të Anglisë:

E dini si bënte

dashuri ky princ me të dashurën

e tij? Në dy shtretër përballë, lakuriq, të dy,

vetëm shiheshin.

Do t’ju pëlqente një dashuri e tillë me mua?

Ky kuriozitet më bën të shkoj-

thashë dhe u çova.

 

Epo mirë. Si të doni !

 

Çudi,

e ndjeja se Jusuf s’më kish për shije,

psherëtinte për femër dhe ja

s’i vinte aspak rëndësi refuzimit tim,

ndaheshim si miq,

takoheshim me mall.

Një lloj emocioni që mua më tensiononte disi

ndërsa atë veçse e hidhte në harrimësi zhvillimesh

ku dëgjimi im

nuk kish fort rëndësi për të.

 

 

Ç’ishte jeta për Jusuf Vrionin?

 

Kur dola nga burgu

kisha një fizik të përsosur,

ja fotografia,

falë stërvitjes së vazhdueshme të një vullneti për liri.

Isha në plazh me gruan

dhe me dy miq të familjes.

Notoja, shkoja larg, ata më shikonin,

sa larg shkon Jusuf Vrioni thoshin

dhe prapë, për së dyti, hyra në det,

luanin karta ata në çadër,

shkova shumë larg, aq sa munda,

u ktheva. Në breg një e rrahur zemre e fortë, e pashë

se do të vdisja.

U shtriva. Ç’farë perëndimi…

Nuk mund të gjej ditë më të bukur për të ikur

nga kjo botë, mendova.

Desha të vdes, me gjithë

Shpirt ! Ishte një ditë e

mrekullueshme për të vdekur,

më kuptoni, ju ka qëlluar ndonjëherë?

Por nga çadra erdhi njeri nga miqtë e mi.

Pije këtë kokërr, Jusuf !

Refuzova me dorë.

Duhet ta pish, ndryshe familjen

tënde dhe ne do të na interrnojnë

4 / 8

sepse ti refuzove mjekimin

dhe kjo është shfaqe e huaj.

E piva.

Gëzohem, i thashë, tani jemi

bashkë dhe keni një lëkurë

më të butë se mëndafshi.

O sa e mirë jeni, tha ai për mua

dhe unë kujtova se tha për lëkurën e vet.

 

 

Ku jetonte Jusuf Vrioni?

 

Jetonte në vilë, tani të gjithën,

dikur vetëm katin përdhes

si i deklasuar që ishte.

Kishte edhe një tjetër vilë

që ia banonte një

anëtarë i Byrosë Politike

dhe një tjetër në Paris

të tjetërsuar poashtu

dhe shumë prona të pamata, të pushtuara

të cilat s’i mori kurrë

pasi, siç tha:

Nuk kam ndërmënd të rri pas dyerve !

 

 

Vitet e fundit i kaloi në Paris,

e mora në telefon një ndër herët, por e shoqja:

Doni Jusuf Vrionin?

Po, dua Jusuf Vrionin.

Kush jeni ju?

Jam Mimoza Ahmeti, si gjithmonë.

Nuk e dini se Jusuf Vrioni është i martuar?

Po edhe unë jam e martuar.

  1. m. th. ju pëlqen Jusuf Vrioni ?

Sigurisht që më pëlqen Jusuf Vrioni !

Ashtu?

Po, kështu !

Bram. (u mbyll telefoni)

 

 

5 / 8

Jusuf Vrioni është një matuf sklerotik

më pat thënë Edi Rama.

Aman, Jusuf Vrioni ashtu bën për të

Gjitha femrat, më pat thënë Ornela Vorpsi.

Shërbëtor dhe servil regjimi,

më pat thënë për të Aurel Plasari.

 

E dija që nuk qe kështu,

por një gen bastard

midis genesh gjeniale

qeshte te të gjithë miqtë e mi.

Jusuf Vrioni ishte perri njerëzore

dhe nuk e kishte këtë gen

që ndoshta përfundimisht ndan sërën

nga vulgu.

 

 

Ishte e fundit specie e tillë

edhe për ne në Francë

tha Claude Arnaud, një shkrimtar provokativ

nga Parisi,

në atë kohë homo, fytyra e të cilit

ishte abstraksion i gjallë i intelektit:

Ishim në veturë të dy, me Jusuf Vrionin

dhe ndalova, pasi përpiqte

këmbët, qante dhe thoshte:

Kam jetuar shumë, o sa e padurueshme

të jetosh kaq gjatë !

Doja ta qetësoja, por ishte e pamundur…

Jusuf Vrioni ishte i një elegance të rrallë !

 

 

Vuante nga një egoizëm i shfrenuar

tha Ismail Kkadare, padroni i tij,

sikur i vinte inat që po jetonte !

Duhet të gëzohesh, i thosha,

në vendin tënd njerëzit gëzohen

të jetojnë kaq gjatë…

Po ç’jetë është kjo

pa rini, pa para dhe pa femra ?

6 / 8

Ҫ’Paris është ky ?- më sulej mua.

E tillë është jeta tani

edhe për të rinjtë e Parisit,

Ti njeh Parisin e paraluftës,

por ky i konsumizmit

është ndyshe. Mos kërko

gjëra që nuk janë më !-

Më shpjegonte Ismail Kadare me mllefin

e atij që ka humbur mjeshtrin.

 

 

Ishte telefonata e fundit

në kohë elektorale:

Mora vesh se po hyni

në politikë lodroi zëri i tij,

e bëni ju, e bëni,

nuk ka gjë që s’bëni.

Në të vërtetë: Edhe këtë e bëtë?

më dukej sikur tha,

dhe unë që doja t’i thosha

se ishte thjesht një trill

tragjik imi, për të parë

nga gryka e një pusi të zi

dhe se…

Por një dardhë e pangrënë

më bllokoi fytin

dhe një memecëri

u përhap në qenien time…

 

 

Pak ditë më pas

shoh në ekran se ka vdekur.

E zhgënjeva, ishte mendimi i parë, nuk

priti më tutje,

një i velur që s’i hahet më.

Do ta konceptoj më vonë se ka vdekur.

Dhe fika ekranin me gjakftohtësi.

 

 

 

7 / 8

Punë e madhe se vdiq Jusuf Vrioni,

më ke mua, tha Ornela Vorpsi,

e cila tani nuk ngre as telefonin.

 

Shëtisja vetëm trotuarit, me një fustan

ruzhë idol,

e pata veshur një herë për Jusuf Vrionin…

Frynte. Frynte një zbrazëtirë e pashpjegueshme

në gjithë kyeqytetin.

Një zbrazëtirë moti e përzier me

zbrazëtirë politike, si një eros i vdekur.

Ç’më bëre, Jusuf Vrioni !- thirra befas-

si vdiqe pa më marrë leje?

Kindat e fustanit i tërhiqte

zbrazëtia dhe flokët një vetmi e pashpresë

dhe krejt e ndjeva veten

vejushë

midis gjithësisë së ve.

 

Ishte diku një foto e jona

në duart e një reporteri,

një foto e bërë

në ballë të Notre Dame de Paris.

Unë zbathur, sandalet e mia

pak më tutje.

Kështu ishim baraz të gjatë.

O sa e mirë jeni,

ia pat bërë ai për gjestin tim,

ndërsa mua më dëgjohej:

O sa e mirë që jeni ju o qenia ime, Jusuf Vrioni, ti je vërtet Nobël.

 

Kishte në këtë dëgjim diçka të përafërt

me prezencën time që i nevoitej

për të rënë në zhvillime harrimësie-

dhe asgjë më shumë !

 

 

Rast i veçantë :

 

Isha në Romë

kur ia citova Fatos Lubonjës këtë poemë.

8 / 8

Vërtet, c’i pëlqeje, Jusuf Vrionit ?- ia bëri ai-

atë e tërhiqte edhe Ҫashku për hunde.

Po, ti, përse ma thua tani, pikërisht, këtë ?

Vëmë dhe mua në listën e atyre miqve…

tha duke qeshur mes ciltërsisë dhe djallëzisë-

të lutem, përsëriti, mos harro !

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here