Basha: Oligarkia e do hashashin për vete

0
131

 

Zoti Basha ka kujtuar se rezultatet e arritura në luftën kundër narkotrafikut bënë të mundur heqjen e vizave për shqiptarët në vitin 2010.

basha lazaratKryetari i Partisë Demokratike është pritur në një takim entuziast nga banorë të Lazaratit. Shefi i selisë blu u bëri thirrje krerëve të mazhorancës parlamentare të majtë të ndalin terrorin mbi Lazaratin. Ai shprehu qëndrimin e prerë të forcës së tij politike kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Zoti Basha ka kujtuar se rezultatet e arritura në luftën kundër narkotrafikut bënë të mundur heqjen e vizave për shqiptarët në vitin 2010. Kryetari i PD theksoi se ata që stigmatizojnë sot Lazaratin, janë përgjegjësit kryesorë të futjes deri në parlament të trafikantëve.

“Kurrë nuk kemi qenë kundër luftës ndaj bimëve narkotike, përkundrazi bashkë i kemi luftuar, bashkë kemi arritur suksese. Evropa na vëzhgoi, Evropa na vlerësoi, Evropa na hoqi vizat. Nderim për ju vëllezër e motra që bëtë këtë të mundur! Ata që stigmatizojnë Lazaratin, janë ata që janë përgjegjës për rritjen e trafikut të lëndëve narkotike, për trafikun nga ajri si asnjëherë më parë të hashashit, kokainës dhe heroinës. Janë ata që trafikantët jo vetëm që nuk i luftojnë por i kanë bërë deputetë të partive të tyre, i kanë veshur me pushtet, i kanë bërë drejtorë, i kanë futur në polici. Oligarkia i do të gjitha për vete, do paratë për vete, do pushtetin vendor për vete, do edhe hashashin për vete, të gjitha për vete i do. Ne jemi këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë dyshes Rama-Meta: Ndal terrorin mbi Lazaratin, ndal reprezaljet mbi Lazaratin! Asgjë nuk e mposht vendosmërinë e Lazaratit për të vendosur vetë dhe me votën e tyre, më të mirin, njeriun e punës, njeriun e përkushtimit, njeriun që do t’ju shërbejë ju dhe do të bëjë të mundur që edhe Lazarati të jetojë me punë e dinjitet si gjithë Shqipëria dhe ky është doktor Igli Kokalari”. Lazarati është pjesë e bashkisë së Gjirokastrës me ndarjen e re administrativo territoriale. Fshati i etiketuar si rebel njihet si bastion i fortë i së djathtës dhe mund të rezultojë përcaktues me votën e tij në 21 qershor për fitoren e kandidatit të djathtë Igli Kokalari.

 

Kosova: Bashkia do të ketë një linjë miqësore me biznesin

Kandidati për Kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, ka vijuar fushatën me intensitet të lartë, duke shpjeguar programin nëpër lagje dhe komunitet. Kosova u takua me punonjës të një rrobaqepësie në rrugën “Siri Kodra”, ku shpjegoi efektet e programit të tij për uljen e taksave, çka do të sjellë më shumë para për biznesin, pra paga më të mira për të punësuarit dhe vende të reja pune.

“Kam ardh për t’i mbështet ato që krijojnë vende pune për ju dhe e dyta do të jem përkrah tyre për të bërë më të mirën për to sepse duke bërë më të mirën për biznesin, biznesi e kthen këtë në vende pune ose dhe pse jo në të ardhura më shumë për ju. Ideja e bashkisë është që të ulë 30% taksat lokale”, – tha Kosova. Duke u ndalur tek stimulimi i biznesit që krijon vende pune, Kosova shtoi: “Çdo njeri i di hallet e veta mirëpo në qoftë se Bashkia, në qoftë se unë në krye të bashkisë zgjidh problemet e Ilirit dhe shumë të tjerëve që në këtë egërsi tregu ju mbajnë me punë, unë them që kam bërë gjënë më të mirë edhe për ju. Se s’bën do të përkthehet në kushte më të mira për ju ose në mundësira më shumë për ju. Kushdo njeri që do me bë diçka të mirë në qytet apo në ndonjë vend, puna e parë duhet të ketë një klimë miqësore me biznesin me atë që prodhon vende pune që i mban njerëzit me bukë kështu që bashkia do jetë si rregullatore, harmonizuese e gjithë mundësive që ka qyteti”, – tha Kosova.

Kandidati për Kryetar Bashkie në Tiranë foli edhe për projektet e infrastrukturës.

“Jo këtu por deri në 4 vjet do të jenë edhe fshatrat me rrugë sepse i kemi mundësitë se janë lekët janë të gjitha janë projektet ajo nuk diskutohet. Tashi ne do dalim lagje më lagje, fillojmë sot për herë të parë ku çdo lagje do merret kshu si kuadrat jo një rrugë këtu një rrugë andej do merren kështu si kuadrat do mbarohen të gjitha, kanalizime, ujë. Mbaroi kjo, dhe jo njëherë këtej, njëherë këtej, secili pjesën e vet që të bashkohen të gjitha”, – tha Halim Kosova. Kandidati për kryebashkiak ka vazhduar takimet edhe në fshatrat rrotull Tiranës duke kërkuar një mbështetje sa më të gjerë nga qytetarët dhe publiku.

 

PD Sarandë denoncon përdorimin e mësuesve dhe nxënësve për fushatë elektorale

Partia Demokratike Sarandë akuzon ministren e Arsimit Lindita Nikolla se po përdor shkollat, nxënësit dhe mësuesit për fushat elektorale. Në një deklaratë për shtyp të sekretares së PD Sarandë, Matilda Qurku bëhet me dije: “Procesi mësimor u pezullua sot në gjithë rrethin e Sarandës. Mësues e nxënës u detyruan të mbushin sheshin pranë “Limanit” të qytetit, për një takim elektoral të kandidates së Koços.  Treshja Nikolla, Kokëdhima e kandidatja e tij premtuan e stërpremtuan sot për arsimin por mbi të gjitha, kërkuan votën e mësuesve dhe nxënësve për zgjedhjet e 21 qershorit. Revolta e përbrendshme për përballjen e sotme nuk mund të shprehej nga pjesëmarrësit, pasi masat ishin marrë që në rast mungese në takim apo reagimi, pasojat do të ishin të rënda”. Selia blu e qytetit jugor i ka bërë thirrje ministres Lindita Nikolla dhe deputetit Koço Kokëdhima të qëndrojnë larg përdorimit të administratës në fushatë, presioneve ndaj nxënësve, studentëve e qytetarëve pasi as presionet e as premtimet boshe nuk e deformojnë dot votën e banorëve të Sarandës. Partia Demokratike garon në Sarandë me Kreshnik Bozhon një figurë me popullaritet të lartë në këtë njësi vendore.

 

Sondazhi i “Ora News” dhe “IPR Marketing”

IPR Marketing dhe Ora News publikojnë sondazhin e dytë për qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Sondayhi është zhvilluar në këto tre bashki kryesore të vendit duke sjell një perceptim të opinionit publik mbi liderët dhe kandidatët për krzebashkiak në këto qytete. Vihet re një avantayh i së majtës edhe pse besueshmëria e sondayhit pritet të provohet në 21 qershor.

 

 Enkelejd Alibeaj: Qeverisje për interesat dhe nevojat e qytetarëve

Kandidati i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, për Bashkinë e Fierit ka vazhduar takimet dhe bisedat e tij me fshatarët e zonës. Alibeaj ka dëgjuar shqetësimet e banorëve dhe u është zotuar për ndryshimin e situatës pas datës 21 qershor. “Fusha ka mbetur djerrë. Uji derdhet në det, fusha thahet”. Në fjalët e banorëve të Petovës zbulohet gjendja e shkretuar e bujqësisë së zonës. Asnjë investim nuk është bërë në Petovë për sistemin e vaditjes dhe kullimit, për pastrimin e kanalizimeve, por edhe për rrugët, ndriçimin, ujin e pijshëm. Askush nuk e di ku shkojnë taksat e tyre. Banorët kërkojnë zgjidhje dhe zgjidhja e vetme për ta është një qeverisje ndryshe, një qeverisje që të ketë prioritet interesat dhe nevojat e qytetarëve.

 

Grida Duma: Stop betonizimit të Durrësit

Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, bashkëbisedoi me banorët e zonës së plazhit. Kjo zonë turistike vuan nga mungesa e kanalizimeve, ujit të pijshëm dhe mungesës së pastrimit. Zonja Duma tha se kjo zonë do të mirëmenaxhohet për një turizëm më të mirë si dhe do të ruhet bregdeti duke i thënë stop betonizimit. Duma tha se do ti jepet zgjidhje brenda dy viteve të para të mandatit të saj problemit të kanalizimeve dhe ujit të pijshëm me projektin prej 85 milionë dollarësh të Bankës Botërore. Sondazhet e fundit i japin një epërsi të konsiderueshme në garën për bashkinë Durrës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here