Po krijojmë vrasës me pagesë?!! Çfarë po ndodh?!!!

0
118

Është vetëm 18 vjeç, jeton në Elbasan, por për të u gjet një punë në Lezhë, ishte me leverdi të madhe… Pagesa është e mirë, disa të shkrehura arme, të sigurohet se e ka kryer vrasjen, dhe më pas një shumë e konsiderueshme të hollash bien në duart e përgjakura të një 18-vjeçari.

Kjo ishte puna e tij, nuk dihet nëse është e para, apo në kohë “fushatash” ka siguruar të tjera “punë me kohë të pjesshme”. Ky rast u zbulua ditën e sotme, pak momente para se 18-vjeçari nga Elbasani të kryente ekzekutimin, për porosi të një 43-vjeçari nga Lezha.

“Dy persona kanë përfunduar në pranga, një 43 vjeçar me iniciale M.K., banues në Shënkoll, porositësi i vrasjes dhe një 18 vjeçari nga Gramshi, me iniciale S.H, banues në Elbasan, i cili kishte shkuar në Lezhë për kryer krimin”-pohojnë burime të grupit hetimor.

Në këtë rast policia duhet të marrë meritat që me të drejtë i takojnë, sepse parandaloi një vrasje, aksione gjithnjë e të rralla për strukturat e rendit. Po nuk është rasti i vetëm. Jo më larg se një javë më parë u arrestuan tre të rinj, Elsi Levendi 21 vjeç, Alesio Berberi 33 vjeç, dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç. Ata dyshohet se janë bashkëpunëtorë në vrasjen e Jurgen Kurtit në Tiranë. Edhe ky një krim i dyshuar se është kryer nga vrasës me pagesë.

Po ashtu edhe ekzekutimi një javë më parë i avokatit Ravik Gurra në mes të Elbasanit mendohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë. Edhe vëllezërit Ibrahim dhe Astrit Bilali në Shkodër që mbetën dje viktimë, mund të jenë ndarë nga jeta e të gjallëve nga gishtat e ekzekutorëve me pagesë që shkrehën breshëri mbi viktimat.

Punë ka, por në këta rast vërtetë janë gjetur profesionistë, është një “sektor” i ri punësimi sezonal, “vrasës me pagesë”. Kërkesë-oferta nuk mungon, madje njeh trend rritje, shumë më të lartë se grafiku i ekonomisë.

Të joshur nga fitimi i shpejtë, nga luksi që të siguron paraja e gjakut, këta të rinj nuk kanë lindur kriminelë, as janë rritur si fëmijë të tillë, por janë bërë rrugës, po ecin me “hapin e kohës”, që sot ua ofron Shqipëria.

Shohin fëmijë zyrtarësh lokalë, apo të politikanëve të nivelit të lartë që gjezdisin me mjete luksoze, gjithnjë në vendet e para mbajnë femra të hijshme, që edhe këta të fundit vetëofrohen nga paraja dhe luksi.

Janë rritur mes konfliktit të madh. Politika njeh vetëm përplasje të egër për pushtet, shkolla drejtohet nga militantë partiak, zyrtarët dinë vetëm statistika sa votues ka në zonën e tyre, por jo hallet që kanë qytetarët.

E mos harrojmë terrenin ku jetojmë çdo ditë. Dhunë në sport, dhunë në politikë, dhunë në lagje, dhunë në familje, bullizëm në shkolla dhe loja e mendjes nis t’i turbollojë këta doleshentë që kërkojnë luksin pa punuar (ashtu si fëmijët e politikanëve apo zyrtarucëve të shtetit), ashtu si djemtë e biznesmenëve, që erdhën nga hiçi dhe u bënë bosë. Shohin fëmijët e gjyqtarëve, prokurorëve, apo avokatëve “sekserë” që “lahen” me shampanjë e jo me shampo…

Këtyre duan tu ngjajnë, jetën e tyre duan të bëjnë, por këta të rinj ekzekutues duhet ta nxjerrin vetë paranë… Për tu “trimëruar” rendin pas aromës së hashashit, (e kanë më të lehtë të gjejnë drogën sesa çajin e malit). Presin momentin, dikush do i kontaktojë, kohët e fundit punë të tilla janë shtuar. Paradite gjumë, pasdite vrasës me pagesë…!

Sot kemi banda të fuqizuar, që mbretërojnë nën paranë e përfituar nga droga, aferat korruptive apo trafiqet e qenieve njerëzore. Në zonat ku jetojnë njihen si “burra të shtruar”, parelinj, që nuk hapin telashe ndaj qytetarëve të thjeshtë, përkundrazi bëjnë edhe ndere, japin lëmoshë për më të vobektit, apo i ndihmojnë me ndonjë punë.

Ndonëse e shkuara e tyre mbetet e errët, kanë mundur që me ndihmën e politikës të pastrohen, sot të quhen biznesmenë, të arrijnë deri aty sa përfitojnë tendera publik. Të marrin lehtësira për bizneset private, pasi gjithnjë mbesin makineri e fortë në sigurimin e votave.

Ata nuk kanë frikën e shtetit, ligjit, apo policisë, por ruhen e sulmojnë grupet rivale, të ngjashmit me ta, në konflikte të mbartura e të reja, gjithnjë për kontroll të territorit. Nisin planin për larjen e hesapeve. Një telefonatë me njeriun e duhur dhe gati janë vrasësit me pagesë, kryesisht adoleshentë dhe të rinj, pa shumë “eksperiencë” në “punë” të tilla, por mësojnë rrugës…!

Breshëri plumbash, një e shtënë me plumb pas koke, apo kufoma të bërë shoshë nga predhat e kalibrave të ndryshme të armëve. Çfarë mbetet pas? Qytetarë dëshmitarë që tregojnë të zverdhur në fytyrë e me duar të dridhura: “Ishte një i ri me kapuç në kokë, qëlloi dhe u largua me vrap.., i foli viktimës para se ta vriste.., i pamë të largoheshin me një motorr.., mbanin kaska në kokë.., dogjën makinën dhe ikën me shpejtësi…”! Dëshmi, dëshmi dhe në fund fjalia standarde e policisë: “Po krehim zonën, ekspertët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes”.

Për aq kohë sa grupet kriminale nuk goditen, vendi ka nevojën e spastruesve vrasës me pagesë, që dalin nga shoqëria, por rriten nga politika, biznesi i pisët, afera dhe lakmia.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here