Basha: Më 16 mars, takim me historinë. Nga kjo e hënë…

0
102

Nga kjo e hënë, i gjithë fokusi i opozitës do të jetë tek organizimi i protestës, që do të zhvillohet të shtunën përpara Kryeministrisë.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, thirri dje në selinë blu Kolegjin e Kryetarëve, Kryesinë e PD-së dhe ish-deputetët e grupit parlamentar për të diskutuar mbi strategjinë e organizimit të protestës kombëtare të 16 marsit. Burimet bëjnë të ditur se kërkesa e Bashës ka qenë për një pjesëmarrje masive në protestë dhe për një tejkalim të protestës së zhvilluar një muaj më parë, më 16 shkurt.

Kryetari i opozitës ka udhëzuar krerët e degëve, anëtarët e Kryesisë dhe ish-deputetët të intensifikojnë kontaktet me bazën dhe të mbajnë gjallë pakënaqësinë gjithnjë e në rritje kundër qeverisë. Në takimet e zhvilluara, Basha ka kujtuar se largimi i Kryeministrit Rama është një emergjencë kombëtare, ndaj edhe është kërkuar mobilizim maksimal.
“Më 16 shkurt kemi zhvilluar protestën më të madhe në Shqipëri pas vitit 1991, të thirrur nga një parti politike.

Ajo që duhet të bëjmë ne këtë javë, është që të intensifikojmë takimet dhe kontaktet me qytetarët. Duhet që të mbajmë gjallë frymën antiqeveri, që prej kohësh ekziston në çdo qytet të vendit. Pjesëmarrja në protestën e 16 marsit duhet të jetë më e madhe dhe të tejkalojë protestën e 16 shkurtit. Largimi i Edi Ramës është një emergjencë kombëtare dhe për këtë arsye duhet të bëjmë gjithçka në funksion të aksionit politik dhe protestave. Në vend nuk ka normalitet, për Ramën asnjë minutë qetësi”, mësohet të jetë shprehur Basha.

TAKIMI

Kreu i opozitës i kujtoi Kryeministrit Rama se tashmë është i paligjshëm dhe nuk mund të marrë asnjë vendim tjetër.

Nga protesta e banorëve të “Astirit” në Tiranë, të cilët kanë hyrë në muajin e pestë të protestës së tyre, Basha kujtoi se Edi Rama mendoi se do të vijonte të vidhte shqiptarët gjithmonë, siç ka bërë në 6 vite pushtet, shkruan Panorama.

“Verdikti është i qartë. Edi Rama, ti nuk merr dot më asnjë vendim tjetër për shqiptarët, ti je i paligjshëm, je po i paligjshëm si kriminelët, me të cilët ke marrë pushtetin. Djegia e mandateve parlamentare të opozitës është vendimi më i ligjshëm, më demokratik dhe më patriotik i ndërmarrë ndonjëherë. Me këtë vendim, ne dolëm në krah të popullit, ne dolëm në krah të njerëzve të thjeshtë, jashtë nga Parlamenti i krimit, Parlamenti i hajdutëve, i cili me veprimtarinë e tij është përgjegjës për gjendjen ku ndodhet vendi. Me këtë vendim, ne kemi ndërmarrë një hap historik, për t’i dhënë fund një regjimi të kalbur deri në rrënjë dhe për të kthyer vendimmarrjen te populli”, tha Basha.

PROTESTA

Për kreun e PD-së, Lulzim Basha, protesta e 16 marsit do të jetë për çdo shqiptar një takim me historinë. Ai u shpreh i bindur se shqiptarët do të triumfojnë ndaj qeverisë.

“Ju ftoj të gjithëve, më 16 mars kemi një takim me historinë dhe ajo nuk do të jetë historia e triumfit të së keqes, por do jetë historia e triumfit të bashkuar. Më 16 mars, të gjithë bashkë do ta hapim derën e mbyllur të Europës. Me Edi Ramën nuk ka për të pasur Europë, nuk ka për të pasur negociata aq ç’ka pasur në 6 vite.

Nuk ka për të pasur as zhvillim, as përparim, tani më këtë e di gjithkush, e dinë edhe socialistët e ndershëm. Iu bëjmë thirrje edhe atyre të bashkohen për dinjitetin e familjes së tyre dhe të vlerave, në të cilat ata besojnë. Të gjithë bashkë më 16 mars, në takim me historinë e re, që do ta bëjnë shqiptarët e bashkuar, as krimi, as oligarkia dhe as banda në pushtet”, deklaroi kreu i PD-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here