Arratitë e Ramës nëpër Shqipëri!

0
123

Që nga dalja e opozitës nga parlamenti dhe shkrirja e deputetëve të saj me protestuesit në rrugë, Edi Ramën, e ka gjetur një hall i madh. Do që të vijë vërdallë nëpër Shqipëri për të bërë propagandë kundër revoltës që ka shpërthyer në gjithë vendin, por çdo ditë e më shumë po del në ilegalitet.

Në rrethimin e parë të parlamentit të Rilindjes, ja mbathi për në Lushnje duke i lënë vetëm deputetët e tij, edhe pse e kishte mundësinë që pas takimit të kthehej dhe të dukej në sallë, qoftë edhe sa për tu dhënë zemër. Pastaj planifikoi një ditë tjetër, që të shkonte në mbledhjen e Asamblesë së PS-së në Shkodër, por kur mësoi se populli kishte dalë në rrugë për “ta pritur”, devijoi rrugën dhe përfundoi në Durrës, ku kishte gjithashtu një mbledhje të asamblesë. Por edhe aty, urdhëroi që takimi të mos mbahej në Pallatin e Sportit siç ishte planifikuar më herët, por u zhvendos në periferi të qytetit, kushedi në çfarë vrime, larg mediave dhe në sekret të plotë.

Edhe në rrethimin e dytë të parlamentit, pasi bllokoi pedonalen me forca të shumta policie dhe krijoi një rrethim të madh, lëvizi njësoj si Kadafi në ditët e fundit të pushtetit; nga dera e makinës në derën e parlamentit, i mbikëqyrur me snajper edhe në majë të minaresë së xhamisë. U  duk në sallë vetëm për pak minuta, dhe sërish direkt nga dera e parlamentit në derën e makinës, ja mbathi drejt Rinasit nëpërmjet rrugëve të boshatisura e të blinduara nga uniformat blu.

Edhe ditën e sotme, i njëjti avaz. Mësoi se populli i Roskovecit po e priste për “ta përshëndetur” gjatë rrugëtimit të tij sekret në qarkun e Fierit dhe devijoi rrugën nacionale për të lëvizur nëpër udhë dytësore, a kushedi si tjetër.

U bë shumë kohë, që nga protesta e madhe e 16 Shkurtit që kryeministri i Shqipërisë lëviz sipas planeve operacionale të policisë, të cilat ndryshojnë moment pas momenti, sipas humorit dhe “dashurisë” së popullit për liderin e tyre. Lëvizjet e kryeministrit po kthehen në një stres dhe stërmundim për policinë e shtetit, e cila nuk di se çfarë të bëjë më parë në këtë vend e këtë situatë, kur edhe kampionati i futbollit nuk pranon të vazhdojë aktivitetin pa praninë e tyre.

Nëse vazhdon kështu, së shpejti do ta shohim të parin e këtij vendi, që të pranojë propozimin që i ka bërë ministri Lleshi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, se zgjidhja e vetme tani për tani është që ai të lëvizë nëpër vendin që drejton, vetëm me helikopter. Pastaj se çfarë ndodh në fazat e tjera, dihet….

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here