Deklarata e Saimir Pirgut/ Nëse nuk na jepni dot një dorë, ju lutem…

0
98

Studentja dhe aktivistja, Gresa Hasa, ka reaguar ndaj deklaratës së bërë përpara pak ditësh nga tenori i njohur Saimir Pirgu, i cili deklaroi se, i duheshin 200 mijë shfaqje që të rekuperonte dëmin e një gome të djegur.

Hasa shprehet se, e ka ndjekur jashtëzakonisht shumë veprimtarinë e tenorit të njohur, si dhe ka marrë pjesë në një sërë shfaqjesh të tij, duke theksuar si i ka kërkuar dikur që të vinte më shpesh në Shqipëri që të bënte shfaqje.

Nga ana tjetër, ajo e ka kritikuar Pirgun për deklaratën e tij, duke argumentuar se, sot zaptohen rrugët, protestohet dhe qytetarët janë të gatshëm t’i vënë flakën jo vetëm gomave, por sipas saj, godinave të pushtetit në e kërkoftë rasti, pasi kushtet e tmerrshme ku ndodhet Shqipëria më 2019, thotë Gresa Hasa “na shpien drejt veprimeve që na vjedhin së pari, kaq shumë nga vetja e kjo sepse jeta dhe liria janë të shtrenjta!”.

Reagimi i plotë:

Më kujtohet se si do të hiqja para mënjanë kur isha në shkollë të mesme dhe më vonë, në të lartën, vetëm për të ndjekur shfaqjet e Saimir Pirgut në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke pritur me padurim për to. Madje “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes kam shkuar ta shoh dy herë, vetëm prej Pirgut.

Interpretimi ishte i jashtëzakonshëm dhe do të më shoqëronte gjatë pasi të dilja nga salla. Gjatë atyre viteve të adoleshencës i pata shkruar privatisht tenorit të talentuar, duke e pyetur nëse mund të vinte më shpesh të interpretonte në Shqipëri se ne nuk kemi teatro si të Nju Jorkut, Londrës apo Parisit, por e duam artin, të bukurën, të mirën, të drejtën ndaj dhe sot zaptojmë rrugët e protestojmë dhe jemi të gatshëm t’i vëmë flakën jo vetëm gomave, por godinave të pushtetit në e kërkoftë rasti, pasi kushtet e tmerrshme ku ndodhemi më 2019, na shpien drejt veprimeve që na vjedhin së pari, kaq shumë nga vetja e kjo sepse jeta e liria janë të shtrenjta!

Ne mendojmë se meritojmë një jetë më të mirë, një jetë normale, ku frutat në tavolinë s’janë luks; ku shkollimi nuk është privilegj por e drejtë; ku spitalet kanë ilaçe; ku të paturit e një teatri për të qenë, në të cilin artistët nuk i zë pneumonia e nuk i bien dërrasat kokës, është nevojë urgjente po aq sa pajisja me libra e bibliotekave.

Do të doja t’i kujtoja shumëkujt si puna e Pirgut se Shqipëria po të ishte ky vendi i mrekullueshëm, përplot shance dhe fryte, ju nuk do të ishit larguar nga këtu për të mos u kthyer më kurrë por Shqipëria nuk është ky vend e ne po duam ta bëjmë të tillë, ndaj, nëse s’na jepni dot një dorë në këtë përpjekje që po na kushton rininë e kokën, atëherë, ju lutem, heshtni.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here