Pirgu i panevojshëm i mllefit me Saimirin

0
114

Nga Andi Bushati

Një valë ofendimesh, ironish dhe përbuzje e pajusitifikueshme ka shpërthyer në rrjetet sociale,  që pas shqetësimit naïv të tenorit Saimir Pirgu, se protestat po prishin imazhin e Shqipërisë.

Deklarata e tij, se do duhej të jepte edhe 200 shfaqje plus për të zhbërë pamjet e një gome të djegur në mes të Tiranës, është kthyer parsh dhe mbrapsht, kryesisht nga idhtarët e opozitës.

Disa i kujtojnë se askush nuk e ka caktuar atë gardian të imazhit të vendit dhe prandaj nuk ka pse shqetësohet që të paguhet edhe për 200 koncerte më shumë.

Të tjerë e krahasojnë me masat dhe peshat e këtueshme, duke i kërkuar se pse nuk turpërohej për hashashin dhe trafikun e drogës, por ngre zërin ndaj njerëzve që protestojnë kundër tyre.

Ka që shkojnë edhe më tej dhe e fusin padrejtësisht në aradhën e pafundme të artistëve të oborrit, që ky vend ka prodhuar me shumicë.

Të gjitha këto në fakt, janë përcaktime sa sipërfaqësore, po aq dhe të bëra në zemërim e sipër. Ato, të mara së bashku, janë rrjedhojë e disa keqkuptimeve.

Këto keqkuptime gëlojnë së pari në vetë kokën e tenorit të famshëm nga Elbasani.

Shqetësimi i tij, se një gomë e djegur në bulevard mund të përdhosë emrin e Shqipërisë, buron nga një propagandë e neveritshme e të gjitha pushteteve, sipas së cilës nuk duhet t’i tregojmë të mbathurat tona të palara në publik. Po ta shikojmë me vëmendje të njëjtën gjë bënin berishistët dje kur ishin në pushtet dhe të njëtën gjë bëjnë rilindasit sot pas protestave të opozitës.

Thelbi i kësaj teorie përmblidhet në shprehjen e Edi Ramës se “për shqiptarët nuk flas keq në gjuhë të huaj”. Sipas saj, “botës” i duhet treguar një fytyrë e rreme, të huajt duhen gënjyer për çka është në të vërtetë realiteti shqiptar. Ata duhet të na njohin vetëm për zërin e Saimirit apo të Ermonelës, për sparkatat e Elseid Hysaj apo qoftë edhe për pozat e nxehta toples të Rita Orës, por kurrsesi për atë çka jemi në të vërtetë.

Kjo klishe që është krijuar që prej kohës së Rilindjes Kombëtare, që u çua në ekstrem nga komunizmi, është ruajtur me forcë edhe nga politikanët e sotëm në pushtet, aq sa është shndërruar në një dogmë. Pikërisht kjo dogmë është ngulitur edhe në kryet e Saimir Pirgut dhe faji i tij i vetëm është se e ka përtypur me naivitet atë. Thjesht si një tenor, që ka shumë çka tjetër për se ta vrasë mendjen, sesa për problemet e ndërlikuara të funksionimit të shoqërisë.

Një keqkuptim i dytë, i cili gjithashtu vjen nga një kohë që e kemi lënë pas, është ai për rolin e artistit dhe misionin që ka ai në raport me kombin. Askush nuk do kishte pasur guximin t’i kërkonte Gabriel Garsia Markezit edhe 200 tregime më shumë, për të zbehur imazhin që Kolumbisë i pati lënë Eskobari. Askush nuk do kishte tentuar t’i kërkonte Zherar Depardjësë 200 role plus, për të fshirë nga kujtesa djegiet dhe thyerjet që bënë jelekëtverdhët anekënd Francës. Askush nuk do t’i kishte kërkuar Çelentanos të rikthehej në skenë, për t’i fshirë Italisë imazhin e ksenofobit që po i mvesh një racist si Salvini.

Po ashtu dhe Saimir Pirgu nuk ka pse e mban këtë peshë mbi supe. Ai, Dua Lipa, Hamdi Salihi, apo qoftë dhe vetë Kadareja, janë të zhveshur nga kjo përgjegjësi. As ne nuk kemi të drejtë t’ua kërkojmë atë, as ata nuk na e kanë borxh. Ata mjaftojnë të jenë ata që janë, të synojnë kulmet në karrierën e tyre dhe duke i bërë mirë vetes, në një farë mënyrë do të arrijnë të përmendin për mirë edhe Shqipërinë. Askush nuk i detyron për më shumë. Sepse veshja e këtij kostumi prej superheroi, që mëton të transformojë imazhin e një kombi të tërë, më shumë sesa të dobishëm, mund t’i shndërrojë në qesharakë.

Një tjetër keqkuptim, disi më i koklavitur dhe më i vështirë për rrugën që ka zgjedhur të marrë në jetë dhe për formimin me të cilin është mbrujtur Saimir Pirgu, është ai nëse protestat, qofshin ato edhe të forta apo radikale, janë bekim apo mallkim për imazhin e një vendi?

Sot është e vështirë të thuhet se popujt që guxuan të ndërmerrnin, aspak në mënyrë paqësore, pranverën arabe për të transformuar shoqëritë e tyre, kanë vulosur një imazh të keq për veten. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për serbët që ia mësynë godinave qeveritare për të rrëzuar Millosheviçin apo për ukrahinasit dhe gjeorgjianët që u sollën po njësoj në revolucionin e portokalltë apo të trëndafilave.

Pra debati se kush gëzojnë imazh më të mirë, ata popuj që duan të ndryshojnë, qoftë dhe me çmimin e gomave të djegura apo të xhamave të thyer, apo ata të tjerët që janë të gatshëm të nënshtrohen duke duruar një letargji vdekjeprurëse, e ka marrë tashmë përgjigjen.

Por natyrisht, ky debat elitar, këto kontradikta me të cilat argëtohen intelektualët, këto dilema që mundojnë sa filozofët, po aq edhe sociologët, nuk janë shqetësimet e përditshme, as brumi me të cilin është mbrujtur Saimir Pirgu. Preokupimi dhe talenti i tij kanë qenë të tjera.

Që nga ditët e largëta kur merrte mikrofonin dhe këndonte në dasmat elbasanase e deri në pikën kur Klaudio Abado e mori pas vetes, duke thënë se ky djali do të jetë Fernandoja im, investimi i tij ka qenë për vokalin, sjelljen skenike dhe përvetësimin e repertorit të më të mëdhenjve të globit. Dhe aty vërtet ka shkëlqyer me koston e lënies pas dore të një pjese shqetësimesh që kanë të vdekshmit e tjerë, si ato për politikën, demokracinë dhe zhvillimin shoqëror.

Gafa e Saimir Pirgut ishte se këtë herë, ai përdori atunë që i ka dhënë talenti i tij i veçantë për të zbarkuar në një fushë ku është më i zakonshëm sesa të zakonshmit. E në këtë botë, që nuk është e tija, ai duket si një personazh i çakorduar. Aty ai ngjan me atë vizatimin brilant që Milosh Forman, tek Amadeus, i ka bërë Moxartit të vet: Një gjeni i pakrahasueshëm në skenë, por fëminor dhe gati qesharak mes intrigave të oborrit mbretëror.

E tillë ishte edhe përpjekja e Saimir Pirgut për të hyrë në një fushë që nuk ishte e tija. Aq e papërshtashme dhe aq e pavend, sa do të qe edhe gjykimi i roleve të tij nga urdhëruesit e djegies së gomave. Sepse reagimi i Pirgut për to është i barazvlefshëm me gjykimin që mund t’i bënte Monika Kryemadhi “Rigoletos” apo Flamur Noka “La Boheme”.

Prandaj si i tillë, ai as nuk duhet anatemuar dhe as nuk duhet paragjykuar. Pirgu i sharjeve ndaj tij është i pavend. Ofendimet si artist oborri janë të ekzagjeruara. Paranojat se i shërben dikujt apo po përdoret prej një tjetri janë qesharake.

Ai thjesht duhet justifikuar si dikush që zbret si ufo në një botë që nuk e njeh. Si dikush që merr guximin të mos heshtë për gjera që nuk i kupton, duke harruar për një çast se e ka të pamundur të jetë më shumë sesa një tenor i madh. /Lapsi/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here