Historia e Verës, shoferja femër që theu tabutë e egra të Veriut

0
310

Pasioni 44-vjeçar

Nga furgonat, tek saurrelët, autobuzët, e për t’u vendosur më pas përfundimisht në shofere taksie, një jetë në timon

 

Vera, kështu quhet zonja e cila ofron shërbimin taksi, në zonën pas Bibliotekës Kombëtare. Shofere që nga viti 1975, kur Shqipëria ishte ende nën regjimin komunist. Ajo arriti të kapërcejë mentalitetin e egër të veriut, konkretisht të Dibrës, qytet nga i cili është edhe zonja në fjalë. “Standard”, në kuadër të suplementit “Historia Ime”, ndoqi historinë e Verës, si një ndër historitë më të veçanta të femrës në karrierë. Sot, nuk është më tabu patenta, apo të qenurit shofere, ndoshta as dikur nuk ishte, por historia e Verës është ndryshe. Ajo u regjistrua në kundërshtim të plotë nga familja e saj, në kursin e parë të shofereve femra të hapur në Durrës, në vitin 1974. Taksistja tregoi për gazetën se si kishte arritur të ishte një ndër shoferet me të mira, e vlerësuar edhe me çërtifikata e tituj nderi, porse na hodhi dritë edhe mbi gjithë hallkkën e punës.

 

Vera kishte ngarë mjete deri edhe të tonazhit të rëndë, në karrierën 44 vjeçare, pothuajse pa asnjë vit shkëputje nga puna. E martuar në Tiranë që në vitin 1980, zonja nga Dibra foli për paragjykimet që i janë bërë, sidomos në zonën e saj, nga të afërmit, por më pas edhe nga njerëzit e bashkëshortit, e megjithatë, ajo theksoi se ka qenë e vendosur në pasionin e saj, duke hedhur kështu pas krahëve çdo gjë, e duke vazhduar përpara. Kjo punë e ka ngjitur edhe në malet më të larta të vendit, ku ka ngarkuar kamiona me trupa, duke mbajtur edhe pesha shumë të rënda mbi supe, të papërballueshme për fizikun e një femre. Këtë gjë, sikurse shpjegoi ajo, e ka bërë për një arsye : Pasioni dhe dashuria për profesionin e zgjedhur.

 

Nga furgonat, tek saurrelët, autobuzët, e për t’u vendosur më pas përfundimisht në shofere taksie. Një jetë në timon, dhe shumë herë e kërcënuar, madje edhe me jetë. Vera u rrëfye për “Standard” se në kohën e regjimit, teksa kthehej nga Shkodra për në Tiranë, në hyrje të Lezhës, njerëz të maskuar e kanë kërcënuar me kallash dhe i kanë marrë makinën. Por ky nuk kishte qenë rasti i vetëm, kërcënimet, tregoi ajo, kanë qenë të shumta, porse me ardhjen e demokracisë, e sidomos në ditët e sotme, kërcënimet janë rralluar, madje edhe nuk ka pasur fare.  Në fund, kur e pyetëm lidhur me ndonjë përshtypje të ngelur nga klientela e saj, ajo tha se të gjitha klientet femra që kanë udhëtuar me të, kanë lënë përshtypjet më të mira, pasi sjellja e tyre ndaj saj, ka qenë e përkryer. Por nuk harroi të thonte, siç ndodh rëndom me çdo punë në Shqipëri, se përfitimet e nxjerra janë të papërfillshme, e se i është dashur shumë herë, që për të kryer shërbimet e makinës, ka marrë para nga rroga e bashkëshortit.

 

Intervista e plotë

 

Vera, që kur nisi historia juaj si shofere? Ishte pasion, apo nevojë për të ardhura?

 

Jam shofere që nga viti 1975. Është një pasion i vjetër, doja që e vogël të bëhesha shofere. Pastaj në klasë të tetë fillova kursin, e kisha pasion dhe shanci im që u hap kursi i parë në Durrës, për 64 vajza nga e gjithë Shqipëria. Unë jam dibrane, e martuar në Tiranë që në vitin 1980.

 

A ishte dakord bashkëshorti juaj me këtë punë?

 

Kur unë fillova kursin, kam qenë beqare. E kam njohur dy vite pasi kisha filluar punë. Pastaj normalisht u dakordësua.

 

Jeni paragjykuar ndonjëherë?

 

Ishte guxim i madh t’i hyje kësaj pune, sidomos në kohën time. Por që në fillim i kam hyrë me mendjen që çfarëdo që të flisnin për mua, unë do vazhdoja profesionin tim, ëndrrën time. Por që ishte shumë e vështirë, padyshim, opinioni ishte shume i keq. Fanatizmi… Gruaja shofere…. Bënte përshtypje shumë të madhe. Në atë kohë nuk ka pasur femra shofere. Në dibër kam qenë shoferja e parë, ndërsa këtu në Tiranë ishn 5 gra shofere gjithsej, taksiste tek Teatri i Kukullave.

 

Kurioziteti më i madh është familja…. Si e ka pritur ajo vendimin tënd për t’u bërë shofere?

 

Është pak për të qeshur kjo, mosbesuese po ta thuash, por që është tamam ajo e vërteta. Familja nuk ishte dakord. Unë nuk iu kisha treguar që isha regjistruar në shkollën e shoferëve. Iu kam treguar ditën që do të ikja në Durrës, për të filluar kursin. Babai ishte shumë parimor, nëna, motra, të afërmit, ishin shumë fanatike.

 

Iu desh shumë kohë për t’u dakordësuar?

 

Kur e fillova në fillim ishte shumë e vështirë… deri edhe dy vitet e para kisha shumë vështirësi… Ama unë nuk mora parasysh asnjë gjë. Me të mbaruar kursin, i cili zgjati një vit. Bënim praktikë dhe teori. Njëkohësisht kemi marrë edhe statusin e mekanikut.

 

Gjithmonë me taksi keni punuar?

 

Jo, nuk mund të punosh me taksi pa pasur klasin. Unë kam punuar fillimisht me një “Zuk”. Furgonat atëherë quheshin “Zuk”. Merresha me furnizime tregjesh. Pastaj në vitin 1979 mora patentën e naftës. Pasi të bëje katër vite pune, duhet të shkoje se s’bën në kursin e naftës, e kishin të parashikuar. Duhet të kishe katër vjet përvojë. Bëra tre muaj kurs, isha e vetmja vajzë, mes 20 djemve. Pasi mora patentën e naftës, punova gjashtë muaj me “Surrel”, në malet më të larta të Shqipërisë, në Selishtë. Mbaja trupa, elemente të rënda.

 

Ishte e vështirë, sepse normalisht fiziku i një femre, nuk mund të përballojë pesha të mëdha?

 

Në atë kohë nuk njihja shumë mundësi në atë kohë. Ishte një zanat që e kisha me shumë pasion. Ndoshta ishte edhe kjo arsyeja që nuk e konsideroja fare lodhjen. Nuk njihja as frikën.

 

Vazhdon ta bësh këtë punë me të njëjtin pasion si në fillim?

 

Unë e kam vazhduar dhe do ta vazhdoj shumë pak, sepse edhe një vit e dal në pension. Është e vetmja punë që kam bërë gjithë jetën. Kam shkëputje të vogla. Kur hyri demokracia makina doli jashtë përdorimit.

 

Se u ndalëm vetëm tek paragjykimet dhe vështirësitë. Po vlerësime keni pasur?

 

Vlerësime kam patur sigurisht. Në kohën time kam qenë femra më e dalluar për punën. Mirëmbaja makinën, punoja shumë, ngrihesha që në katër të mëngjesit dhe e lija punën  në dhjetë të darkës. Ishim të dalluar nëpër kënde.

Ndërsa kur u martova në Tiranë, më dhanë autobus të linjës urbane. Edhe këtu për punën  që bëja dekorohesha, sipas klaseve.

 

Po në kohët e sotme, si jeni pritur?

 

Në kohët e sotme nuk është më bujë e madhe. Tani shumica e femrave kanë marrë patentën. Dhe nuk ka rëndësi nëse je apo nuk je taksiste, rëndësi ka që femrat sot ngasin timonin. Ky është një zanat që duket shumë i thjeshtë, por që është tepër i vështirë. Por që trajtohem mjaft mirë dhe për këtë jam e lumtur.

 

A keni patur peripeci në këtë profesion?

 

Kam kaluar shumë peripeci në këtë profesion. Jam kërcënuar disa herë me vrasje, me marrjen e makinës, më kanë marrë dy makinë, njërën erdhën me kallash, më kërcënuan dhe ma morën. Më kanë bërë pritë në Shkodër, në hyrje të Lezhës, më kanë thënë “O makinën o lekët”, në Bulqizë. Kam rrezikuar disa herë.

 

Vazhdoni të keni më kërcënime të tilla?

 

Tani nuk është shumë, sepse nuk kanë problemin e makinave. Atëherë makinën do të të merrnin. Tani kanë të gjithë.

 

Diçka shumë e rëndësishme për taksistët është edhe klientela. Besoj keni patur raste nga më të shumtat. Por cili ka qenë rasti që ju ka ngelur më shumë në mëndje? Si sillen zakonisht klientët me ju?

 

Raste ka patur plot. Njerëzit janë me sjellje nga më të ndryshmet. Fatmirësisht me klientët nuk kam pasur shumë probleme. Kam kaluar mirë me njerëzit. Jam shumë e  respektuar nga klientet femra. Kam shkuar shumë mirë me to. Tek mua mbizotërojnë më shumë klientet femra. Pastaj ka klientë të cilët ngjiten në taksi dhe kur iu thua tarifën në fund të udhëtimit, iu duket shumë. Në fakt nuk është shumë, sepse ta mendosh, tashmë çmimi i naftës është rritur, makina do mirëmbajtje. Në 5 lek, një fusim në xhep. Disa e mendojnë si një punë fitimprurëse, por nuk është aspak ashtu. Ka patur raste që kam marrë rrogën e burrit për të paguar detyrimet e makinës. Pra, është një punë si gjithë të tjerat, mund të ndodhë që as bukën e gojës nuk ta siguron dot.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here