Veza e Kryeministrit

0
102

Nga EDMOND TUPJA

Këtë shkrim, sot që, prej më se dy javësh, studentët, krejt vetvetiu, jashtë çdo ndikimi partiak, janë çuar me guxim qytetar në protesta, të cilat u kanë kthyer një grimë shprese shqiptarëve të tulatur deri në dëshpërim, sot, pra, këtë rubrikë mund ta kisha nisur kështu: “Na ishte seç na ishte! Na ishte njëherë një vezë që, për arsye të (pa)njohura, u gjend brenda xhep-furrikut të një deputeti të opozitës shqiptare, tek ngrohej pa u shqetësuar për çka po ndodhte rreth e rrotull asaj, kur, krejt papritur, një dorë e fuqishme e mbërtheu, veçse pa e thyer, e nxori përjashta, në lirinë qesharake të Kuvendit të Republikës së pikëlluar të Shqipërisë dhe e flaku në ajër. Po, po, në ajër, por fluturimi i hareshëm i vezës u ndërpre, mjerisht, nga përplasja me një alamet trungu të patundur kryeministror, kësisoj, veza u thye e u zgërlaq duke u zbavitur gëzueshëm, ngaqë shërbeu për diçka të pazakontë në atë sallë madhështore me plot 140 baballarë të kombit të koklavitur shqiptar”.

Po ta kisha filluar kështu këtë rubrikë të përjavshme, lexueset e lexuesit e mi seriozisht seriozë ndoshta do të ishin bezdisur, me të drejtë, sepse ato dhe ata i duan gjërat të thëna e të shkruar açik, ngaqë i duan të përshkruara apo të shpjeguara brenda realitetit të vendit, qoftë ky realitet edhe nga më të zymtit që ato dhe ata kanë përjetuar deri më sot. Atëherë, kështu qoftë! Po e lë mënjanë alegorinë dhe stilin e Ezopit apo të La Fontenit dhe po vazhdoj.

Veza, me të cilën një deputet i Partisë Demokratike goditi Kryeministrin Rama, para dy-tri ditësh, në Kuvend, vezë proteste, sigurisht, ishte një vezë krejt e pafajshme, po aq sa vezët që studentët e ngritur në protestë hodhën me indinjatë te muri i Ministrisë së Arsimit para dy javësh, kështu që veza kryeministrore nuk bëri gjë tjetër veçse ndoqi shembullin e simotrave të saj ministrore. Veza, në botën demokratike, tashmë është kthyer në simbol të protestës, madje jo veza e freskët që sapo ka dalë nga barku i ngrohtë i pulës mëmë, por veza e prishur, me atë erën e saj qelbësisht të qelbur, të cilën e meritojnë plotësisht ata që e qeverisin popullin duke u tallur me atë ose që tallen me popullin duke e qeverisur atë, ndërsa pasurohen paturpësisht e majmen makutërisht në kurrizin e tij të dërrmuar. Rrjedhimisht, ministrja jonë e Arsimit dhe Kryeministri ynë i Rrënimit duhet t’u jenë tejet mirënjohës studentëve dhe deputetit të Partisë Demokratike, të cilët i përshëndetën e i nderuan me vezë të freskëta e jo të prishura!

Nga ana tjetër, me keqardhjen më të madhe, të thellë, të gjerë e të gjatë, po marr guximin me të dyja duart për t’i thënë Kryeministrit Rama, mendja e të cilit është po aq pjellore saqë edhe vetë Mefistofeli i Gëtes do ta kishte frikë e zili njëherazi, për t’i thënë, pra, se hedhja e vezëve nga studentët e indinjuar kundër atij dhe krejt ministrave të padenjë për të qeverisur, mund t’i japë atij, Kryeministrit, një ide fort të dobishme që t’u hapë vende pune tërë shqiptareve e shqiptarëve të papunë, të cilët përpiqen si e si të mërgojnë sa më shpejt në vendet e Bashkimit Europian ose në ato të Amerikës Veriore. Cila është kjo ide? Thjesht fare: të vazhdojë qeverisjen e tij katran me bojë të bazuar te korrupsioni, padrejtësia sociale, klientelizmi, favoritizmi e nepotizmi, në mënyrë që studentët e, mundësisht, mbarë populli ynë ekonomikisht e shpirtërisht i rraskapitur, të protestojë çdo ditë para selive të tij nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” e deri te bunkeri në Surrel, duke gjuajtur pikërisht me vezë! Po, po, me vezë e vetëm vezë! Kjo mënyrë të protestuari e pandërprerë do të rrisë fuqishëm (kujdes: mos ia hiqni rrokjen e parë kësaj fjale, ju përgjërohem!) prodhimin e vezëve dhe, si pasojë të pashmangshme, do të nevojisë të ndërtohen me dhjetëra, qindra e mijëra pulari të tjera, çka do të bëjë që të hapen me mijëra vende pune! Do të punësohen kështu tërë shqiptarët e papunë, të cilët, ashtu si pulat kur pjellin vezë, do të kakarisin fuqishëm në kor “Ka-ka-ka, ka-ka-ka, bëjmë vezë të mëdha, Kryeministër si i yni s’ka! Mashalla, mashalla!..” dhe kësaj kakarisjeje kombëtare do t’u shtohen kakarisjet e të huajve që do të vijnë nga Afrika, Azia dhe Oqeania të punësohen në Shqipërinë e transformuar fuqishëm në pularinë më krenare e mahnitëse të planetit tonë të tejpopulluar.

Si përfundim, falë vezëve që do të kenë hedhur studentët tanë kundër ministrave dhe vetë Kryeministrit, vendi ynë do të begatohet pambarimisht dhe Edi Rama do të bëhet botërisht i famshëm, ndonëse, tani për tani, i ka ngecur veza kryq, megjithëse është i zoti të ta vjedhë vezën nën klloçkë, madje edhe më keq, të ta marrë atë në bark të pulës, pavarësisht se, deri më sot, atij i ka pjellë vezë edhe gjeli!

Panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here